.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaKur do të ketë shkollë zona e mbipopulluar e Astirit?

Kur do të ketë shkollë zona e mbipopulluar e Astirit?

Njësia 14, e njohur si Astiri, në Tiranë nuk ka ende një shkollë të re. Në prill të vitit të kaluar, kryebashkiaku Erion Veliaj ricikloi premtimin e pambajtur elektoral në dy mandate, se zona me 70 mijë banorë do të ketë shkolla. Një vit nga zgjedhjet e 14 majit ku fitoi mandatin e tretë, vetë Veliaj pranon se zona ende nuk ka një institucion arsimor. Pasojat i vuajnë mijëra nxënës dhe prindër të zonës që detyrohen të paguajnë për transportin, të sfidojnë mësimin me turne dhe një pakicë që i ka mundësitë, të paguajë shkolla jo publike.

Në fushatën e zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke kërkuar votat për mandatin e tretë, ricikloi premtimin e pambajtur në 8 vite dhe u zotua se në zonën e Astirit do ndërtoheshin 5 shkolla të reja.

“Ne do të bëjmë 5 shkolla në Astir që do t’i ketë zili e gjithë dynjaja”, deklaroi Veliaj.

Në një artikull të publikuar në mars 2023 në Faktoje tregohet se 8 vite pas premtimit të Veliajt, shkolla 9 vjeçare jo vetëm që nuk ishte ndërtuar, por kishte devijuar gjurma ku ishte planifikuar të ngrihej objekti arsimor.

Ne vendosëm të bëjmë një tjetër verifikim, nëse brenda një viti ka nisur ose jo ndonjë shkollë në njësinë administrative 14, që identifikohet si zona e Astirit.

Fillimisht iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës më 24 janar të këtij viti, por edhe pse janë shkelutr të gjitha afatet ligjore, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk morëm përgjigje.  

Në fund të janarit të këtij viti, u rikthyem në terren për të verifikuar nëse kishte ndonjë shenjë të nisjes së ndërtimit të ndonjë shkolle në këtë njësi. Sipas premtimeve të Veliajt, gjurma e planifikuar për ndërtimin e shkollës 9 vjeçare shtrihet pranë zonës së njohur si KMY. Toka që përkon me gjurmën ishte e rrethuar, por nuk kishte asnjë tabelë informuese nëse aty do të ndërtohet një objekt arsimor. Banorë të zonës thanë për Faktoje se nuk kanë ndonjë njoftim për ndërtim shkolle aty, madje shprehen pesimistë se kjo gjë do të ndodhë.

“Për 100 vjet nuk bëjnë shkollë këtu. Kemi dëgjuar shumë premtime, do e nisim këtë vit, do e nisim vitin tjetër. Dhe çfarë bënë?! Asgjë…”-shprehet Dorina, nënë e dy fëmijëve, 7 dhe 11 vjeç.

“Në të gjithë këtë pellgun tonë nuk ka shkollë të re, ndërsa pallatet dhe banorët shtohen përditë”, thotë një tjetër banor i zonës.

Vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, më 23 shkurt të këtij viti pranoi se në Astir nuk është ndërtuar asnjë shkollë e re, megjithatë ai sërish ‘dha shpresë’ se kjo do të ndodhë, por se kur, nuk dihet.

“Do të fillojmë edhe me ndërtimin e shkollave të reja, kemi dy hapësira, te xhepi që është krijuar aty ku rregullohet-sistemohet Lana dhe në diskutim me privatët që i kemi kushtëzuar, po do ta jap lejen, po tokën e lirë do ia japësh bashkisë që të bëjë shkollat e reja.

Dhe shkollat e reja në të dy anët e Lanës dhe të autostradës së Unazës së Madhe, zgjidhin përfundimisht edhe rritjen e popullsisë që do të vijë padyshim me zgjatimin e Lanës dhe me riparimin e saj. Dhe te zona e Astirit që gjithsesi është mbrapa dhe akoma nuk ka shkollat e para”-theksoi Veliaj.

Rregullorja për shkollat pranë qendrave të banuara

Sipas të dhënave zyrtare, njësia administrative 14, ku përfshihen lagjet Astir, Yzberisht, Kashar, kapërfshin një popullsi mbi 70 mijë banorë.

Nga ana tjetër, Rregullorja e Planifikimit të Territorit e kërkon që zona e banuar duhet të ketë shkollën 9 vjeçare, jo më larg se 500 metra dhe gjimnazin apo shkollën e mesme, jo më larg se 1000 metra.

Shumë premtime për Astirin, zero shkolla

Që prej vitit 2015, janë shënuar premtime pa fund për ndërtimin e shkollave në këtë zonë, sidomos gjatë fushatave zgjedhore.

“Ne angazhohemi të ndërtojmë një kopësht dhe një shkollë 9-vjeçare të re në zonën e Unazës së Re në Yzberisht pranë KMY, sepse aty është nevoja më e madhe për të pasur lehtësimin e shkollave të Kombinatit nga dy turnet që kemi sot”- deklaroi  Veliaj në 25 maj 2015.

Në mars të vitit 2023, pas një hendeku kohor prej 8 vitesh dhe premtimeve të shkelura, ai tha: “Aty do të kemi dy shkolla, një në Astir, dhe tjetra do të jetë te rruga e re e zgjatimit të Lanës, mes autostradës dhe Lanës, që bie në kufirin e Njësisë 7, por i shërben kryesisht zonës së lagjes 14”.

prill 2023 duke justifikuar mungesën e shkollave në zonë me luftën në Ukrainë Veliaj tha:

“Jam krenar që kemi bërë 40 shkolla, por nuk kemi mundur të mbarojmë lotin e fundit për shkak të kushteve të krijuara nga lufta në Ukrainë. Janë 5 shkolla në Astir-Kashar-Yzberisht, 2 te Liqeni i Thatë dhe 2 në Sauk dhe 1 te Akademia e Policisë”, deklaroi kryebashkiaku.

Në 23 dhjetor 2023 ai bëri të ditur se ishte buxhetuar ndërtimi i shkollave në Astir, por siç pranoi vetë në shkurt 2024, asnjë shkollë nuk ka nisur të ndërtohet atje.

Në një nga intervistat e dhëna në televizionin ABC News, sfida e lëshur nga Veliaj është: “Nuk do e lë këtë Bashki pa zgjidhur Astirin!”

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img