.

.

BallinaBurokraciKuvendi i Shqipërisë-Dekreti i presidentit për paketën antishpifje vazhdon të jetë në kalendarin e punimeve

Kuvendi i Shqipërisë-Dekreti i presidentit për paketën antishpifje vazhdon të jetë në kalendarin e punimeve

Ina Allkanjari

Rreth tri javë pas kërkesës për informacion drejtuar Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të të ashquajturës paketë antishpifje, ky institucion na vendosi në dispozicion informacionin mbi ecurinë e nismës së ndërmarrë prej vitit 2019, duke anashkaluar pyetjen nëse do të miratohet një paketë e re “Anti-Shpifje” apo do të bëhen ndryshime në paketën ekzistuese.

Në përgjigjen për Faktoje, Kuvendi pranon që vijojnë diskutimet zyrtare për ndryshimet e ligjit për Median Audiovizive pasi thekson se ende nuk është shqyrtuar dekreti i Presidentit, i cili riktheu ligjin  me argumentin se cënon lirinë e shprehjes në Shqipëri.

Kërkesa për informacion drejtuar Kuvendit të Shqipërisë datë 1.04.2022

“Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në cilësinë e komisionit përgjegjës, në mbledhjet e dative 10, 11, 12 dhe 16 dhjetor 2019, ka shqyrtuar e në përfundim ka miratuar projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Ky projektligj është miratuar nga Kuvendi në seancë plenare më 18.12.2019, me ligjin 91/2019” – shkruan Kuvendi i Shqipërisë në përgjigjen për Faktoje.

Ky institucion konfirmon gjithashtu se dekreti i Presidentit vijon të mbetet në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit, por pa një datë për shqyrtimin e tij.

“Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Dekretin nr.11413, datë 11.01.2020 ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin nr.91/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”. Dekreti i Presidentin nr.11413, datë 11.01.2020 nuk është shqyrtuar”, – shkruan Kuvendi i Shqipërisë.

Screenshot, përgjigja e Kuvendit të Shqipërisë datë 20.04.2022

Faktoje vendosi të verifikojë sërish kalendarin e punimeve të Kuvendit, kësaj here për periudhën 18 prill – 6 maj 2022, ku evidentuam se Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e këtij ligji vijon të figurojë i parashikuar në kalendar.

Screenshot, kalendari i punimeve të kuvendit për periudhën 18 prill- 06 maj 2022

Më datë 7 prill Faktoje raportoi se për herë të parë, që nga shpallja e nismës së kontestuar të qeverisë, përfaqësues të maxhorancës u tërhoqën publikisht. I ftuar në konferencën e mbajtur nga Faktoje në 1 prill, nënkryetari i komisionit të Medias Petro Koçi, duke përdorur metaforën e ‘kolonelit që nuk u bë gjeneral’ konfirmoi se nuk do të ketë një paketë antishpifje.

“Përsa i përket çështjes së ligjit kundër shpifjes, nuk është në axhendë, sepse do të ishte në komisionin tonë, do të vinte te kalendari i komisionit tonë. Unë di të them se vullneti i maxhorancës i shprehur edhe nëpërmjet meje, është që kjo është një çështje e mbyllur tashmë përfundimisht pavarësisht se është dekreti në Kuvend. Di që heshtja është një mënyrë për të mos aprovuar diçka, pra për ta lënë njëherë e përgjithmonë.

Kujtoj rastet kur ne si Ministri e Mbrojtjes, kur kam qenë atje, i propozonim presidentit dekretimin e disa kolonelëve për t’u bërë gjeneralë dhe propozimi as nuk është refuzuar dhe as nuk është aprovuar, por do të thotë që ato persona nuk u bënë dot ndonjëherë gjeneralë! Kështu është dhe me këtë ligj, ky ligj nuk do të bëhet ndonjëherë general!”- u shpreh më herët Petro Koçi.

Kujtojmë se në datat 1 dhe 4 prill Faktoje pati një komunikim zyrtar me kryeministrinë përmes kërkesave për informacion ku interesoheshim nëse planifikohet të miratohet një paketë e re Anti-Shpifje apo do të bëhen ndryshime në paketën ekzistuese.

Kryeministria në datë 4 Prill solli këtë reagim: “Në përgjigje të kërkesës tuaj, dëshiroj t’ju informoj se në Kryeministri nuk rezulton të jetë depozituar ndonjë projektligj, për sa kërkoni”.

Faktoje në një artikull të datës 28 shkurt kishte verifikuar se deri në atë moment as nuk ishte depozituar ndonjë draft i ri për paketën antishpifje, ndërsa shqyrtimi i dekretit të persidentit për paketën e miratuar dy vite më parë ka mbetur ‘i ngrirë’. Nga ana tjetër kryeministria nuk ktheu asnjë përgjigje në atë kohë ndërsa përfaqësues të maxhorancës duke kërkuar të mos citohen, pranuan se nuk do të ketë një rikthim të kësaj pakete.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img