ANXHELA RUÇI
Shqipëria pa diskutim që është një nga destinacionet që ka të ndërthurur një sërë programesh turistike duke filluar nga turizmi blu, i gjelbër, i bardhë, për t’u përmbyllur me sitet kulturore që tregojnë dhe flasin për një traditë të veçantë dhe të pazëvendësueshme të vendit tonë.
Muzetë, kalatë, kishat, shtëpitë karakteristike, parqet kombëtare janë një vlerë e shtuar kulturore krahas detit apo malit. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro shpeshherë tregon për shifrat në rritje të vizitorëve që frekuentojnë turizmin kulturor. E ftuar në emisionin e pasdites në TV Klan, Kumbaro foli për destinacionin më të vizituar nga turistët vendas dhe të huaj, ku sipas saj, në krye të listës qëndron Parku Kombëtar i Butrintit.
“Kulmet sivjet i kemi shënuar në Butrint, ku mbërritëm mbi 200 mijë vizitorë deri në 30 shtator. Në 2013 kishim rreth 60 mijë vizitorë, për të kuptuar pak dallimin.”,-tha ndër të tjera Kumbaro.
Epo jo të gjitha shifrat që ka thënë ministrja për vizitorët në Parkun Kombëtar të Butrintit janë të sakta. Sipas shifrave të vëna në dispozicion për ‘’Faktoje’’ nga Parku Kombëtar i Butrintit është e vërtetë që deri në shtator të këtij viti numri i turistëve ka qenë shumë i lartë, afërsisht 200 mijë vizitorë. Por e pavërteta qëndron tek numri i turistëve që kanë vizituar Butrintin në vitin 2013. Ndryshe nga ç’thotë ministrja, turistët në këtë vit(2013) kanë qenë 93 mijë dhe jo 60 mijë, afërsisht 30 mijë më shumë.
Ndoshta nuk është një diferencë e madhe, por nuk është hera e parë që për vitin 2013 ministrja Kumbaro ul fiktivisht numrin e turistëve që kanë vizituar një destinacion turistik. Për vizitorët në Kalanë e Gjirokastrës, pak kohë më parë “Faktoje” ka publikuar një lajm, dhe në të Kumbaro shprehet se në 2013 ishin rreth 70 mijë vizitorë që kishin zgjedhur për të vizituar kalanë e qytetit të gurtë, por në fakt numri i tyre real ishte 96 mijë.
Si çdo qytetar i vendit jemi të kënaqur që numri i vizitorëve është në rritje, sepse një gjë e tillë përkthehet në më shumë të ardhura, në më shumë zhvillim, po nuk është e drejtë që një shifër e thënë nga ministrja të jetë e vërtetë dhe një tjetër të jetë paksa e tjetërsuar për ta bërë ndryshimin nga viti në vit akoma dhe më të madh. Kësisoj deklaratën e ministres Mirela Kumbaro do ta klasifikojmë GJYSMË TË VËRTETË.