Pretendimi: Kjo foto tregon artistin anonim të rrugës Banksy, i identifikuar nga një hetim i Reuters si Robin Gunningham
Verdikti: Gjysmë e vërtetë
—————————————
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon imazhi i një burri që pretendohet se është artisti anonim i rrugës Banksy, i cili është identifikuar nga një hetim i Reuters si Robin Gunningham, një burrë rreth 50-vjeçar nga Bristoli, Angli.

Është e vërtetë se një raportim i Reuters më 13 mars bëri publike për herë të parë dokumente që konfirmojnë se Banksy është Robin Gunningham. Gunningham që atëherë ka marrë emrin David Jones, tha Reuters. Avokati i Banksy nuk e konfirmoi ose mohoi identitetin e artistit.
Megjithatë, foto e burrit në postim nuk përfshihet në hetimin e Reuters.
Duke raportuar gjetjet e hetimit të Reuters, mediat, përfshirë New York Post, The Sun dhe LADbible, së bashku me postimet në rrjete sociale, publikuan foton e burrit me flokë të thinjur dhe syze duke pretenduar se ai ishte Gunningham.
Reuters e ka përgënjeshtruar këtë pretendim, duke sqaruar se burri në foto është George Georgiou, një burrë 69-vjeçar nga Londra. Më 18 mars, Georgiou konfirmoi për Reuters se ai nuk është Gunningham.
Georgiou është i listuar në regjistrin e korporatave të Britanisë si ish-drejtor i biznesit të agjencisë së pasurive të paluajtshme të djalit të tij, Alex, përmes të cilit Reuters kontaktoi për herë të parë.
Në intervistën video, Georgiou tha se kishte marrë telefonata nga deri në 30 persona në ditë në lidhje me identitetin e tij të gabuar gjatë javës së fundit, dhe vëmendja është rritur dhe është bërë “tepër e madhe”.
“Unë nuk jam Banksy. Unë jam punëtor mirëmbajtjeje”, tha ai.
Fotografia e mësipërme është shkrepur në fund të marsit 2024, kur media e ngatërroi për herë të parë Georgioun me artistin e rrugës Banksy.
Georgiou i tha MailOnline në atë kohë se e ai po mbikëqyrte instalimin e një flete plastike mbi një mural të Banksy kur u shkrep foto. Murali ishte dëmtuar disa ditë pasi u shfaq për herë të parë në një pronë në veri të Londrës në pronësi të djalit të Georgiou. Aktet e regjistrimit të tokës të shqyrtuara nga Reuters konfirmojnë se ndërtesa ka qenë në pronësi të djalit, Alex Georgiou, për më shumë se një dekadë.
Georgiou gjithashtu mohoi të ishte Banksy në intervistën e vitit 2024.
“Tani është një shaka e vjetër,” tha ai për Reuters, duke shtuar se do të donte që njerëzit “të mos merren më me këtë tani” dhe të lihet i qetë.





