Dhjetëra banorë në Thumanë, qytezën që u kthye në simbol të vuajtjeve të shkaktuara nga viktimat dhe shkatërrimi që la pas tërmeti i 26 nëntorit, i pret një dimër i dytë në çadra, disa prej tyre verore. Një vit pas fatkeqësisë natyrore, banorët janë të zhgënjyer dhe shpresëhumbur nga premtimet e qeverisë për t’u rikthyer një jetë në kushte njerëzore.
Në Thumanë, në 26 nëntor 2019, humbën 24 jetë njerëzish, u lënduan dhjetëra të tjerë dhe mbetën qindra të pastrehë. Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në Thumanë, një ditë pas tërmetit, premtoi se të gjitha familjet e dëmtuara do e prisnin Vitin e Ri 2021 në banesa të reja.
Faktoje, e cila edhe më herët ka verifikuar premtimet e dhëna për rindërtimin, u rikthye në Thumanë këtë 26 nëntor.
Erdhën ato ditët e para të tërmetit e më pas u harruan. As nga Bashkia e as nga Qeveria nuk e ‘vunë ujin në zjarr’, se ça bëhej më pas. Jemi katër familje, unë dhe tre djemtë. Shtëpitë u shpallën të pabanueshme në shkallën DS4, dhe ne ende jetojmë në një çadër e një kontenier. Unë rri te çadra bashkë me djalin e vogël, kurse tre djemtë e tjerë te kontenieri. Se ça do bëhet, Zoti e di – shprehet Ikballe Maksutaj, një nga banoret në Thumanë.

Pranë çadrës ku strehohet 67-vjeçarja, gjendet edhe kontenieri ku jetojnë tre djemtë e tjerë të familjes Maksutaj.

Dimri është i ftohtë, po shtëpia ku jetonim më parë është e frikshme. Te çadra e kam të vështirë të bëj detyrat se edhe vend nuk ka. Ca ditë qëndruam te njëra nga shtëpitë që është dëmtuar nga tërmeti, po kisha frikë e ndaj tani rrimë te çadra – shprehet M.Ikballaj, nipi i 67-vjeçares Maksute.

Një fat të ngjashëm kishte edhe banesa e Bashkim Maksutajt, i afërm dhe fqinj me 67-vjeçaren Ikballe.

Matjet janë bërë të gjitha. Dokumentat i kanë marrë ata të Bashkisë. Shtëpia është shpallur e pabanueshme në shkallën DS4, dhe duhet të shembet. Qëkur erdhën si fillim dhe kryen ato verifikimet, më nuk kemi marrë vesh gjë – shprehet bashkëshortja e Bashkim Maksutajt.
Dimri i dytë ka gjetur në çadër edhe familjen Hidraliu në Thumanë.

Shtëpinë tonë e vlerësuan DS3 e na dhanë 5 milionë lekë të vjetra. Ka nja një muaj që na i kanë dhënë, po sipas punëtorëve që kam marrë në mënyrë private e kanë vlerësuar se në total kosto shkon në 12 milionë lekë të vjetra. Kemi ca ditë që kemi nisur dhe po e rregullojmë se boll pritëm. Unë jam i verbër, gruaja e djali pa punë– i tha “Faktojes”, Sami Hidraliu, banor në Thumanë.

Edhe rindërtimi i banesave individuae duket se nuk i ka përmbushur pritshmëritë për afatet e premtuara. Në kantierin ku po kryhen punimet për ndërtimin e banesave të reja individuale, puna është ende në fillesat e veta.


Thumana është zona e parë, nga 26 të identifikuara me dëmtime nga tërmeti ku nisi ndërtimi i qytezës së re për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Në këtë qytezë planifikohet të ndërtohet gjithçka nga e para,276 banesa individuale dhe 168 banesa kolektive, jo më shumë se 4 kate. *Rindërtimi në Thumanë është sponsorizuar nga Turqia, e cila ka marrë përsipër të ndërtojë 500 shtëpi, qendër biznesi, shkollën publike dhe godinën e Bashkisë së Thumanës.