BallinaNë lupën e FakteveBullgaria ‘forcon’ kushtet ndaj RMV, pasojat rrezikojnë zvarritjen e integrimit të Shqipërisë

Bullgaria ‘forcon’ kushtet ndaj RMV, pasojat rrezikojnë zvarritjen e integrimit të Shqipërisë

Marjo Brakaj 

Bullgaria i vuri kusht Maqedonisë së Veriut përfshirjen e pakicave bullgare në kushtetutën e vendit, në këmbim të vetos ndaj integrimit në BE, gjë që mund të afektojë Shqipërinë pasi të dy vendet kanë aplikuar së bashku për anëtarësim. Shqipëria përgatitet të kërkojë ndarjen nga RMV, alternativë që mori mbështetjen e shumicës së të anketuarve në Këshillimin Kombëtar. Por një verifikim i Faktoje  me konsultimin e ekspertëve politologë, kryenegociatorin për intgrimin në BE Zef Mazi dhe përgjigjet zyrtare nga KE dhe qevria Bullgare dëshmon se shkëputja nga RMV në rrugën drejt BE-së më shumë e komplikon sesa e lehtëson procesin për Shqipërinë.

Pasi kryeministri Edi Rama e paralajmëroi në konferencën e fundvitit të shkuar, qeveria pyeti shqiptarët:

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është i lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut. Ka njerëz që thonë se aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE duhet të ndahet nga ai i Maqedonisë së Veriut, që vendi ynë të vlerësohet për meritat e veta. Të tjerë thonë që duhet të vazhdojmë të presim Maqedoninë e Veriut. Si mendoni ju?

Pjesa dërrmuese e të pyeturve (referuar rezultate që publikoi qeveria) u përgjigj, se Shqipëria duhet të ndahet nga Maqedonia e Veriut në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian nëse Konferenca e Parë Ndërqeveritare nuk mbahet brenda qershorit.

Rezultatet e “këshillimit Kombëtar”

Në fakt, gjasat që Shqipëria të ulet në tryezë me vendet e Bashkimit Europian brenda periudhës së presidencës franceze janë shumë të pakta.

Ishte qëndrimi i ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Teodora Gençovska në Forumin për Marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit që u mbajt në Sofje të martën më 26 prill që “shoi” shpresat se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mund të ulen së bashku në Konferencën Ndërqeveritare.

Është kusht i deklaratës së Kuvendit kombëtar bullgar dhe është konfirmuar nga Këshilli konsultativ për Sigurinë Kombëtare. Në këtë fazë është e rëndësishme që ky kusht të plotësohet para fillimit të negociatave” – tha Gençovska.

“Faktoje” pyeti në Ministrinë për Punët e Jashtme të Bullgarisë lidhur me qëndrimin për “të mos lëshuar pe” ndaj Maqedonisë së Veriut dhe pasojat me Shqipërinë.

“Bullgaria është e gatshme të mbështesë miratimin e Kuadrit Negociator për Shqipërinë dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare së parë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne mirëpresim angazhimin dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të çuar përpara agjendën e reformave të BE-së, duke përfshirë mbrojtjen e të drejtave tw pakicave. Krahas marrëdhënieve miqësore të fqinjësisë së mirë, vendet tona janë bërë aleate në NATO dhe Bullgaria shpreson që në të ardhmen të jemi partnerë edhe në BE” – tha Ministria e Jashtme bullgare, duke mos përmendur në asnjë moment Maqedoninë e Veriut.

Kjo, sipas vullnetit të “sovranit shqiptar” e qeverisë do të thotë se vendi do të kërkojë të ndahet nga Maqedonia e Veriut fill pas qershorit. Po sa e mundur është kjo?

Për kryesuesin e Grupit Negociator të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, Zef Mazi, të paktën kërkesa është legjitime.

“Ky është një hap krejtësisht legjitim, i justifikueshëm juridikisht dhe politikisht. Unë vetëm mund të shpresoj se do të marrim një datë për Konferencën. Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme. A do të ulemi brenda presidencës franceze apo asaj çeke që e pason? Këtë nuk jam në gjendje ta them! Unë dëshiroj që të ecet vetëm me “Planin A” – brenda kësaj presidence. Kjo do të kërkojë vendim politik. Që të mund të bëhet brenda këtij 6-mujori, vendimi duhet të merret në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm më 17 maj ose në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme më 24 qershor.” – argumentoi në një përgjigje për “Faktoje” – Zef Mazi.

