Lezhë, familjet e pastreha 5 vite pas tërmetit

Bashkia: Presim financim nga qeveria, bonusi i qirasë vazhdon

1024

Shtatë familje të një pallati të dëmtuar nga tërmeti në Lezhë kanë pesë vite pa çati mbi krye. Pallati 71 në rrugën ‘Luigj Gurakuqi’ u shemb tre vite më pare, por nuk është rindërtuar. Bashkia e Lezhës ka buxhetuar rindërtimin e pallatit në buxhetin e vitit 2025, ndërkohë që familjet e pastreha marrin bonusin e qirasë. 

Esmeralda Topi

Lezha ishte një nga zonat më të prekura nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019. Në këtë qark u raportuan qindra familje të pastreha, mes të cilave edhe banorët e një pallati tre katësh në qendër të qytetit. Dëmtimi i pallatit 71 në lagjen ‘Besëlidhja’ (ose siç njihet ndryshe dhe Pallati te BKT) rreth pesë vite më parë la shtatë familje të pastreha. 

Asokohe, kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu premtoi rindërtimin e pallatit.  

Fakt 

Ky është viti i katërt që Faktoje verifikon ‘fatin’ e pallatit 71 në rrugën ‘Luigj Gurakuqi’ në Lezhë. Objekti u shemb tre vite më parë por rindërtimi nuk ka nisur ende. 

Lezhë, 15 tetor 2024

Pesë vite pas tërmetit tragjik, Bashkia ka financuar përmes buxhetit të vitit 2025 rindërtimin e pallatit, ndërkohë që familjet e pastreha vijojnë të marrin bonusin e qirasë. Rindërtimi i pallatit 71 në lagjen ‘Besëlidhja’ u përfshi në planin e investimeve të buxhetit 2025 në Bashkinë e Lezhës.

Burimi: Buxheti i Bashkisë Lezhë 2025

Sipas përllogaritjeve të bashkisë Lezhë, rindërtimi i pallatit do të kushtojë 76 milionë lekë. Nga verifikimet në terren deri më 11 shkurt, punimet nuk kishin nisur.

Alfrida Marku, anëtare e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Lezhës thotë se në Lezhë janë gjithsej 53 familje të pastreha pas tërmetit.

“Për 53 familje në Lezhë ende nuk ka zgjidhje për rindërtimin e banesave të tyre. Pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhen, Bashkia Lezhë ka pezulluar, pa asnjë shkak, gjatë vitit 2023, fondin prej 2 miliardë lekë të akorduar për rindërtimin.”, pohon Marku.

Në total, “mbi 20 miliard lekë janë tenderuar vetëm nga Bashkia Lezhë, deri më sot, për procesin e rindërtimit, por përkunder çdo logjike menaxhimi, këto fonde nuk kanë mjaftuar për të zgjidhur situatën e familjeve që vuajtën pasojat e tërmetit.”, përfundon ajo.

Cfarë ndodhi? 

Rindërtimi i pallatit 71 në Lezhë u mor përsipër nga Fondacioni Firdeus, përmes një marrëveshje të nënshkruar me Bashkinë e Lezhës. Palët nuk gjetën dakordësi. Bashkia thotë se Fondacioni u tërhoq nga financimi por pa dhënë arsyet. 

Ne ju drejtuam Fondacionit Firdeus dhe drejtuesit Elvis Naçi për të mësuar më shumë mbi këtë çështje, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje. 

Më tej Bashkia e Lezhës kërkoi ndihmën e pushtetit qendror për financimin e pallatit. Këtë vit, rindërtimi i pallatit u buxetua në buxhetin e Bashkisë Lezhë.

Përfundim

Bazuar në informacionet e mbledhura dhe verifikimet në terren, premtimin e kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, për rindërtimin e pallatit 71 në lagjen Besëlidhja, do ta kategorizojmë pjesërisht të mbajtur. 

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Shënim: Më 11 shkurt 2025 Faktoje.al rishikoi artikullin duke reflektuar ndryshime në përmbajtje dhe kategorizimin e premtimit, pasi rindërtimi i pallatit 71 në lagjen 'Besëlidhja' u përfshi në planin e investimeve të buxhetit 2025 në Bashkinë e Lezhës. 

Në artikullin e publikuar në datë 18.10.2024 në lajmin me titull “Lezhë, familjet e pastreha 5 vite pas tërmetit” kemi shkruar:

Familjet e pastreha vijojnë të marrin bonusin e qirasë. Por rreth pesë vite pas tërmetit tragjik, Bashkia nuk është në gjendje të japë një afat mbi fillimin e punimeve. Shkak për këtë situatë është mungesa e financimit.

“Bashkia Lezhë ka bërë kërkesë për financim për ndërtimin e këtij objekti me qëllim sigurimin e strehimit për banorët e prekur nga tërmeti dhe jemi në pritje të financimit.”, pohon Bashkia e Lezhës.

Më 10 shkurt 2025, kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu kërkoi ndryshimin e artikullit me këtë argument:

Bashkia e Lezhës ka buxhetuar rindërtimin e pallatit për vitin 2025 fundvitin e kaluar.  

Pas kësaj kërkese, më 11 shkurt Faktoje pasi bëri verifikimin e buxhetit të bashkisë Lezhë, bëri korrigjimin e lajmit dhe kategorizoi premtimin si pjesërisht të mbajtur.