Nga Erjola Azizolli
Gjatë pandemisë Covid-19, kur sistemi shëndetësor në vend përballej me mungesë personeli dhe rritje të ngarkesës në spitale, auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidentoi problematika në administrimin e marrëdhënieve të punës në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Në raportin “Raport Përfundimtar Auditimi mbi përputhshmërinë në Spitalin Rajonal Durrës”, që mbulon periudhën 01.01.2019 – 31.01.2021, evidentohen masa disiplinore, ndërprerje të marrëdhënieve të punës dhe mungesë mekanizmash apelimi për personelin.
Masat disiplinore
Gjatë viteve 2019-2020, periudhë që përkon edhe me pandeminë Covid-19, auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidentoi problematika në administrimin e marrëdhënieve të punës në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Sipas raportit, gjatë vitit 2019 në spital janë dhënë 75 masa disiplinore, ndërsa gjatë vitit 2020 janë dhënë 38 masa të tilla. Nga auditimi i procedurave, KLSH konstaton se “këto procedura nuk janë transparente, dhe nuk ka komision apelimi për dhënien e masave disiplinore”.
Në të njëjtën periudhë janë ndërprerë marrëdhëniet e punës për 68 punonjës gjatë vitit 2019 dhe për 79 punonjës gjatë vitit 2020. Referuar të dhënave të raportit, “në pjesën më të madhe të rasteve” ndërprerja e marrëdhënieve të punës është bërë me arsyen “dorëheqje”.
Auditimi evidenton se nga numri total i ndërprerjeve të marrëdhënieve të punës në vitin 2019, “kanë dhënë dorëheqjen 41% infermierë/laborantë dhe 25% mjekë”. Ndërsa për vitin 2020, “kanë dhënë dorëheqjen 31% infermierë/laborantë dhe 22% mjekë”.
Po ashtu, referuar të dhënave për masat disiplinore, KLSH konstaton se për vitin 2019, “60% e masave disiplinore i janë dhënë infermierëve/laborantëve dhe 8% mjekëve”, ndërsa për vitin 2020 “18% e masave disiplinore i janë dhënë infermierëve/laborantëve dhe 10% mjekëve”.
Grupi i auditimit vlerësoi se “situata e krijuar në Spitalin Rajonal Durrës, për shkak të masave disiplinore të dhëna pa kriter dhe pa mundësi apelimi, mund të ndikojë në performancën e punës, në motivimin e punonjësve”.
Sipas raportit, “duke pasur parasysh dhe periudhën e pandemisë Covid-19, ku nevoja për mjekë është jashtëzakonisht e rëndësishme, situata e krijuar në SRD ndikon negativisht në plotësimin e nevojave emergjente për staf të specializuar”.
“Lidhur me gjetjet e auditimit, Faktoje iu drejtua Spitalit Rajonal të Durrësit me kërkesë për informacion më 14 prill 2026, duke kërkuar sqarime mbi masat disiplinore, ndërprerjet e marrëdhënieve të punës, proceset gjyqësore dhe masat e ndërmarra pas rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në përgjigjen për Faktoje, Spitali Rajonal i Durrësit deklaroi se masat disiplinore janë marrë “në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rregulloren e brendshme të SRD-së”, ndërsa shtoi se “ekziston mekanizëm apelimi për çdo punonjës”.
Largimet e stafit mjekësor dhe konfliktet në marrëdhëniet e punës në Spitalin Rajonal të Durrësit kanë ardhur në një periudhë kur sistemi shëndetësor në Shqipëri përballet prej vitesh me mungesë personeli dhe largim të bluzave të bardha.
Alma Lahaj, eksperte pranë “Together for Life” organizatë që monitoron të drejtat e pacientëve dhe problematikat në sistemin shëndetësor, vlerëson se reduktimi i stafit gjatë pandemisë ka sjellë “mbingarkesë dhe presion për personelin e mbetur”, duke ndikuar edhe në cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve.
