Pretendimi: Kjo video tregon arrestimin e kryeministrit Edi Rama

Verdikti: Gjeneruar me AI

——————————————————————————

Në rrjete sociale po shpërndahet një video që duket se tregon kryeministrin shqiptar Edi Rama teksa bllokohet nga një grup policësh gjatë një fjalimi publik. Teksti mbi pamjet konfirmon një arrestim të kryeministrit dhe postimi nuk shoqërohet me ndonjë shpjegim të mëtejshëm për origjinën e pamjeve. 

Qartazi kjo video nuk tregon një ndodhi reale. Nëse Rama do të ishte arrestuar vërtet, kjo gjë do të ishte raportuar gjerësisht në media.

Megjithatë, shikuesi skeptik do të kuptojë se video e mësipërme është gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale, bazuar në një numër elementesh të saj.

Vërrehet se logoja e Partisë Socialiste në podiumin përpara Ramës, në fakt i është mbivendosur videos pasi në mes të klipit, ajo zhduket. Gjithashtu, konstatohet një turmë spektatorësh të shpërfytyruar në sfond, të cilët duket se mbijnë nga toka. Më tej, vëmë re se një nga policët që duket se po arrestojnë Ramën ‘shndërrohet’ papritur në një grua nga turma në sfond.

Të gjitha gabime, veçanërisht fytyrat e shtrembëruara, janë tregues të videove dhe imazheve të gjeneruara me programe të inteligjencës artificiale (AI).

Kryeministri Rama nuk hezitoi të përdorte Inteligjencën Artificiale për të na uruar krah për krah Ismail Qemalit vitin e ri 2025, por tashmë duket se duhet të provojë dhe anën e errët të gjenerimit të imazheve kompjuterike.