BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingSa herë e shkeli premtimin Manastirliu për qendrën terapeutike të fëmijëve me aftësi ndryshe

Sa herë e shkeli premtimin Manastirliu për qendrën terapeutike të fëmijëve me aftësi ndryshe

Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në Kombinat nuk është ende gati për të ofruar shërbim për fëmijët me nevoja të veçanta, pavarësisht premtimeve të njëpasnjëshme nga ministrja e Shëndetësisë. Faktoje verifikoi në 16 shkurt se punimet për qendrën e premtuar se do ishte gati në tetor 2021, ende s’kanë përfunduar. Projekti me vlerë 156 134 598,00 lekë nisi si pjesë e programit të rindërtimit.

“Qendra e Re Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në #Kombinat për fëmijët me aftësi ndryshe, e rindërtuar më e bukur dhe më e fortë pas dëmtimeve nga tërmeti, do të jetë gati së shpejti”- njoftoi më 10 shkurt ministrja e Shëndetësisë Manastirliu, përmes profilit në Facebook.

Postimi i Manastirliut në Facebook, 10 shkurt 2022

Në mesin e muajit shkurt të këtij viti, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të cilën e pyeti se kur do të jetë gati qendra për për fëmijët me aftësi të veçanta. Një prej pyetjeve që i drejtuam këtij institucioni ishte edhe se ku po marrin shërbim aktualisht fëmijët me nevoja të veçanta, pasi kjo është qendra e vetme në Shqipëri që ofron terapi për këtë kategori të të miturve.

Kërkesa për informacion dërguar MSH, 14 shkurt 2022

Ne jemi ende në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Më datë 16 shkurt, Faktoje ishte për verifikim në Qendrën Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në zonën e Kombinatit, për të parë se në çfarë faze ishin punimet dhe kur pritet të përfundojnë. Në momentin e verifikimit në terren pamë se po punohej ende dhe kjo dukej qartë që në hyrje të qendrës, ku shiheshin grumbujt e rërës dhe tjegullat.

Qendra për fëmijët me nevoja të veçanta në Kombinat, 16 shkurt 2022

Edhe në mjediset e brendshme vijonte puna për rikonstruksionin.

Punimet brenda Qendrës Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese, 16 shkurt 2022

Nga biseda me punëtorë që gjetëm tek qendra që po rikonstruktohet mësuam se me këtë ritëm ndërtesa mund të jetë gati pas 2 javësh.

“Qendra nuk është funksionale për momentin. Besoj se do hapet pas dy javësh. Fëmijët aktualisht po e marrin shërbimin në një ambient me qira në Tiranë. Kanë një ambient provizor për momentin.” – tha për Faktoje një prej punonjësve.

Qendra për fëmijët me nevoja të veçanta në Kombinat, 16 shkurt 2022

“Godina ka sistem qendror ngrohjeje dhe të gjitha kushtet. Di që janë disa dhoma për nëna me fëmijë dhe ata mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë këtu”- tha një tjetër punëtor.

Premtimet e përsëritura të Manastriliut për Qendrën Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese

Në muajin mars të vitit 2021, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu inspektuan punimet për këtë qendër. Gjatë inspektimit, Manastriliu u shpreh se punimet mbylleshin brenda muajit tetor 2021 dhe do të ofronte shërbim me 30 shtretër të dedikuar si spital ditor.

“Kjo është një qendër që ka shërbim me shtretër, pra edhe spital ditor, pra do të ofrojë shërbim me 30 shtretër si spital ditor. E përfundojmë në muajin tetor dhe do të fillojmë menjëherë shërbimet multidisiplinare dhe shëndetësore”-tha Manastirliu.

Por, ajo që vihej re asokohe në videon e ministres ishte fakti që kishte një tabelë informuese mbi punimet, ndërkohë më 16 shkurt të këtij viti, gjatë verifikimit për Faktoje nuk gjetëm tabelë punimesh edhe pse punimet në kantier vazhdojnë.

Gjithashtu, më 9 janar të këtij viti, ministrja Manastriliu postoi në Facebook disa foto nga qendra, duke premtuar sërish vënien e saj në funksion së shpejti.

“Fëmijët me aftësi ndryshe, shumë shpejt do të marrin shërbime të specializuara në Qendrën e Re Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në #Kombinat, që po rindërtohet më e bukur dhe më e fortë pas dëmtimeve nga tërmeti”, shkruante ndër të tjera Manastriliu.

Postimi i ministres në Facebook, 9 janar 2022

Mirëpo, pavarësisht premtimeve të shumta, kjo qendër nuk është ende funksionale për fëmijët me nevoja të veçanta.

vendimet e miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, në datë 15 Korrik 2020 vihet re se ka ndryshuar emërtimi i kësaj qendre, konktretisht emërtimi “Qendra Kombëtare Për Mirërritjen, Zhvillimin dhe Rehabilitimin e Fëmijëve” është zëvendësuar me “Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët”.

Pas kësaj procedure rezulton të jetë hapur në datë 6.10.2020 tenderi për rikonstruksionin e qendrës në fjalë. Data e shpalljes së fituesit është 30-12-2020 me një kohëzgjatje 16 muaj, por nuk rezulton e bashkangjitur kontrata e lidhur.

Sipas të dhënave të Open Procurement projekti ka një vlerë prej 156 134 598,00 lekë.

Screenshot nga Open Procurement

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img