BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookFormulari online prezantohet si qëndrim i mjekëve kundër vaksinimit 

Formulari online prezantohet si qëndrim i mjekëve kundër vaksinimit 

Një ‘deklaratë’ e nënshkruar nga ‘qindra mjekë’ që ngre alarmin për “një krizë mjekësore të shkaktuar nga vaksina e Covid” rezulton të jetë e pasaktë. “Faktoje” zbulon se si deklarata mund të firmoset online nga kushdo, pa patur asnjë formim mjekësor, por gjithashtu nuk bazohet në të dhëna të konfirmuara nga shkenca apo institucionet shtetërore.    

Patris Pustina

Megjithëse studim pas studimi është provuar tashmë se vaksina anti-Covid-19 është e sigurt dhe e lidhur me shumë më pak efekte të padëshiruara se sa infektimi me Covid-19, konspiracionistët anti-vaksinim vazhdojnë përpjekjet për të hedhur dyshime mbi sigurinë e kësaj vaksine. Portali “Patriotik Media” raporton se Qindra mjekë deklarojnë krizë mjekësore nga vaksina”. Deklarata në fjalë, pretendon se “ka një krizë ndërkombëtare mjekësore si pasojë e sëmundjeve dhe vdekjeve të bashkëlidhura me administrimin e produkteve të njohura si ‘vaksina Covid-19’” dhe se kishte “rritje të dështimeve të shtatëzanive” dhe “një numër i lartë efektesh të padëshiruara” tek njerëzit që kanë marrë vaksinën e Covid-19.

“Faktoje” verifikoi më tej këtë deklaratë të mjekëve, për të zbuluar se bëhet fjalë për një dokument aspak serioz. Kështu, deklarata nuk është gjë tjetër veçse një formular i ofruar në një faqe online, ku çdokush mund të shtojë firmën e tij në listën e mjekëve nënshkrues. Kjo ka çuar në një numër nënshkruesish fiktivë si në shembujt më poshtë:

Për më tepër, ky opsion është shfrytëzuar nga disa për të nënshkruar më shumë se një herë, si në shembullin më poshtë.

Siç shihet, asnjë lloj kredenciali apo kualifikimi nuk është i nevojshëm për të nënshkruar këtë deklaratë. 

Deklarata pretendon se “po vërehet një vdekshmëri e lartë në vende ku shumica e popullsisë ka marrë të ashtuquajturën vaksinë Covid-19”. Këtë pretendim autorët nuk e mbështesin me asnjë lloj prove apo të dhënash. Megjithatë, krahasimi i shteteve duke u bazuar vetëm tek vdekshmëria dhe shkalla e vaksinimit është në vetvete një thjeshtëzim, sepse nuk merr parasysh një mori variablash të tjerë që mund të ndryshojnë nga njëri shtet te tjetri. Faktorë si ndryshimet në kapacitetet shëndetësore, situatën epidemologjike, apo ndryshimi në moshën e popullsisë mënjanohen tërësisht në favor të alarmizmit kundër vaksinave anti-Covid. 

Për më tepër, në ngut për të fajësuar vaksinën për vdekshmërinë e lartë, deklarata duket se harron arsyen e vetë ekzistencës së vaksinës: pandeminë. Covid-19 është padyshim shkak për shumicën e vdekjeve. 

E vetmja herë kur deklarata përdor shifra është në pjesën kur pretendon se “ka patur deri më tani më shumë se 11 milionë raportime efektesh të padëshiruara, dhe më shumë se 70,000 vdekje të bashkëlidhura me injektimin e produkteve të njohura si vaksina Covid.” Për të sjellë këto shifra, ajo mbështetet te të dhëna nga disa databaza për monitorimin e efekteve të padëshiruara nga vaksinat. Specifikisht, deklarata citon VAERS të Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), sistemin britanik Yelloë Card, Sistemin Australian të Monitorimit të Efekteve të Padëshiruara, Sistemin EudraVigilance të Europës, dhe Databazën VigiAccess të Organizatës Botërore të Shëndetit. 

Siç Faktoje ka nënvizuar më parë, sistemi VAERS është një sistem primitiv paralajmërimi ku çdokush mund të hyjë dhe të raportojë efekte të padëshiruara pa asnjë lloj kredenciali. Si rrjedhojë, vetë faqja e VAERS këshillon kundër përdorimit të të dhënave të sistemit për të bërë një lidhje shkak-pasojë mes vaksinimit dhe efekteve të padëshiruara.

Ndërkohë, raporti i qeverisë britanike mbi sistemin e raportimit Yellow Card në Shtator 2022, thotë se “shumë efekte të padëshiruara raportuar në Yellow Card nuk kanë asnjë lidhje me vaksinën apo ilaçe dhe është shpesh thjesht koincidencë që simptomat ndodhën pak a shumë në të njejtën kohë si vaksinimi” dhe “është e rëndësishme që efektet e padëshiruara të përshkruara në këtë raport të mos interpretohen si efekte anësore të provuara të vaksinave Covid-19.”

Paralajmërime të ngjashme gjenden dhe në faqet e qeverisë australiane dhe databazës EudraVigilance.

Këto databaza janë mjete për monitorimin e efekteve të padëshiruara të vaksinave, prandaj ato janë të interesuara për raportime sa më të shumta dhe të pafiltruara. Por, pikërisht për këtë arsye, të përdorësh të dhënat e tyre për të dale në përfundime shkencore për efektet e vaksinës është e gabuar si metodë studimore. 

 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img