Fredi Beleri, fitues i zgjedhjeve për kryebashkiak të Himarës dhe në paraburgim për shitblerje votash prej 5 muajsh, i kërkoi sërish gjykatës leje këtë të martë, që të dalë nga qelia dhe të shkojë të betohet. Edhe Kryeministri Rama, dy muaj më parë ka deklaruar se Beleri duhet t’ia kërkonte gjykatës lejen. Por një verifikim i Faktoje bazuar në një vendim të mëparshëm ku GJKKO shpall moskompetencën për këtë kërkesë, shpjegon se kujt ia njeh ligji kompetencat për dhënien e lejes, edhe pse çështja Beleri përbën një rast të paprecedent.
Jona Plumbi
Lidhur me kërkesën e Fredi Belerit për të dalë nga qelia me qëllim që të shkojë në Bashkinë Himarë për t’u betuar dhe marrë detyrën e kryetarit, kryeministri Rama ka deklaruar në fund të muajit gusht se është gjykata ajo që nuk e ka lejuar Belerin të dalë për të bërë betimin dhe se qeveria nuk ka asnjë lidhje me këtë (kliko këtu për intervistën e zbardhur në faqen e kryeministrisë).
“Leja, e drejta për të marrë leje për të bërë betimin. Pikë së pari, askund në legjislacionin shqiptar nuk ekziston kompetenca e qeverisë ose e kryeministrit të nxjerrë leje për një të ndaluar në paraburgim – në paraburgim (e theksoj) – që të dalë nga burgu. Kjo nuk ekziston. Nga ana tjetër, ai, avokatët e tij apo kushdo qoftë duhej të kalonin përmes gjykatës për ta kërkuar këtë gjë. Nuk ka diçka të tillë që dikush të marrë leje për të bërë betimin, ndërkohë që është në paraburgim për një krim në flagrancë dhe gjykata e ka refuzuar tashmë” – Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
Faktoje bëri një verifikim të kësaj deklarate bazuar në dokumente, vendime dhe opininin e jursitëve.
Nga kërkimet tona rezulton pjesërisht i saktë pretendimi i Ramës kur thotë se legjislacioni shqiptar nuk përcakton si kompetencë të kryeministrit apo qeverisë dhënien e lejes për një të paraburgosur.
Edhe pse kjo e drejtë (dhënia e lejes për të paraburgosurin) nuk i jepet me ligj në mënyrë nominale “kryeministrit” apo “qeverisë”, ligji përcakton Drejtorinë e Burgjeve (siç argumentohet në vijim), si autoritetin që jep lejet. Drejtoria e Bugjeve është në varësi të qeverisë.
Por a është e vërtetë se lejen për Belerin e jep Gjykata dhe se ai (Beleri) apo avokati i tij duhej të kalonin përmes gjykatës për ta kërkuar këtë gjë (lejen), siç deklaron kryeministri Rama?
Në fakt Alfred Beleri, përmes avokatit të tij i është drejtuar Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit me një kërkesë me objekt ”Autorizim“ në datën 26 qershor 2023, siç paraqitet në dokumentin më poshtë.
Avokati i Belerit ndër të tjera kërkonte, leje që klienti i tij të shkonte të betohej në 27 qershor në mbledhjen e këshillit bashkiak Himarë.
Gjykata s’është autoriteti kompetent për t’i dhënë leje për betimin Belerit
Në vendimin e saj në qershor 2023, gjykata shpalli moskompetencë për dhënien e kësaj lejeje duke theksuar :
“Gjykata rezulton se në rrethanat konkrete nuk është ajo autoriteti kompetent që disponon për dhënien e lejes së kërkuar nga personi nën hetim”, bazuar në argumentin e përshkruar në pikën 6, sipas të cilit leja e veçantë për të dënuarin jepet nga drejtori i institucionit, ndërsa për të paraburgosurin jepet nga drejtori i institucionit me pëlqimin paraprak të prokurorit.
