Pretendimi: Kjo video tregon presidentin amerikan Donald Trump duke lavdëruar kryeministrin kosovar Albin Kurti
Verdikti: Gjeneruar me AI
—————————————————
Disa ditë përpara zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 9 shkurt 2025, një video që ka marrë mbi 2 mijë pëlqime dhe është shpërndarë mbi 2 mijë herë në Facebook duket se tregon presidentin amerikan Donald Trump duke lëvduar kryeministrin kosovar Albin Kurti.
Në video, Trump dëgjohet të thotë: “Albin Kurti është një lider i fortë, parimor, që qëndron i palëkundur kundër korrupsionit dhe krimit. Përkushtimi i tij ndaj sovranitetit dhe begatisë së Kosovës është i admirueshëm. Unë e mbështes udhëheqjen e tij të palëkundur dhe përkushtimin ndaj drejtësisë, demokracisë dhe interesat e popullit. Unë e mbështes udhëheqjen e tij të palëkundur dhe vizionin e tij për një Kosovë të fortë, të begatë dhe sovrane.”
Video e mësipërme duket me sy të parë se është e manipuluar. Kjo duket veçanërisht në pjesën e gojës, e cila lëviz në mënyrë të panatyrshme. Ajo është gjeneruar me anë të teknologjisë deepfake, e cila manipulon shprehitë e fytyrës.
Më pas, videos i është shtuar audio lavdëruese me zërin e Trump. Megjithatë, as veshëve nuk duhet t’u besoni ende.
Zëri karakterisitik i Trump ka arritur të imitohet nga një sërë programe të inteligjencës artificiale (AI) duke i dhënë mundësinë çdokujt ta bëjë Trump të thotë çfarëdo.
Në pak sekonda, dhe falas, Faktoje gjeneroi videon e mëposhtme:
Video është krijuar në kontekstin e një kundërpërgjigje për deklaratën e Richard Grenell, i dërguari i Donald Trump për misione të posaçme, i cili më 5 shkurt e quajti qeverinë Kurti partnerë jo të besueshëm. Djali i presidentit amerikan, Donald Trump Junior, duket se është pajtuar me ketë deklaratë, duke e rishpërndarë atë në Twitter.
Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë një video të ngjashme ku aktori Morgan Freeman duket se fliste në mbështetje të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë
Video e manipuluar është verifikuar gjithashtu si e rreme edhe nga kolegët tanë në Kosovë të Kallxo.com