.

.

BallinaPertejLaçi në “emergjencë” shëndetësore që prej tërmetit të nëntorit 2019

Laçi në “emergjencë” shëndetësore që prej tërmetit të nëntorit 2019

Dy vite pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit, banorët e qytetit të Laçit nuk kanë ende një spital. Ata marrin shërbim vetëm në raste emergjente në një qendër bamirësie të përshtatur si urgjencë dhe më pas dërgohen në Lezhë ose Tiranë. Qendra nuk ofron as kushtet minimale për ofrimin e shërbimeve ku aktualishr punojnë dy mjekë dhe disa infermierë, të cilët të frikësuar të flasin hapur për kushtet ku punojnë, e pranojnë se situata është sfilitëse.

…………………………………………

“Edhe aty ku vështirësitë kanë qenë të mëdha për shkak të dëmtimit të godinave shëndetësore si pasojë e tërmetit, shërbimi nuk ka munguar për asnjë moment. Ne kemi siguruar kushte të përshtatshme në rrethanat e krijuara, por stafet tona mjekësore po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në terren, që qytetarët të marrin shërbimin e duhur, në kohë dhe me cilësi. Në urgjencën e re të përkohshme të spitalit të Laçit shërbimi është kthyer në normalitet”, shkruante Manastirliu në Facebook më 17 dhjetor të 2019-s.

Screenshot nga postimi i ministres në Facebook

Këtë postim ministrja e shoqëronte me një video, ku personeli mjekësor dëshmonte se godina e re e urgjencës ofronte shërbim 24 orë dhe kushte optimale për qytetarët.

2 vite pas tërmetit, ne i gjetëm mjekët të shërbenin në të njëjtën qendër bamirësie të improvizuar si urgjengjë/spital dhe sfilitja nga mungesa e kushteve u dallohej në fytyrë. Ata mezi presin të punojnë në spitalin, i cili ende nuk është rindërtuar.

Aktualisht qytetarët e Laçit po marrin shërbim në qendrën “Fara Mirësie”, e cila shërben si urgjencë për një komunitet prej 80 mijë banorësh. Faktoje shkoi në këtë qendër më 17 nëntor për të parë si funksiononte ajo dhe çfarë shërbimesh ofrohen për pacientët.

Urgjenca e Laçit, 17 nëntor 2021

Gjatë bisedës me anëtarë të stafit mjekësor konstatuam se kushtet e punës ishin  mjaft të vështira. Infermieret e urgjencës, që mbajnë edhe peshën kryesore në këtë qendër, na treguan se prej 2 vitesh nuk po arrijnë të ofrojnë shërbimin e duhur për pacientët. “Urgjenca” nuk ka as pajisjet dhe as hapësirën e duhur për t’i ofruar këto shërbime.

Infermierët na bënë të ditur gjithashtu se pacientët marrin vetëm një shërbim minimal dhe më pas dërgohen me urgjencë drejt spitalit të Lezhës apo Tiranës.

Në urgjencë janë 2 mjekë (një prej tyre pediatër) dhe shefi i urgjencës, ndërsa pjesa tjetër e stafit janë infermierë.

Pamje brenda urgjencës së Laçit, 17 nëntor 2021

“Kjo shërben vetëm si urgjencë, marrin ndihmën e parë pacientët dhe më pas i dërgojmë drejt spitalit të Lezhës dhe Tiranës. Ata që kanë nevojë për shtrim i dërgojmë drejt këtyre qyteteve, nuk kemi kapacitete që të funksionojmë si spital. Pra ne i japim ndihmën e shpejtë dhe më pas i dërgojmë me ambulancë.

10 krevate kemi të salla më e madhe, 3 të pediatria, 4 te dhoma tjetër, imagjinojeni si mund të ofrojmë shërbim në këto kushte.

Për rastet me Covid kemi një dhomë të ndarë, por bëjmë vetëm matjen e oksigjenit dhe rastet e vështira i çojmë në Tiranë” – konfirmoi një nga infermierët për Faktoje.

Pamje brenda urgjencës së Laçit, 17 nëntor 2021

Një tjetër infermiere shtoi:

“A bëhen lindje aty? Vjen tjetri urgjent të ‘shpërthen’ derën se ka edhe ai rast urgjent. Urojmë të bëhet spitali sa më shpejt!

Ka raste që nuk na del as personeli, sepse kemi shumë urgjenca që nisim drejt Tiranës. Kushtet e ambulancës janë më tmerr. Ambulanca nuk ka asgjë brenda, asnjë pajisje bazë për pacientët”

Mungesa e një spitali të mirëfilltë për banorët e qytetit të Laçit ka qenë shpeshherë në fokusin e Faktoje.

Në qershor të vitit 2020, Faktoje raportoi se si mjekët e Laçit, që mbulojnë nevojat e 80 mijë banorëve, ishin zhvendosur në një qendër bamirësie të improvizuar si spital dhe punonin në kushte lufte.

“Në një hapësirë krejt të pamjaftueshme për një spital, u shërbehet pacientëve, priten rastet e urgjencës, kryhen vizitat dhe vijnë në jetë foshnjat, duke sfiduar edhe kërcënimin nga pandemia e Covid-19”, raportonte Faktoje në 2020-n.

Pamje brenda urgjencëssë improvizuar  në Laç, qershor 2020

Ndërsa në qershor të 2020-s, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur për Faktoje se spitali i Laçit do të ishte gati në shtator të këtij viti. Por edhe në dy vjetorin e fatkeqësisë natyrore, Laçi gjendet në emergjencë shëndetësore në pritje të rindërtimit të spitalit.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img