.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëLezha me rrugët skandaloze nëpër lagje pret të "ridizenjohet" në vitin 2021

Lezha me rrugët skandaloze nëpër lagje pret të “ridizenjohet” në vitin 2021

Mes premtimeve të vagullta gjatë fushatës pa garë për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, kandidati për kryetar të bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu u zotua për një ridizenjim të plotë të qytetit nga ana infrastrukturore. Kur ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga marrja e detyrës, Faktoje bëri një verifikim se çfarë ka ndodhur me këtë premtim të zotit Ndreu.


25 qershor 2019, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë Lezhë, zoti Pjerin Ndreu, në një intervistë për ERTV shpalosi disa nga planet e tij për qytetin. Ndërsa kishte shkuar në lagjen Besëlidhja, ai theksoi:

“Ne do të marrim në dorë komplet qytetin. Do e ridizenjojmë dhe do investojmë komplet me një ndryshim radikal. Po kështu do të ndërhyjmë në të gjitha zonat, të cilat janë në gjendje katastrofë.” – tha ish-deputeti i PS.

Gjatë intervistes së zotit Ndreu për ERTV në lagjen Besëlidhja, 25 qershor 2019

Lagjja Besëlidhja, 25 qershor 2019

Lagjia Besëlidhja, 25 qershor 2019

“Faktoje” shkoi më 27 tetor 2020 në qytetin e Lezhës për të verifikuar se çfarë kishte ndodhur me premtimin për ridizenjimin e qytetit dhe çfarë investimesh parashikoheshin. Fillimisht u drejtuam në lagjen Besëlidhja, nga ku zoti Ndreu artikuloi premtimin në 25 qershor të vitit të kaluar.

Zonën e gjetëm pak më të sistemuar, me rrugën që ishte shtruar me asfalt, por përtej kësaj nuk ishin bërë ndryshime madhore dhe as ridizenjime në lagjen Besëlidhja.

Lagjia Besëlidhja, 27 tetor 2020

Lagjia Besëlidhja, 27 tetor 2020

Pasi pyetëm banorë të zonës, u informuam se edhe ato pak ndryshime, nuk ishin bërë nga bashkia.

“Kjo nuk është zonë për t’u rehabilituar. Këtu është një kompleks, me pallate të reja të banuara. Edhe rrugën që e sheh aty e ka bërë firma, edhe zonën këtu rretheqark. Bashkia s’ka pasur çfarë të bëjë se i ka bërë firma.” – tha një banor i moshuar i lagjes Besëlidhja.

Lagjia Besëlidhja, 27 tetor 2020

Lagjia Besëlidhja, 27 tetor 2020 

Edhe një zonjë e moshuar, banore e njërit prej pallateve në këtë lagje, mohoi që të ishte ndërhyrë nga autoritetet vendore.

“Këtu s’është vënë dorë asnjëherë. Ja shihe vetë situatën, siç është, kështu ka qenë. Këtë pjesën këtu e kanë shtruar vetë dhe përmbytet sa herë bie shi. Na vjen uji deri tek ashensori, duhet me u fut me cizme. Mjerë ne që jetojmë këtu.” – ankohet ajo.

Lagjia Besëlidhja, 27 tetor 2020

Pas lagjes Besëlidhja, shkuam edhe në dy zona të tjera në qytetin e Lezhës, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje infrastrukturore, përkatësisht tek zona e spitalit dhe tek lagjja Skanderbeg. Rruga pranë zonës së spitalit, është e shtruar vetëm me gurë.

Rruga tek zona e spitalit, 27 tetor 2020

Një banor i kësaj lagjeje na tregon për vështirësitë që hasin jo vetëm banorët, por edhe turistët kur i ngjiten rrugës për të shkuar në kalanë e Lezhës.

Rruga tek zona e spitalit, 27 tetor 2020

“Kjo rrugë është 200 metra, ka nevojë urgjente për t’u shtruar. E kemi shtruar vetë me granil se s’kishim ç’të bënim. Këtu kalojnë edhe turistët për në kala. Me këmbë, se me makinë nuk kalohet. Bashkia e re, kjo që erdhi premtoi që do e bënte, por ra pandemia dhe nuk u bë. U bë 1 vit. Janë 200 shtëpi që janë në këtë zonë, detyrohen të kalojnë në këtë rrugë. Këtu ka rënë zjarr dhe as zjarrfikësja nuk është futur dot. Nëse do jetë nevoja, as ambulanca s’mund të futet.” – u shpreh ai për “Faktoje”.

Rruga tek zona e spitalit, 27 tetor 2020

Më pas u drejtuam edhe tek zona e ish-Frutores, me rrugë në gjendje të mjeruar.

Bllok banimi në zonën e ish-Frutores, 27 tetor 2020

Gropë e hapur në zonën e ish-Frutores, 27 tetor 2020

“Shihe si e ka lënë kryetari i bashkisë i Edi Ramës. Rrezik me u perplas dhe makinat njëra me tjetrën. Kam shku i kam thënë dje, hajde viji nja dy tre tuba ose më lej ta marr fadromën vetë e ta shtroj.

Në këtë rrugë s’është vënë dorë kurrë, çdo lloj partie, cdo lloj pushteti që në kohën e Enver Hoxhës. E kemi mbush ne familjarët. Këtu mund të jenë 70-80 shtëpi. 200 metra rrugë është dhe s’ka kush e shtron. Mbushet me ujë komplet kjo zonë, e gjithë lagjja na e sjell ujin deri tek shtepia.

Edhe për këtë gropën. Kanë shkuar familjarët, janë ankuar dhe kanë ardhur e kanë hapur e shihe si është. Ka rreth dy javë që e kanë hapur, kur ra ai shiu i madh dhe nuk e kanë prekur më. Shihe, të kallzon pamja vetë si është. Me ra shi prap, këtu bëhet det.” – tha një banor i zonës për “Faktoje”.

Gropë e hapur në zonën e ish-Frutores, 27 tetor 2020

Bllok banimi në zonën e ish-Frutores, 27 tetor 2020

Ne pyetëm zyrtarisht Bashkinë Lezhë se në cilat rrugë kishte planifikuar ndërhyrje infrastrukturore, si dhe në cilat prej tyre këto ndërhyrje ishin kryer tashmë. Në përgjigjen e datës 13 nëntor, thuhet:

“Në fillim të vitit 2021 pritet që krejt qyteti Lezhë dhe zona të afërta t’i nënshtrohen ndërhyrjeve në infrastrukturë për përmirësimin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza me studion gjermane K.F.W. Ndaj, punimet infrastrukturore do zhvillohen në harmoni me përmirësimin e rrjetit nëntokësor.”

Përgjigja e Bashkisë Lezhë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img