Pretendimi: Pfizer ka publikuar këtë listë zyrtare 9-faqëshe të efekteve anësore të vaksinës anti-Covid.
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————
Një listë që po qarkullon në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se është lista zyrtare 9-faqëshe të efekteve anësore të vaksinës anti-Covid e bërë publike nga prodhuesi farmaceutik Pfizer. Postimi rendit një listë me të paktën 47 efekte anësorë, të cilat sillen si provë se ata që nuk pranuan të vaksinohen gjatë pandemisë kishin të drejtë.

Ndër efektet anësore të pretenduara janë një sërë sëmundjesh kërcënuese për jetën, si dështimi i zemrës, dëmtimi i mëlçisë dhe goditja në tru.
Si zakonisht, pretendimi nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë.
Së pari, lista nuk është e re, dhe as Pfizer nuk e “publikoi” atë, siç pretendon postimi.
Një listë e ngjashme u shfaq në një artikull të vitit 2023 nga media argjentinase El Cronista, e cila citonte një artikull të vitit 2022 nga The South African. Këto artikuj pretendonin se Pfizer i kishte dhënë Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) një listë me mbi 1200 efekte anësore të mundshme të lidhura me vaksinën.
Lista e dorëzuar në FDA përshkruante ngjarjet mjekësore të raportuara në tre muajt e parë pas autorizimit të vaksinës midis individëve të vaksinuar, por kjo nuk do të thotë që vaksina shkaktoi këto ngjarje. Përdorimi i termit “efekte anësore” në këto pretendime është dezinformues, pasi nënkupton një marrëdhënie shkak-pasojë që nuk është vërtetuar.
Lista buron nga një dokument i Pfizer i paraqitur FDA-së në fillim të vitit 2021 si pjesë e Aplikimit të kompanisë për Licencë Biologjike për miratimin e vaksinës COVID-19. Ky dokument përfshin Ngjarjet e Padëshiruara me Interes të Veçantë (AESI) të mbledhura nga agjencitë shëndetësore në 63 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Këto ngjarje të padëshiruara u mblodhën nga sistemet kombëtare të raportimit, siç është Sistemi i Raportimit të Ngjarjeve të Padëshiruara të Vaksinës (VAERS) në ShBA dhe sistemi i Kartës së Verdhë në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa këto sisteme janë kritike për monitorimin e sigurisë së vaksinës, ato nuk mund të përdoren të vetme për të vendosur një lidhje shkak-pasojë midis vaksinimit dhe ngjarjeve mjekësore të raportuara. Siç Faktoje ka shpjeguar më parë, baza të dhënash të tilla janë të dobishme për identifikimin e modeleve, por kërkojnë hetime të mëtejshme për të përcaktuar shkakësinë.
Kushdo që ka qasje në internet mund të shtojë një raport në listën e raporteve të VAERS. Faqja e saj e internetit paralajmëron shprehimisht kundër përfundimeve të pajustifikuara bazuar në materialin VAERS sepse lista ofron vetëm një numër shënimesh të paverifikuara në lidhje me çdo ngjarje shëndetësore që njerëzit përjetojnë pasi vaksinohen.
Lista në vetvete nuk mund të përdoret për të vërtetuar ose përcaktuar shkakun, pasi gjithë çka tregon është një lidhje kronologjike midis vaksinimit dhe një ngjarjeje shëndetësore, jo një lidhje shkak-pasojë.
Vetë dokumenti sqaron në metodologji se rastet në këtë listë vijnë nga raporte spontane nga autoritetet shëndetësore, revistat mjekësore, programet dhe studimet e Pfizer, “pavarësisht nga vlerësimi i shkakësisë,” domethënë, pavarësisht nëse ekziston apo jo një marrëdhënie shkakësore e provuar.
Për më tepër, raporti paralajmëron shprehimisht se një grumbullim raportesh “nuk do të thotë domosdoshmërisht se një efekt i padëshiruar specifik është shkaktuar nga ilaçi”, kështu që shfaqja e një termi në listë nuk vërteton se vaksina e shkaktoi atë efekt.
Dokumenti i Pfizer i rendit këto gjendje mjekësore si “ngjarje të padëshiruara” dhe jo “efekte anësore”. Është e rëndësishme të dallohen këto terma. Sipas Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA), një ngjarje e padëshiruar përkufizohet si “çdo ngjarje e padëshiruar mjekësore tek një pacient ose subjekt i hetimit klinik, të cilit i është administruar një produkt farmaceutik dhe që nuk duhet domosdoshmërisht të ketë një marrëdhënie shkakësore me këtë trajtim.”






