“Faktoje.al”, organizata e parë fact-checking në Shqipëri nisi aktivitetin në vitin 2018. Themelimi i “Faktoje” u bë i mundur përmes fondit të granteve të USAID-it dhe nën kujdesin e Aleancës Gjinore për Zhvillim (GADC), me mbështetje nga Qendra Kombëtare e Studimeve Sociale (NCSS).
Misioni i “Faktoje” është të kontrollojë vërtetësinë e premtimeve, deklaratave dhe veprimeve të zyrtarëve publikë (dhe subjekteve që përfitojnë nga fondet publike) dhe më pas t’i thotë publikut të vërtetën
Prej korrikut 2019, “Faktoje” është regjistruar në gjykatë me nipt dhe funksionon si organizatë mediatike jo qeveritare, plotësisht e pavarur. (Kliko këtu për statutin dhe përditësimin e anëtarëve të bordit (përditësimi 1 dhe përditësimi 2).
Prej vitit 2021 Faktoje organizon Konkursin Kombëtar “Fatos Baxhaku” për të promovuar dhe forcuar zhvillimin e gazetarisë fact-checking.
Parimet tona
Misioni i “Faktoje” është të kontrollojë vërtetësinë e premtimeve, deklaratave dhe veprimeve të zyrtarëve publikë (dhe subjekteve që përfitojnë nga fondet publike) dhe më pas t’i thotë publikut të vërtetën
Vizioni
“Faktoje” kërkon një shoqëri që refuzon mashtrimin e zyrtarëve publikë ose subjekteve private.
Vlerat tona themelore janë: Përgjegjësia, saktësia, bashkëpunimi dhe puna në ekip, kurajo, pavarësia, integriteti, transparenca dhe besueshmëria. Përtej vlerave themelore, puna dhe vendimmarrja në organizatën tonë udhëhiqet nga këto parime: Idealizmi, këmbëngulja, qëndrueshmëria, serioziteti dhe gjithëpërfshirja.
Depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri dhe transparenca
“Faktoje” është një organizatë e cila nuk angazhohet në aktivitete politike. Përzgjedhja për “fact-check” e deklaratave dhe premtimeve të politikanëve, zyrtarëve publikë dhe subjekteve që përfitojnë nga fondet publike, bëhet në bazë të ndikimit që ato kanë në jetën e qytetarëve. Ne e bëjmë kontrollin e fakteve duke përdorur një mënyrë standarde duke zbatuar metodologjinë, e cila është publikuar në faqen tonë zyrtare “Faktoje.al”, nënkategoria “Rreth nesh”. “Faktoje” përpiqet të jetë e balancuar dhe të verifikojë deklarata dhe premtime të përfaqësuesve nga i gjithë spektri politik (qeveria dhe nga opozita) dhe institucione të tjera publike. Ne ua lemë në dorë provave të diktojnë përfundimet tona.
Faktoje nuk punëson asnjë person që mban një pozicion të paguar apo të spikatur në një parti politike, në qeveri, apo në një kompani publike nën kontrollin e drejtpërdrejtë të një partie politike apo të qeverisë. Në asnjë rast “Faktoje” nuk do t’u kërkojë apo këshillojë lexuesve të votojnë për ndonjë parti politike, kandidat për post publik, apo politika të tjera përveç atyre që kanë lidhje me verifikimin e fakteve.
Faktoje i kërkon punonjësve që të mos bëjnë deklarata politike në emër të organizatës dhe të mos pranojnë dhurata, favore apo shërbime me kushte të favorshme në një mjedis pune që tejkalojn normat e zakonshme të sjelljes sociale dhe mirësjelljes.
Faktoje nuk do të lidhë asnjë marrëveshje apo partneritet me asnjë parti politike dhe do të adresojë çdo konflikt të arsyeshëm interesi apo njëanshmërie politike nga ekspertët apo organizatat që ka cituar apo përdorur.
Si financohemi
Ne jemi transparentë në lidhje me burimet tona të financimit. Nëse pranojmë fonde nga organizata të tjera, sigurohemi që financuesit (donatorët) të mos kenë ndikim mbi përfundimet që arrijmë në raportet tona. Ne japim detaje mbi prejardhjen profesionale të të gjithë anëtarëve në organizatën tonë dhe shpjegojmë strukturën tonë organizative dhe statusin ligjor. Dokumentet e auditit 2019 & 2020, 2021, 2022, 2023, 2024. Pasqyra financiare 2022, 2023, 2024.