BallinaFaktometerE PavërtetëLleshaj: Nuk ka shans që të ketë kultivim kanabisi, është çështje e mbyllur

Lleshaj: Nuk ka shans që të ketë kultivim kanabisi, është çështje e mbyllur

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në emisionin “Opinion” më 12 maj u shpreh se fenomeni i kultivimit të kanabisit është çështje e mbyllur. Ai e argumenton këtë me uljen e çmimit të kanabisit në “kulme historike”. Por një ditë para kësaj deklarate, në 11 maj, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela raportoi se ka një rritje të kultivimit të kanabisit. FRONTEX gjithashtu në raportin vjetor të vitit 2019 e konsideron Shqipërinë si vend prodhues në masë të tij.


Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj vijon të shprehë bindjen se fenomeni i
kultivimit të kanabisit në Shqipëri është “histori e së shkuarës”.

Në emisionin “Opinion” në TV Klan më 12 maj ai tha: Fakti që çmimi i kanabisit është në kulme historike dëshmon se është tentativë e vdekur. Nuk ka shans që të ketë kultivim. Ky fenomen është i përfunduar, çështje e mbyllur. Shanset për të pasur sukses në tentativat për kultivimin e kanabisit në Shqipëri janë në minimumin historik, sepse janë shtuar kapacitetet monitoruese të Policisë së Shtetit me disa-fish.

Por Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela në raportimin në Parlament për gjendjen e kriminalitetit në vend për vitin 2019, më 11 maj ngriti shqetësimin mbi shtimin e kultivimit të kanabisit.

Kemi vënë re një rritje të fenomenit të kultivimit të narkotikëve në Krujë, në Vlorë, në Gjirokastër. Për të pasur një përgjigje të qartë, pse ka ndodhur kjo rritje e fenomenit përgjatë vitit 2019, unë po ju them se nuk ka sot një dokument zyrtar për të analizuar shkaqet reale pse kjo ka ndodhur. Unë e kam parë si një të dhënë shqetësuese dhe patjetër që do të jetë një nga prioritetet e veprimtarisë gjatë vitit 2020, u shpreh kryeprokurori Çela.

Shqipëria, vijon gjithashtu të konsiderohet si burimi kryesor i prodhimit të kanabisit, i cili trafikohet në vendet fqinje dhe në Evropën Perëndimore dhe Qendrore sipas raportit të FRONTEX, misioni i BE-së për ruajtjen e kufijve, për vitin
2019.

Kanabisi është droga me më shumë përdorim në Europë. Plantacionet e kultivimit si dhe konfiskimet raportojnë Ballkanin dhe më kryesisht Shqipërinë si burimin kryesor të kanabisit të eksportuar në vendet fqinje nëpërmjet rrugëve tokësore, në Europën Qendore dhe Perëndimore duke përdorur edhe skafe, thuhet në raportin e FRONTEX.

Raporti i FRONTEX

Gjithashtu, Drejtoria e Inteligjencës Antimafia italiane, në raportin për gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, e konsideroi Shqipërinë si vend prodhues në masë të kanabisit.

Prodhimin e kanabisit në masë në Shqipëri e konfirmoi edhe një përgjigje nga Policia e Greqisë për “Faktojes” ku raportohej se gjatë vitit 2019 ishin kapur 5,589 kg lëndë narkotike e këtij lloji, me prejardhje nga Shqipëria.

Raportimet e institucioneve ndërkombëtare, por edhe atyre vendase që kanë në fokus krimin dhe kultivimin e lëndëve narkotike, ndryshe nga sa ministri i Brendshëm Lleshaj pretendon, vijojnë ta konsiderojnë Shqipërinë si vend prodhues në masë të kanabisit.

Në referim të deklaratës së kryeprokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, Raportit të FRONTEX si dhe të raporteve më të hershme nga Policia e Greqisë dhe DIA e Italisë, deklaratën e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj do e kategorizojmë si “të pavërtetë”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img