Prej dy vitesh, 12 kilometra rrugë që lidhin fshatin Borje në Kukës me rrugën nacionale, ende nuk janë ndërtuar. Banorët e fshatit, që bllokohen nga dëbora gjatë dimrit, duhet të presin me shpresë nga qeveria shqiptare, pasi bashkia nuk ka fonde për të investuar, pavarësisht premtimit të kryebashkiakut të Kukësit dy vite me parë.
Në qershor të 2019-s kandidati i Partisë Socialiste dhe tashmë kryetar i Bashkisë Kukës, Safet Gjici shkoi në fshatin Borje, ku premtoi ndërtimin e rrugës që lidh fshatin me rrugën nacionale.
*Premtimi i kryebashkiakut Safet Gjici në vitin 2019
Dy vite pas këtij premtimi, Faktoje fillimisht kërkoi në faqen zytare të bashkisë e Kukësit, për të mësuar nëse aktualisht kishte një investim për këtë rrugë, por faqja rezulton se plotësohet.
Po ashtu edhe në ndarjen ku pasqyrohen projektet në zbatim, nuk kishte asnjë të tillë, që lidhet me investimet për rrugën që lidh fshatin Borje me Kukësin.
*Faqja zyrtare e bashkisë Kukës, pjesa e projekteve në zbatim
Për të patur një informacion më të saktë, Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion bashkisë Kukës, ku e pyetëm nëse kishte bërë së fundmi ndërhyrje për këtë aks rrugor. Në përgjigjen e saj kjo bashki na informon se nuk ka asnjë projekt, apo investim lidhur në këtë rrugë.
*Përgjigjja e bashkisë Kukës për Faktoje.al
Në strategjinë e zhvillimit të bërë publike nga Bashkia Kukës, Njësia Administrative Shishtavec ku bën pjesë dhe fshati Borje, rezulton në listën e njësive, që bllokohen mesatarisht 1 javë si pasojë e reshjeve të dëborës.
*Lista e njësive, burimi Bashkia Kukës
Edhe më herët Faktoje e ka ndjekur këtë premtim, ku në vitin 2020 konstatuam se gjendja e rrugës ishte skandaloze.
*Borje, shtator 2020
“Rrugën më të mirë ne e kemi atë që na lidh me Kosovën, po puna na do edhe të kalojmë në Kukës. Nuk është vënë dorë që nga vitet 90’, atëherë ka pasur një mirëmbajtës rruge të caktuar nga shteti. Sot është sikurse e shikoni, pa asnjë investim”- u shpreh për Faktoje një nga banorët e fshatit Borje vitin që kaloi.
Rruga e Borjes në dorë të qeverisë shqiptare
Banorët e fshatit Borje, u duhet të presin ende për ndërtimin e kësaj rruge, pasi ajo nuk është parashikuar në buxhetin e bashkisë së Kukësit për vitin 2022.
Më datë 24 dhjetor 2021, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Kukës, kryetari i bashkisë Safet Gjici u shpreh se në vitin 2022 është parashikuar që të punohet në: rruga kryesore në fshatin Shtiqen, fshatin Nange, fshatin Kolsh. Edhe pse të tre këto fshatra janë shumë afër qytetit të Kukësit, kryebashkiaku e lidhi investimin me numrin e banorëve në krahasim me fshatrat e tjerë.
Përsa i përket rrugës së Borjes, ai shpreh se kjo rrugë duhet të bëjë pjesë në investimet e qeverisë shqiptare, pasi bashkia nuk e mbulon dot. Më tej Gjici shtoi se projekti për këtë rrugë dhe disa të tjera, është dërguar në qeverinë shqiptare.
Nisur nga të dhënat e grumbulluara dhe premtimin e kreut të bashkisë së Kukësit, do ta kategorizojmë të Pambajtur.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.