Pretendimi: Ish-presidenti amerikan Barack Obama pranoi se ISIS u krijua nga CIA dhe u financua nga ShBA.
Verdikti: Mungon konteksti
Video e një fjalimi të ish-presidentit amerikan Barack Obama po qarkullon në rrjete sociale me pretendimin se, në të, Obama pranon se ISIS u trajnua nga ShBA. Ky fragment risillet ditët e fundit duke e lidhur ShBA si përgjegjëse për sulmin terrorist në Rusi, pjesë e propagandës ruse që fajëson Ukrainën dhe aleatët e saj për këtë ngjarje të rëndë të marrë përsipër nga ISIS.
Në klipin e mësipërm, Obama dëgjohet të thotë:
“Siç kam thënë më parë, ky aspekt i strategjisë sonë po lëvizte shumë ngadalë. Por rënia e Ramadit e ka nxitur qeverinë irakene. Kështu, me hapat shtesë që urdhërova muajin e kaluar, po përshpejtojmë trajnimin e forcave ISIL, përfshi edhe vullnetarë nga fiset Sunni në Provincën Anbar.”
Me anë të motorit të kërkimit Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme është shkëputur nga një fjalim që Obama, në atë kohë president i ShBA, dha më 6 korrik 2015. Në të, Obama flet mbi strategjinë e ShBA kundër ISIS.
Në arkivin zyrtar, deklarata e Obamës është zbardhur kështu:
“Ndërkohë, ne vijojmë të rrisim trajnimin dhe mbështetjen e forcave vendase që po luftojnë ISIL në terren. Siç kam thënë më parë, ky aspekt i strategjisë sonë po lëvizte shumë ngadalë. Por rënia e Ramadit e ka nxitur qeverinë irakene. Kështu, me hapat shtesë që urdhërova muajin e kaluar, po përshpejtojmë trajnimin e forcave ISIL [irakene], përfshi edhe vullnetarë nga fiset Sunni në Provincën Anbar.”
Kështu, në klipin e mësipërm mungon fjalia e parë e këtij paragrafi, në të cilën Obama flet specifikisht për luftën kundër ISIL duke ndihmuar dhe financuar rezistencën vendase. Fiset Sunni në Anbar konsideroheshin si aktorë të rëndësishëm në luftën kundër ISIL në terren.
Më tej, në zbardhjen zyrtare fjala “ISIL”, kur dëgjohet në klip, pasohet nga fjala “irakene” vendosur në kllapa katrore. Kjo tregon se Obama ka thënë gabimisht “forcat e ISIL”, në vend të “forcat irakene”.
Video që po qarkullon tregon presidentin Obama duke bërë një lapsus gjatë deklaratës së tij mbi luftën kundër ISIL, jo duke pranuar se ISIL financohet nga CIA, apo ShBA.