Ky dokument rrëzon pretendimin e kryeministrit Rama se për lejen për t’u betuar, Beleri duhej t’i drejtohej gjykatës.
Kush jep leje për të paraburgosurit?
Ish-ministri i drejtësisë Manjani, duke rikonfirmuar se nuk është gjykata autoriteti që jep lejen për të paranburgosurin, argumenton për Faktoje:
“Gjykata e lë në masën e arrestit në paraburgim, por ndalimin për të bërë betimin e ka në dorë qeveria. Drejtuesi i burgjeve varet nga qeveria, nuk varet nga Gjykata”.
Manjani sjell në vëmendje nenin 73 të ligjit për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve, që ia jep këtë mundësi drejtuesit të institucionit të paraburgimit, të japë leje në raste të veçanta.
“Këtu diskutimi nuk është a ka të drejtë apo jo drejtori i burgut, por a futet rasti i Belerit tek rastet e veçanta kur mund të jepet leje. – shpjegon Manjani. Ligji për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve thotë: “Leja e veçantë për të paraburgosurin jepet nga drejtori i institucionit, me pëlqimin paraprak të prokurorit”.
Ky argument mbështetet edhe nga dokumenti i Drejtorisë së Burgjeve që e shqyrtoi dhe e refuzoi kërkesën e Belerit për leje të veçantë, më 26 qershor, të njëjtën ditë që GJKKO shpalli moskompetencën si autoritetit që nuk i takon të japë leje për personin nën hetim.
refuzim-Beleri-leja-posacme-Drejtoria-BurgjeveDrejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shqyrtoi kërkesën për leje të veçantë të Fredi Belerit sipas ligjit 81/2020, ku përcaktohen edhe rastet e veçanta kur jepet leje për të paraburgosurit.
Në vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, argumenti për refuzimin e lejes është mos-përputhja e saj me ligjin, i cili nuk e parashikon vajtjen për t’u betuar për detyrën e kryebashkiakut.
“Po ta lexosh ligjin, rasti i Belerit nuk futet te rastet e parashikuara në ligj për të dhënë leje të veçantë. – thekson Manjani.
Skenarët për lejimin e Belerit të dalë nga qelia për t’u betuar i kryebashkiak
Ylli Manjani sugjeron dy zgjidhje në këtë rast.
“Një mënyrë është të përshtasësh ligjin në frymë – por gjithmonë është drejtori i burgut që e bën këtë, sigurisht duke u konsultuar fillimisht me prokurorin e çështjes – duke e interpretuar nenin në logjikën e mandatit kushtetues, sepse është i zgjedhur me votë personi [që po kërkon leje]”. – tha Manjani.
Nisur nga ky sugjerim, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion SPAK (që ka hetuar çëshjten Beleri) nëse drejtori i burgjeve apo avokati janë konsultuar për këtë rast me prokurorët e çështjes Dorina Bejko dhe Adnan Xholi dhe jemi në pritje të një përgjigjeje.
Një tjetër zgjidhje sipas Manjanit, për situatën e paprecedent është rregullimi i saj me Akt Normativ, praktikë e përdorur nga qeveria Rama në shumë raste.
“Një mënyrë tjetër – për ata që janë të shqetësuar që ky rast nuk parashikohet në ligj – është të zgjidhet me Akt Normativ. Sa akte normative bën qeveria? Në Shqipëri ndërrohet buxheti i shtetit me akte normative. Ndryshohet kushtetuta me akt normativ. Në kohën e pandemisë qeveria ka nxjerrë njerëz nga burgjet, i ka çuar në shtëpi me akt normativ. – kujton Manjani sipas të cilit kjo nuk ndodh, pasi qeveria nuk ka vullnet ta zgjidhë këtë gjë.
Përfundim
Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni e dokumentat e grumbulluara rezulton se deklaratat e kryeministrit Rama se është gjykata ajo ku duhet të drejtohej Beleri për leje që të betohej, është e pavërtetë.