Pretendimi: Kjo video tregon një emigrant maroken që filmon veten duke notuar drejt Ceutës dhe kalon në mënyrë të paligjshme në Spanjë.
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————
Një video që duket se po tregon një djalë që filmon veten duke notuar po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, me pretendimin se ai është një emigrant maroken që po noton drejt Ceutës, enklavës spanjolle në Afrikën e Veriut.

Në fund të korrikut 2026, rreth 50 mijë emigrantë marokenë kaluan kufirin në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, në një fluks masiv që i mbingarkoi autoritetet lokale. Autoritetet spanjolle kanë numëruar të paktën 72 të vdekur, ndërsa Shoqata Marokene për të Drejtat e Njeriut thotë se numri i të vdekurve është afër 130, përveç dhjetëra personave të zhdukur. Rreth njëmijë të mitur mbeten në Ceuta, duke qëndruar pa familjet e tyre në një vend të huaj.
Megjithatë, djali në video nuk është një prej këtyre emigrantëve.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në Instagram më 30 korrik nga përdoruesi @lgochi_____07.

Vërehet se përdoruesi, një notar i quajtur Yassine Igochi, ka etiketuar videon me vendndodhjen “El Jadida”, një qytet maroken rreth 400 km larg Ceutës. Përdoruesi ka postuar edhe video të tjera të tij duke notuar në det.
Në një video tjetër ai shpjegon se imazhet virale nuk janë filmuar në Ceuta, por në El Jadida.
“Djema, siç mund ta shihni, unë jam në të njëjtin vend si në videon që u bë virale. Unë jam ende në El Jadida, në fakt nuk kam ikur kurrë që këtej […] Njerëzit mendojnë se është Ceuta, por nuk është Ceuta apo diçka e tillë. Unë jam thjesht në El Jadida, nuk kam ikur kurrë që këtej në tërë jetën time”, tha ai në arabisht.
Në profilin e tij, notari ndau një deklaratë që i kishte dhënë medias marokene Al3omk, duke shpjeguar se kishte postuar video si zakonisht “derisa, pasi postova atë video, hasa sulme nga faqet e internetit jo-marokene”. “Kanalet zyrtare përhapën lajmin se kisha kaluar ilegalisht kufirin, por unë thjesht po notoja i qetë në qytetin tim. Nuk kam shkuar askund, as nuk kam kaluar në Spanjë apo diçka të tillë; unë thjesht po praktikoj pasionin tim për notin”, deklaroi ai.
Me anë të Google Maps dhe Google Street View, vendndodhja e notarit në video mund të konfirmohet më tej si qyteti El Jadida. Ndërtesa e dukshme në sfond të videos është struktura e njohur si ‘La Porta da Ribeira’, një nga portat historike të qytetit të vjetër portugez të Mazagan, tani El Jadida.

Faktoje ka përgënjeshtruar një numër pretendimesh të tjera rreth emigrantëve marokenë në Ceuta.