Gjithsesi, për Mazin, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të ishin ulur tashmë bashkë në Tryezën e Konferencës së Parë Ndërqeveriatre.

“Ideale do të ishte që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të uleshin të dyja, qysh më herët në Tryezën e  Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Situata nuk është më e mira. Prioritetet e presidences franceze bëjnë fjalë vetëm për një Konferencë për Bashkëpunim Rajonal Ballkanik. Nuk jam në gjendje të them hollësi për të, se si do të jetë komplementariteti me integrimin.” – thotë Mazi.

PRECEDENTI I MOSNDARJES

Mirëpo shtetet pretenduese për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe udhëheqësit e tyre në këtë proces janë të ndërgjegjshëm për një rregull të pashkruar të “unionit”.

Ideja e mos-ndarjes është përdorur për herë të parë rreth 20 vite më parë, kur u ngul këmbë që dy kandidatë të atëhershëm të mos ndahen, por të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian. Ky qëndrim shënoi precedentin e “ndarjes” dhe “mos-ndarjes”. – shpjegon Mazi.

Nisur nga ky precedent, pedagogu dhe politologu Ilir Aliaj shprehet i bindur se, edhe nëse ndodh, kërkesa e Shqipërisë për t’u ndarë nga Maqedonia e Veriut do të refuzohet.

“Nuk besoj se do të ndodhë ndarja nga Maqedonia e Veriut.  Në procesin e negociatave do të vazhdojmë të jemi bashkë.” – pohon Aliaj.

Ngjashëm argumenton edhe politologu Alban Dafa.

“Shqipëria mund ta kërkojë, por nuk mendoj se një kërkesë e tillë ka ndonjë efekt në politikën e Bashkimit Europian apo të vendeve anëtare. Ka një qasje jo zyrtare të çiftëzimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk mendoj se do të ndryshojë.” – thotë Dafa.

EDHE LUFTA NË UKRAINË MUND TË DËMTOJË NEGOCIATAT

Për kryenegociatorin Zef Mazi, mësymja ruse në Ukrainë mund të ketë dy efekte për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Lufta në Ukrainë mund të ndikojë në dy drejtime: ose do të shpejtojë vendimin pozitiv të Bashkimit Europian për zgjerimin, ose do ta shtyjë atë përsëri, deri sa edhe ta bllokojë. Kjo e fundit nëse ndodh, nuk do të jetë hiç mirë. Situata e luftës duhet ta fashisë mungesën e oreksit të ndonjërit për zgjerim. Ajo duhet ta përshpejtojë atë, tani. Nuk bën asnjë kuptim, nuk ka argumentim të shëndoshë dhe të besueshëm që Shqipëria të vijojë të mbahet peng, të pësojë një dëm kolateral. Nuk përjashtohet as mundësia që ndonjë shtet anëtar të fshihet pas “mos-ndarjes” për arsye të parashtruara më lart.” – argumenton Mazi.

Politologu Aliaj beson se lufta në Ukrainë dhe zhvillimet gjeopolitike më shumë e dëmtojnë se e ndihmojnë Shqipërinë.

Shenjat, pas vizitës së Kryeministrit në Berlin, nuk duket se na japin optimizëm në këtë drejtim.” – thotë Aliaj.

“Faktoje”, me anë të një kërkese për informacion iu drejtua Komisionit Europian mbi mundësinë që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut dhe nwse “unioni” e mbështet këtë hap.

“Qëndrimi i Komisionit është i qartë. Presim me padurim nisjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me të dyja vendet, dhe mbajtjen sa më të shpejtë të Konferencës së Parë Ndërqeveritare.” – iu përgjigj Komisioni, interesimit të “Faktoje”

Pra, për komisionin të dy vendet duhet të vazhdojnë bashkë procesin e nisur.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka përdorur veton për të bllokuar Maqedoninë e Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian. Sofja konteston gjuhën dhe identitetin maqedonas duke kërkuar nga Shkupi që të pranojë “rrënjët bullgare” në identitetin e tyre. Bullgaria gjithashtu kërkon respektimin e të drejtave të bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut duke kërkuar përfshirjen e tyre në kushtetutën e këtij vendi, si popull shtet-formues.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img