Një video që tregon disa lopë në Itali që presupozohet se kanë ngordhur nga injektimi i vaksinës së Covid-19 rezulton e pasaktë. “Faktoje” verifikoi se kafshët u helmuan për shkak të konsumimit të një bime, që prej thatësirës bëhet e rrezikshme.
Në rrjetet sociale po qarkullon një video ku pretendohet se disa lopë kanë ngrodhur, pasi u është injektuar vaksina e Covid-19.
“Autoritetet detyruan fermerët që të vaksinojne lopët e tyre me vaksinën K@vid. Menjëherë pas kësaj lopët u sëmurën dhe ngordhën”, shkruajnë disa përdorues në rrjetet sociale.
Screenshot, postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Planet tregojnë një fushë, ku duken dhjetëra lopë të ngordhura. Por, si qëndron e vërteta mbi këtë video? “Faktoje” bëri një verifikim të saj, fillimisht duke bërë një kërkim në internet, ku konstatuam se pamjet i përkasin gushtit të vitit 2022. Asokohe u raportua se një fermë italiane ishte kthyer në një “morg”, pasi rreth 50 lopë ishin helmuar pasi kishin ngrënë një bimë helmuese.
Referuar të dhënave nga ekspertët, bagëtitë në fermën në Sommariva del Bosco, afër Torinos në Italinë veriperëndimore, ngordhën papritur për shkak të helmimit akut me acid prusik më 6 gusht.
Mjekët veterinerë arritën në përfundimin se kafshët u sëmurën dhe ngordhën nga konsumimi i bimëve që përmbanin përqendrime të larta të një kimikati natyror që bëhet toksik në kushtet e thatësirës. Pra, bima prodhon kimikatin e rrezikshëm si rezultat i thatësirës, duke sjellë edhe pasoja të tilla për bagëtitë.
“Lopëve nuk u është injektuar vaksina kundër Covid-19”, tha për ‘Associated Press’ Stefano Giantin, një veteriner me qendër në provincën veriperëndimore italiane të Cuneo, i cili punon për një zyrë lokale të shërbimit veterinar kombëtar të vendit.
Ai konfirmoi për AP, se video tregon një incident të vitit 2022 në të cilin rreth 50 lopë ngordhën në një fermë në Sommariva del Bosco, Cuneo.
“Lopët u helmuan nga melekuqe e kultivuar”, tha Giantin, duke shpjeguar se bima normalisht nuk është vdekjeprurëse, por një thatësirë në atë kohë bëri që bima të zhvillonte “përqendrime shumë të forta” të acidit prusik, ose cianidit.
Kushtet si ngrirja ose thatësira e madhe dihet se shkaktojnë prodhimin e acidit prusik në melekuqe dhe bimë të tjera.
Artikulli është verifkuar edhe nga kolegët e organizatave të tjera fakt verifikuese në botë, ku është provuar me fakte se lopët kanë ngordhur nga helmimi dhe jo nga vaksinimi.