.

.

BallinaNë lupën e FakteveKur do të jetë gati spitali i ri i sëmundjeve të brendshme në QSUT

Kur do të jetë gati spitali i ri i sëmundjeve të brendshme në QSUT

Thuajse 4 vite nga firmosja e kontratës 14.4 mln euro për ndërtimin e spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme në QSUT dhe shkeljes së afateve të njëpasnjëshme, ky objekt ende nuk është gati. Faktoje verifikoi në terren se vijon puna për ndërtimin e tij, ndërsa kërkesat zyrtare për informacion nuk kanë marrë përgjigje nga MSH. Nga ana tjetër, shtimi i pacientëve me infarkt si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga Covid-19, e bën të domosdoshëm shtimin e kapaciteteve spitalore.

———————————————————————-

Gjatë inspektimit në kantierin e ndërtimit të spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, në fund të gushtit të vitit 2020, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu, e shoqëruar nga kryeministri Edi Rama, deklaroi se ky spital do të përfundonte brenda shtatorit të vitit 2021.

“Afati i përfundimit të spitalit është shtator i vitit 2021. Ne kemi ambicie ta përfundojmë përpara afatit”, deklaroi ministrja Manastirliu në gusht të vitit 2020.

Mirëpo, ky ishte vetëm një prej shumë premtimeve që u bënë në vazhdimësi nga ministrja Manastirliu për ndërtimin e spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme.

Premtimet e pambajtura për afatet e ndërtimit

Në dhjetor të vitit 2020 zonja Manastirliu u zotua sërish se spitali do të përfundonte në vitin 2021.

“Jam e kënaqur që ia arritëm që, në finalizim të vitit 2020, pavarësisht gjithë situatës që kemi kaluar, qoftë në fillim me tërmetin dhe më pas me pandeminë, të ecnim sipas ritmeve të parashikuara për ndërtimin e spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme. Një investim i qeverisë shqiptare, i cili do të përmirësojë radikalisht një prej shërbimeve më të rëndësishme në QSUT, që është tërësia e specialiteteve të sëmundjeve interne”, tha ajo.

E shoqëruar nga kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu deklaroi në 15 maj të vitit 2021 se brenda dhjetorit të atij viti spitali do të ishte gati.

“Spitali i Ri i Sëmundjeve të Brendshme ka ecur në një nivel të ri të investimit, që tashmë qeveria shqiptare ka filluar prej 14.8 milionë euro. Po ecim me ritme të mira dhe brenda dhjetorit përfundon ky spital”, u shpreh ajo.

Në 22 shkurt të këtij viti, ministrja Manastirliu deklaroi se spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të përfundojë në muajin gusht, ndërsa premtoi se deri në fund të vitit do të ketë filluar puna për ofrimin e shërbimeve.

“Në Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme pamë se si kanë evoluar punimet dhe tashmë jemi afër fundit. Themi afër fundit, sepse në Gusht të këtij viti përfundon gjithë investimi i qeverisë shqiptare për një spital të ri të sëmundjeve të brendshme. Një premtim që po bëhet realitet dhe ku do të pritet që deri në fund të këtij viti, të ketë filluar puna në këtë spital. Risia në këtë spital është që do të kemi lidhje nëpërmjet urave me spitalin A1”, deklaroi Manastirliu.

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më 4 maj, ku ndër të tjera e pyetëm se kur pritet të përfundojnë punimet për ndërtimin e këtij spitali. Mirëpo, edhe pas ankimimit të bërë në adresë të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, nuk kemi marrë një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë.

Kërkesa për informacion dërguar MSH, 4 maj 2022

 Verifikimi në terren

Ne bëmë një verifikim në kantierin e ndërtimit të Spitalit të Ri të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT më 1 qershor, ku konstatuam se ende vijonte puna për ndërtimin e tij.

Dera qëndronte e mbyllur dhe askush nuk lejohej të futej, teksa herëpas’here dëgjoheshin zhurmat e makinerive që punonin.

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme, 1 qershor 2022

Në hyrje të kantierit ishte edhe një tabelë, por nuk specifikonte datën e nisjes së punimeve. Në tabelë përcaktohej vetëm se kohëzgjatja e punimeve ishte 36 muaj.

Tabela e punimeve, Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme, 1 qershor 2022

Ne pyetëm punonjës në QSUT nëse punimet ishin drejt përfundimit.

“Brenda është bosh akoma, nuk ka përfunduar. Nuk e dimë se kur do të jetë gati, nuk kemi informacion”, thanë ata për Faktoje.

Kostoja e spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme

Duke iu referuar të dhënave nga Ministria e Financave, kostoja totale e ndërtimit të spitalit është 2.2 miliardë lekë, nga të cilat rreth 1.5 miliardë janë kredi, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga shteti shqiptar. Sipas listës së investimeve publike 2022-2024 deri në fund të vitit 2022 pritet të realizohet 1.5 miliardë lekë nga totali prej 2.2 miliardë lekësh.

Viti i përfundimit për koston lokale dhe TVSH-në sipas tabelës më poshtë është viti 2022, ndërsa viti i përfundimit të pjesës së financuar me kredi të huaj është viti 2024.

Tabela mbi kostot e spitalit përpunuar nga Faktoje

Në muajin maj të vitit 2018, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu firmosi kontratën për ndërtimin e spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, spitali i ri, një investim prej 14.4 milionë euro do të ndërtohej nga themelet brenda ambienteve të QSUT.

Si është projektuar spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme

Duke folur për kapacitetet e spitalit të ri në maj të vitit 2021, Manastirliu tha se ky spital do të kompletojë profilin e një spitali të mirëfilltë të sëmundjeve të brendshme.

“Këtu në total do të kemi 271 shtretër, të ndarë sipas shërbimeve të kardiologjisë, hematologjisë, endokrinologjisë, gastrohepatologjisë, nefrologjisë, alergologjisë, dermatologjisë”, deklaroi asokohe ministrja Manastirliu.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, nga ndërtimi i Spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe pajisjet mjekësore, përfitojnë 109 mijë pacientë. Spitali i ri do të ketë edhe një pavion ditor me 60 shtretër, gjithashtu do të ketë 9 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë, ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim.

Fatalitetet dhe emergjenca për një spitali të ri të sëmundjeve të brendshme

Pandemia Covid-19 solli një sërë pasojash të tjera afatgjata. Faktoje raportoi në një artikull të datës 10 maj 2022 se që prej vitit 2020 kur u shfaq pandemia e Covid-19, u shënua një shtim i numrit të fataliteteve, kryesisht nga infarkti i zemrës dhe infarkti i trurit. Kardiologët japin alarmin se Covid-19 dha një goditje të fortë me pasojë rritjen e frikshme të infarkteve, edhe tek personat e shëndetshëm dhe në moshë të re. Shtimi i pacientëve me këto probleme e bën të domosdoshme rritjen e kapaciteteve spitalore për të përballuar fluksin e krijuar.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img