Fitorja e presidentit Donald Trump në Amerikë ka sjellë si efekt domino ngritjen e skenarëve të ndryshëm për vijimin e marrëdhënieve ndërkombëtare gjeopolitike në botë dhe rajon. Jo rrallë herë mediat në Shqipëri kanë përfituar duke shpërndarë lajme me tituj alarmantë, shpesh të pabazuar në asnjë fakt konkret.

Jona Plumbi

SHBA me marrëveshje sekrete”, “BE pranon ndryshimin e kufijve”, “Rusia do luftë në Ballkan, zbardhet plani, CIA në alarm”. Këto janë disa nga titujt që qarkulluan në media pas fitores elektorale të presidentit amerikan Donald Trump.

Rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë ka marrë vëmendjen e botës dhe është shoqëruar me parashikime të ndryshme nga mediat edhe në Shqipëri.

E ndihmuar nga zgjedhja e Trump për ta nisur mandatin e tij me një takim me presidentin rus Vladimir Putin, në Shqipëri filluan të qarkullojnë tituj lajmesh të paverifikuara. Mediat kanë diskutuar disa skenarë të ndodhive që shpesh bazohen në spekullime.

Një nga pritshmëritë e ngritura në media pas zgjedhjes së Trump si president është se Shtetet e Bashkuara do të pranojnë një ndryshim kufijsh të Ukrainës me qëllim fundin e luftës me Rusinë dhe kjo për pasojë do të legjitimojë ndryshim kufijsh në rajonin e Ballkanit Perëndimor përmes luftës.

Frika për pranimin e ndryshimit të kufijve – deri diku e legjitimuar – është pasqyruar në nivele thuajse faktike nga disa media në vend. Duke folur për këtë, Euronews Albania publikoi një video me titull “Mbyllet Ukraina! Rusia do luftë në Ballkan! Zbardhet plani, CIA në alarm”.

Intervista theksonte se SHBA ka caktuar një të dërguar të posaçëm për përfundimin e luftës Ukrainë – Rusi dhe sipas të ftuarit shefi i CIA-s ka fluturuar drejt Ballkanit për të ndarë shqetësimet e inteligjencës amerikane se Kosova dhe Bosnja mund të përdoren si burime destabilizuese për të tensionuar situatën, jo vetëm në Ballkan por në të gjithë BE-në.

Ndryshe nga sa lë të kuptohet titulli i publikimit të videos, në asnjë rast intervista nuk “zbulon” një plan për luftë apo një informacion se CIA është vërtetë në alarm për këtë arsye. Vizita e fundit e shefit të CIA-s në Ballkan në fakt daton në Gusht 2024 dhe dëshira e Rusisë për të influencuar rajonin është diçka e njohur prej vitesh.

Një tjetër media, me titull “Alarm, Kosova në rrezik”, zhvilloi një intervistë ku u diskutua për një konflikt të mundshëm në Ballkan që mund të destabilizojë kontinentin Europian, luftë që mund të fillojë nga Kosova, Bosnja apo Maqedonia.

I njëjti televizion në një tjetër transmetim direkt referoi pritshmëritë e “ish-diplomatit britanik Timothy Less”. Lajmi i shpërndarë në YouTube me titull “TIMOTHY LESS SHOKON/ Zbulon marrëveshjen sekrete për kufijtë në Ballkan!”dhe mban strishën “BE pranon ndryshimin e kufijve”.

Lajmi flet për opinionin e Less i cili sipas lajmit të NTV mendon se në Europë shihet një predispozitë për të pranuar idenë fillestare të Donald Trump për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fakt, Timothy Less i ka shprehur mendimet për një media pro-serbe të quajtur “Kosovo Online”, ku sipas tij administrata Trump është e gatshme të pranojë ndryshim kufijsh në Ballkan dhe se kjo mund të pranohet edhe nga Gjermania në rast se aty triumfojnë në zgjedhjet e ardhshme partitë e së djathtës ekstreme.

Në asnjë moment Less nuk “zbulon” një marrëveshje sekrete apo nuk flet për predispozitën e unionit Europian që përbëhet nga 27 shtete europiane, për të pranuar ndryshim kufijsh në Ballkan. Pavarësisht kësaj, NTV njofton pranimin e ndryshimit të kufijve nga BE-ja si fakt.

Çfarë thonë ekspertët

Pavarësisht skenarëve të mundshmëm për fundin e luftës në Ukrainë, për studiuesin Ledion Krisafi një gjë është e sigurt: Bashkimi Europian është kundër pranimit të ndryshimeve të kufijve.

Shenjat janë që BE nuk do pranojë as ndryshimin e kufijve në Ukrainë, jo më në Ballkan”, argumenton Krisafi. Sipas tij, në një rast hipotetik, pranimi i ndryshimit të kufijve në Ballkan mund të bëhet vetëm nga SHBA dhe Rusia në bashkëpunim me njëra-tjetrën dhe nëse kjo ndodh shanset janë që ato të bëhen me negociatë, jo me dhunë.

Nuk duhet ta teprojmë me frikën në këtë rast. Serbia nuk është Rusia dhe fakti që mund t’i pranohet Rusisë (ndryshimi i kufijve) nuk do të thotë se mund t’i pranohet dhe Serbisë. Por më shumë mundësi ka që ideja e shkëmbimit territorial mes Kosovës dhe Serbisë apo ndarja e Bosnje-Hercegovinës të mos jenë më utopi pasi ndryshimet territoriale të pranohen në Ukrainë dhe më shumë mundësi ka që ndryshime të tilla të bëhen në mënyrë paqësore nën kujdesin e fuqive të mëdha, dhe jo me dhunë”, Ledion Krisafi.

Ndryshe e sheh studiuesi i marrëdhëneive ndërkombëtare, Ilir Kalemaj i cili argumenton se brenda kërkesave të panegociushme nga Ukraina dhe Rusia (mosantarësimi i Ukrainës në NATO kërkuar nga Federata Ruse dhe respektimi i plotë i integritetit territorial kërkuar nga Ukraina) mund të gjenden plot zgjidhje kreative që kënaqin kushtet jo vetëm për një armëpushim por për një traktat bilateral paqeje afatgjatë.

Në lidhje me Ballkanin Perëndimor nuk mendoj se kjo marrëveshje do të legjitimonte ndryshimin e kufijve duke përdorur armët, përkundrazi. Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut apo Mal të Zi janë me fat që janë ose brenda NATOs ose si Kosova me perspektivë antarësimi në të, të linjëzuar plotësisht në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë me SHBA-në dhe nuk shoh ndonjë rrezik në këtë drejtim.”  Ilir Kalemaj, studiues.

Për Ilir Kalemajn ajo që mund të “ndahet” në Ballkan nuk janë kufijtë, por zonat e influencës.

Përfundim

Pavarësisht pritshmërive që gjithkush mund të krijojë pas fitores së presidentit amerikan Trump, përhapja e opinioneve të ndryshme mbi skenaret duhen pasqyruar si të tilla nga mediat dhe jo si fakte të kryera me tituj bombastik që në kërkim të klikimeve rrezikojnë përhapjen e informacioneve të pavërteta dhe krijimin e panikut.