Gazeta serbe Blic nuk i kushtoi kopertinën goditjes së Kurtit me vezë

16

Pretendimi: Gazeta serbe Blic ka publikuar në kopertinë goditjen e kryeministrit kosovar me vezë nga deputetja Time Kadrijaj

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

Një imazh që po qarkullonrrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon kopertinën e gazetës serbe Blic të datës 8 gusht 2026 ku spikat raportimi i goditjes së kryeministrit kosovar Albin Kurti me vezë nga deputetja Time Kadrijaj.

Gjatë seancës së 8 gushtit në Kuvendin e Kosovës, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Megjithëse incidenti u raportua gjerësisht, përfshi në një artikull të gazetës Blic më 8 gusht, ai nuk u shfaq në faqen e parë të saj. Në faqen zyrtare të gazetës, buletini i 8-9 gushtit 2026 shfaqet me një kopertinë krejt të ndryshme nga imazhi i mësipërm.

Ndërkaq, imazhi që po qarkullon në rrjete sociale është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.

SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.

Pretendime të njejta janë përgënjeshtruar edhe nga kolegët e Hibrid në Kosovë.