BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingKur do të jetë funksionale Qendra Terapeutike për fëmijët me aftësi ndryshe?

Kur do të jetë funksionale Qendra Terapeutike për fëmijët me aftësi ndryshe?

Fillimi i muajit prill ishte afati i radhës që premtoi Ministria e Shëndetësisë pas disa afateve të shkelura, për përfundimin e punimeve për Qendrën Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në Kombinat. Ky konfirmim mbërriti përmes përgjigjes së vonuar zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa në fund të marsit edhe kryeministri Rama postoi një premtim. Gjatë vëzhgimit të Faktoje në 4 prill, punonjëset e qendrës, ende jo funksionale, në shkelje të etikës detyruan gazetaren të fshijë fotot me argumentin se qendra është shtëpia e tyre dhe jo një institucion publik.

——————————————————————————–

Në një postim në rrjetet sociale më 27 mars, kryeministri Rama njoftonte se kishte përfunduar rikonstruksioni i qendrës kombëtare Terapeutike për rreth 200 fëmijë me aftësi ndryshe, pa dhënë hollësi se kur do të niste ofrimi i shërbimit.

“Mirëmëngjes dhe me Qendrën e Re Kombëtare Terapeutike e Rehabilituese për fëmijët me aftësi ndryshe në Kombinat, e rindërtuar shumë më e bukur dhe më e fortë pas dëmtimeve nga tërmeti, ju uroj një të diel të qetë”, shkruante Rama në Facebook.

Postimi i Ramës në Facebook, 27 mars 2022

Më herët, në muajin shkurt edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu premtonte:

“Qendra e Re Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në Kombinat për fëmijët me aftësi ndryshe, e rindërtuar më e bukur dhe më e fortë pas dëmtimeve nga tërmeti, do të jetë gati së shpejti”.

Postimi i Manastirliut në Facebook, 10 shkurt 2022

Më 21 shkurt, Faktoje raportoi se Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në Kombinat nuk ishte gati për të ofruar shërbim për fëmijët me nevoja të veçanta, pavarësisht premtimeve të njëpasnjëshme nga ministrja e Shëndetësisë.

Nisur nga premtimet e shumta të ministres Manastirliu për ndërtimin e Qendrës së re Kombëtare Terapeutike për këtë komunitet, Faktoje i ishte drejtuar me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhë Mbrojtjes Sociale më 14 shkurt. Ndër të tjera, ne e pyetëm këtë institucion se kur pritet të jetë qendra, e cila deri më tani ende nuk është funksionale. Ne morëm një përgjigje nga MSH pas ankimimit të bërë në adresë të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit. MSH njofton zyrtarisht për Faktoje se Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në Kombinat do të ishte gati në fillim të muajit prill.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, 14 shkurt 2022

“Godina e rikonstruktuar e Qendrës Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët (QKTRF) parashikohet të përfundohet në fillim të muajit prill. Në periudhën gjatë rikonstruksionit të godinës të gjitha shërbimet që ofron QKTRF janë ofruar në një ambient të marrë me qira, me vendndodhje: Rruga ‘Bab Rexha’ (Vaçe Zela).

Ju sqarojmë se QKTRF ushtron shërbimet e saj bazuar në parashikimet ligjore në fuqi dhe konkretisht VKM Nr. 325, Datë 23.06.2020, ‘Për krijimin e Qendrës Kombëtare Për Mirërritjen, Zhvillimin dhe Rehabilitimin e Fëmijëve’ si njësi buxhetore e veçantë të ndryshuar, ku përfshihen: vlerësim, diagnostifikim, ndërhyrje terapeutike dhe rehabilituese për fëmijët”- bën me dije Ministria e Shëndetësisë.

Por, çfarë shërbimesh ofrohen për fëmijët në QKTRF?

MSH sqaron:

“Në këtë qendër do të vijojnë të ofrohen shërbimet sikundër parashikuar nga legjislacioni në fuqi e konkretisht: -Shërbimet ndërhyrje terapeutike dhe rehabilituese në rrugë spitalore për 55 fëmijë në muaj të grupmoshës 0-6 vjeç;

-Shërbim ndërhyrje terapeutike dhe rehabilituese në rrugë ambulatore për mesatarisht 160 fëmijë në muaj, të të gjitha grupmoshave.

-Shërbim vlerësimi, diagnistifikim për të gjitha grupmoshat e fëmijëve në të gjithë vendin, të cilët paraqesin probleme të shëndetit mendor dhe fizik të lidhura me to”.

Përgjigjia e Ministrisë së Shëndetësisë, 18 mars 2022

Qendra për fëmijët me nevoja të veçanta në Kombinat, 16 shkurt 2022

Në 4 prill ne shkuam sërish për të verifikuar nëse qendra kishte përfunduar dhe kur do të niste funksionin. Nga verifikimi ynë në terren rezulton se puna kishte ecur krahasuar me një muaj e gjysmë më parë, por qendra nuk ishte ende funksionale.

Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në Kombinat, 4 prill 2022

Burime pranë kësaj qendre i thanë Faktoje se më datën 8 prill pritet të bëhet inaugurimi i saj, por nuk dihet ende se kur pritet të jetë funksionale për të ofruar shërbim dhe nëse është pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme.

Mirëpo, gjatë vëzhgimit në këtë qendër, edhe pse u prezantuam që në hyrje si gazetarë, punonjëse të saj na kërkuan të fshijmë fotot e shkrepura brenda ndërtesës, me argumentin se qendra ishte “shtëpia e tyre” dhe jo një institucion publik siç është realisht, duke na akuzuar për cënim të privatësisë.

Pasi fotografuan bexhin, na kërkuan të dilnim nga qendra, duke përsëritur se nuk kemi të drejtë të hyjmë në qendër, e cila ende nuk është funksionale dhe brenda saj nuk ka fëmijë.

Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në Kombinat, 4 prill 2022

Në vendimet e miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, në datë 15 Korrik 2020 vihet re se ka ndryshuar edhe emërtimi i kësaj qendre, konktretisht emërtimi “Qendra Kombëtare Për Mirërritjen, Zhvillimin dhe Rehabilitimin e Fëmijëve” është zëvendësuar me “Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët”.

Pas kësaj procedure rezulton të jetë hapur në datë 6.10.2020 tenderi për rikonstruksionin e qendrës në fjalë. Data e shpalljes së fituesit është 30-12-2020 me një kohëzgjatje 16 muaj, por nuk rezulton e bashkangjitur kontrata e lidhur.

Sipas të dhënave të Open Procurement projekti ka një vlerë prej 156 134 598,00 lekë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img