Ofrimi i kushteve dinjitoze për të zhvilluar procesin mësimor për nxënësit është një premtim i përsëritur i zyrtarëve publikë. Faktoje bëri një verifikim në shkollën “Rushan Qevani” në fshatin Selvias, Bashkia Cërrik, ku prindërit ngritën shqetësimin për lagështirën në shkollë dhe mungesën e ngrohjes. Ata rrëfyen se detyrohen të çojnë vetë dru në shkollë për ngrohje, pasi në ato kushte është e pamundur të zhvillohet mësim.
————————————————–
“Gjendja fizike e shkollave kudo është katastrofike. Mungon jo vetëm ngrohja, por edhe gjërat më elementare. Një rast ulëritës është dhe shkolla ‘Rushan Qevani’ që ndodhet në Selvias. Shkolla është në pushtetin e lagështirës për shkak të degradimit të hidroizolimi”- shkruan ndër të tjera nw profilin e tij në Facebook deputeti i qarkut Elbasan, Luçiano Boçi.
Postimi i deputetit Luçiano Boçi në Facebook, 28 janar 2022
Duke qenë se çështjet e arsimit dhe kushtet në të cilat zhvillojnë mësim nxënësit janë me interes të lartë publik, Faktoje vendosi të verifikojë në terren si është situata në këtë shkollë.
Ne udhëtuam drejt shkollës “Rushan Qevani” në fshatin Selvias, pjesë e Bashkisë Cërrik më 23 shkurt, ku biseduam me mësues dhe prindër.
Sapo afrohemi në shkollën “Rushan Qevani”, vihet re në çdo kënd të ndërtesës, por edhe xhamat e thyer të dritareve. Dukej qartë që në këtë godinë nuk ishte vënë dorë prej vitesh.
Shkolla “Rushan Qevani”, 23 shkurt 2022
Gjatë komunikimit që patëm me mësues na u bë e ditur se kjo godinë është ngritur që në vitin 1985 dhe prej asaj kohe nuk është rikonstruktuar. E vetmja ndërhyrje sipas tyre ka qenë vjeshtën e vitit 2021 për izolimin e tarracës. Megjithatë kjo nuk e ka penguar depërtimin e lagështirës përmes pjesës tjetër të amortizuar të ndërtesës.
Shkolla “Rushan Qevani”, 23 shkurt 2022
“Kushtet janë siç i shihni. Fatmirësisht pas shumë vitesh na bënë izolimin e tarracës vjet në vjeshtë, që pushoi lagështira, por pjesa tjetër duket, fasada ka lagështirë. Shkolla ka 125 nxënës. Ne kemi bërë email-e pafund për këtë problem, ku nuk e kemi ngritur si shqetësim. Kemi ngrohje me dru, është funksional. Shkolla është bërë në vitin 1985, nuk është vënë dorë asnjëherë më pas”- treguan mësues të shkollës që kërkuan të mos identifikoheshin.
Foto e marrë nga faqja e Facebook e shkollës “Rushan Qevani”, ku duket lagëshira në tavanin e klasës
Më tej ata shtuan se i kanë adresuar këto probleme te institucionet përgjegjëse dhe së shpejti u është premtuar që do marrë zgjidhje.
“Ne i kemi bërë të gjitha procedurat, e kemi adresuar si problem dhe tani presim vetëm zgjidhje. Para disa kohësh është bërë dhe projekti dhe pritet që së shpejti të miratohet nga Ministria e Arsimit, Pritet që të bëhet një rikonstruksion i plotë. Në shtator Bashkia bëri izolimin e tarracës, pritet që të grumbullohen fonde dhe të bëhet edhe riparimi nga jashtë”- bënë të ditur mësuesit.
Shkolla “Rushan Qevani”, 23 shkurt 2022
Por, sa të përshtatshme janë realisht kushtet për fëmijët? Faktoje pyeti edhe gjyshër e prindër të nxënësve të shkollës “Rushan Qevani”. Ata ngritën një sërë shqetësimesh, ku veç lagështirës, një problem tjetër i madh për ta ishte mungesa e druve për ngrohje. Ata rrëfejnë se janë të detyruar që t’i çojnë vetë drutë në shkollë, pasi gjatë gjithë dimrit fëmijët e tyre janë përballur me të ftohtin në ambientet e shkollës,
“Kam mbesën në këtë shkollë, kushtet janë mizerje. Ka lagështirë të madhe, siç e shihni jashtë është edhe brenda. Kanë bërë gjoja izolimin e tarracës, por nuk mban gjë, ka shumë lagështirë. Nuk ka qenë në rregull. Para se të bëhej izolimi, futej i gjithë uji brenda kur binte shi, por prapë situata është shumë shqetësuese. Edhe ngrohja është problem, vetë çojmë dru. Unë kam mbesën dhe i çon goca vetë pothuajse përditë. Të gjithë çojnë nga 2-3 dru, sipas mundësisë që kanë secili”- tregon gjyshja e një nxënëseje.
Shkolla “Rushan Qevani”, 23 shkurt 2022
Ndërsa një prind rrëfen:
“Ja siç e shihni nga jashtë janë edhe brenda kushtet, më keq nuk ka. Copa-copa janë të gjitha klasat, shumë të shkatërruara. Le të mos flasim për ngrohjen që po e vuajmë shumë. Ka soba me dru, por nuk i ndezin se s’kanë dru. Na ngrijnë fëmijët, i çojmë vetë drutë se na dhimbsen”.
Veç lagështirës dhe mungesës së ngrohjes në shkollë, prindërit ngrenë si shqetësim edhe mungesën e ujit në tualetet e shkollës.
“Për mua si prind kushtet në shkollë nuk janë fare të përshtatshme. Lagështirë po, banjot tmerr, ngrohja si mos më keq. Banjot nuk kanë kushtet e duhura, s’ka ujë, ka erë shumë të keqe, kanë frikë të futen fëmijët brenda. Ku t’i ngremë si shqetësime këto, kush na pyet ne?!”- shpreh shqetësimin një tjetër prind.
Në lidhje me këto problematika, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Cërrik, nëse kanë ndonjë plan për rikonstruksionin e shkollës “Rushan Qevani”. Jemi ende në pritje të një përgjigjeje nga ky institucion.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Cërrik, 24 shkurt 2022
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, gjatë një interviste televizive në janar të këtij viti theksonte se ishin marrë të gjitha masat që në asnjë shkollë, përfshirë edhe ato në zonat rurale, të mos mungonte ngrohja.
“Jo të gjitha shkollat kanë sistem ngrohje, por kudo ka bashkëpunim shumë të ngushtë për të siguruar ngrohjen, diku sobë me dru, në pjesën më të madhe ngrohja rregullohet nga Bashkia, por ne bashkëpunojmë shumë ngushtë”-deklaroi Kushi më 15 janar.