Ndonëse në raport një pjesë e madhe e ndërprerjeve të marrëdhënieve të punës justifikohen me “dorëheqje”, shifrat e evidentuara nga auditimi tregojnë një nivel të lartë lëvizjesh të personelit në Spitalin Rajonal të Durrësit gjatë periudhës së pandemisë. Vetëm në dy vite, nga spitali u ndërprenë marrëdhëniet e punës për 147 punonjës, mes tyre mjekë, infermierë dhe staf mbështetës.
“Ndërsa lidhur me largimet e stafit, Spitali Rajonal i Durrësit deklaroi se ndërprerjet e marrëdhënieve të punës janë trajtuar “në nivel administrativ”, sipas procedurave standarde të institucionit.
Përgjigja
Në përgjigjen për Faktoje, spitali sqaroi se gjatë viteve 2019-2020 masat disiplinore ndaj stafit mjekësor janë marrë për një numër më të kufizuar punonjësish krahasuar me të dhënat e evidentuara në raportin e KLSH-së, duke specifikuar se “për vitin 2019 – 54 persona nga stafi mjekësor (infermier, mjek, farmacist, teknik laboratori). Për vitin 2020 – 5 persona nga stafi mjekësor (mjek, infermier, farmacist)”.
Largimet nga puna dhe konfliktet në marrëdhëniet e punës nuk kanë qenë të panjohura për Spitalin Rajonal të Durrësit edhe gjatë periudhës së marrë në shqyrtim nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Auditimi evidentoi gjithashtu edhe procese gjyqësore që lidhen me ankimimin e ndërprerjeve të marrëdhënieve të punës. Sipas raportit, “29 punonjës i janë drejtuar gjykatave për ankimimin e ndërprerjeve të marrëdhënieve të punës”, ndërsa “për 6 raste procesi ka përfunduar në favor të punonjësve … me vlerë 7,849,110 lekë”
Në përgjigjen zyrtare, Spitali Rajonal i Durrësit deklaroi se “nuk është regjistruar asnjë proces gjyqësor nga stafi mjekësor për periudhën 2019-2020”.
Vendimet
Përtej problematikave në marrëdhëniet e punës, auditimi evidenton edhe dobësi në administrimin dhe funksionimin e institucionit. Sipas gjetjeve të KLSH-së, gjatë vitit 2019 Bordi i Spitalit Rajonal të Durrësit ka marrë 25 vendime, nga të cilat 9 në mënyrë qarkulluese, ndërsa gjatë vitit 2020 të 19 vendimet janë marrë në mënyrë qarkulluese. Auditimi konstaton se kjo mënyrë vendimmarrjeje “nuk mundëson pasqyrimin e mendimeve dhe diskutimeve të secilit prej anëtarëve të bordit”.
Ristrukturimi
Në të njëjtën periudhë, struktura organizative e spitalit është ndryshuar 12 herë. Sipas auditimit, këto ndryshime “krijojnë pasiguri dhe performancë të ulët lidhur me pozicionet e punës”, si në administratë ashtu edhe në stafin mjekësor.
Probleme janë evidentuar edhe në pasqyrat financiare të institucionit. Sipas raportit, në bilancin e vitit 2020 rezultonin 82 punonjës të larguar nga detyra, ndërsa nga verifikimet e auditimit rezultonin 79. Po ashtu, në bilanc ishin regjistruar 78 punonjës të rinj, ndërsa nga verifikimet rezultonin 73.
Ekspertja e “Together for Life”, Alma Lahaj, vlerëson se situata të tilla krijojnë “një klimë pasigurie dhe tensioni në vendin e punës”, ndërsa përfshirja e stafit mjekësor në procese gjyqësore sjell “stres psikologjik dhe shpërqendrim nga detyrat kryesore”. Sipas saj, pasojat reflektohen edhe tek pacientët, përmes “vonesave në shërbim” dhe ndikimit në cilësinë e kujdesit shëndetësor.






