.

.

BallinaFaktometerPa kategoriKush po luan me borxhin publik të Shqipërisë?

Kush po luan me borxhin publik të Shqipërisë?

MERXHAN DACI & ANXHELA RUÇI  

Në 16 tetor, nga selia blu, ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku tha se shteti ka deklaruar borxh publik rreth 14%  më të ulët nga ai që është realisht. PD llogarit në këtë borxh detyrimet e fshehura dhe PPP-të, për të cilat edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon të përfshihen si borxhe.

————————————————————————————————————————————————————-

DEKLARATA:

Qeveria ka vazhduar të gënjejë shqiptarët dhe institucionet ndërkombëtare duke pohuar se kanë ulur borxhin publik, në 67.2%. E vërteta është se borxhi publik është 71.6% dhe ky sërish nuk është borxhi real përfundimtar, pasi aty nuk është përfshirë  borxhi 2,2 miliardë euro nga PPP-të korruptive. Nëse do të llogariteshin në mënyrën e duhur dhe sipas standarteve të kërkuara nga FMN dhe Banka Botërore, atëherë vlera reale e Borxhit Publik do të ishte 81%”.

Pasi mori në shqyrtim deklaratën, “Faktoje” pyeti vetë Jorida Tabakun për burimin dhe si përgjigje mori se ajo i ishte referuar të dhënave të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2018.

Jorida Tabaku argumenton se borxhi publik është 71,6% dhe jo 67,2% duke përfshirë detyrimet e fshehura si më poshtë:

Tabela e Partisë Demokratike

Duke llogaritur shumën 610 milionë euro që sipas Tabakut dhe raportit të KLSH (me kursin e këmbimt të muajit tetor) nuk është e përfshirë në përqindjen totale vjetore të Ministrisë së Financave, edhe sipas llogaritjeve të “Faktoje” borxhi publik i afrohet shifrës së deklaruar nga ish-deputetja.

“Faktoje” kontaktoi ekspertin e ekonomisë Zef Preçi, i cili tha se në fakt detyrimet e prapambetura janë edhe më shumë se sa janë llogaritur nga PD dhe KLSH.

Sipas tij detyrime ka nga punimet e palikujduara të pushtetit vendor apo sigurimet shoqërore të papërfshira.

Pjesa e dytë e deklaratës së Tabakut kishte të bënte me detyrimet nga koncensionet ose PPP-të. Sipas saj, nëse në borxhin total vjetor do të shtoheshin edhe detyrimet prej 2,2 miliardë euro nga koncensionet, shifra e borxhit publik do të shkonte në 81%.

“Faktoje” pyeti Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (MFE) se sa është detyrimi nga PPP-të dhe nuk mori një përgjigje.

Por a konsiderohen detyrimet nga PPP-të si borxh publik?

Më herët, në gusht të këtij viti, MFE i tha Monitor se “dhënia me koncesion/PPP e një pune, shërbimi apo vepre nuk është një instrument borxhi”.

Ndërkohë eksperi Zef Preçi, tha për “Faktoje” se PPP-të janë borxh publik, sepse paguhen nga buxheti i shtetit edhe pse nuk raportohen si të tillë.

Nuk ka diskutim që janë borxh publik sepse paguhen nga buxheti. Në të gjithë botën kështu ndodh si praktikë, ndërsa sistemi shqiptar nuk i përfshin ato”.

KLSH rekomandoi në raportin e vitit 2018 zbatimin e standardeve ndërkombëtare sa i përket klasifikimit dhe raportimit të kontratave koncesionare/PPP, duke qenë se pesha e tyre si përqindje ndaj PBB është rritur ndjeshëm.

Ndër të tjera, në raportin e KLSH për vitin 2018 thuhet: “konstatojmë se MFE nuk ka kontroll mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e janarit të këtij viti shprehej se  borxhi publik është i lartë dhe se numri në rritje i projekteve që qeveria u ka besuar PPP-ve në infrastrukturë ka rezultuar në rritje të detyrimeve.

Ndërkaq, disa muaj më vonë, në korrik, FMN i paraqiti qeverisë rreziqet që PPP-të po i shkaktojnë shtetit bashkë me sugjerimet përkatëse.

Do të jetë e rëndësishme të vendosni një kornizë më të qëndrueshme për menaxhimin e investimeve publike dhe të kufizoni rreziqet nga PPP-të dhe detyrimet e tjera të mundshme. Ministria e Financave dhe Ekonomisë duhet të shfrytëzojë rolin e saj të ri si portier për projektet e reja të PPP për të ndihmuar në sigurimin e vlerës për para dhe kontrollin e rreziqeve”.

VERDIKTI:

Duke qenë se detyrimi i PPP-ve nga njëra anë nuk raportohet nga qeveria si element i borxhit përfundimtar publik dhe nga ana tjetër, ekspertë dhe institucione si KLSH e llogarisin si  të tillë “Faktoje” vendosi ta klasifikojë deklaratën e Jorida Tabakut si PA KATEGORI.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img