BallinaFaktometerE PavërtetëViti i Ri i gjen jashtë banesave të reja banorët e Thumanës dhe Bubqit

Viti i Ri i gjen jashtë banesave të reja banorët e Thumanës dhe Bubqit

Ina Allkanjari & Ilda Hoxha

Banorët e Thumanës dhe Bubqit, që mbetën të pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, nuk do i trokasin gotat në shtëpitë e reja, siç u zotua kryeministri Edi Rama. Nga një verifikim në terren në Thumanë dhe Bubq, në prag të 31 dhjetorit, Faktoje evidentoi se vetëm një numër i vogël familjesh janë futur në apartamentet e reja. Pjesa tjetër, edhe pse ka marrë çelsat në dorë pak ditë më parë, nuk i kanë mobiluar, ndërkohë që për banesat e reja në Bubq ende nuk është bërë lidhja për furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

———————————————————–

“Për Vit të Ri duhet të jenë të mbaruara. Ne duam dhe do t’ia dalim që shumica dërrmuese e atyre që jane ende në pritje, të bëjnë gëzuar në çatinë e re”- deklaroi në 25 nëntor kryeministri Edi Rama nga Thumana, gjatë inspektimit të pallateve për familjet që mbetën të pastreha nga tërmeti i nëntorit 2019.

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Rindërtimit, Bashkisë Krujë dhe Kryeministrisë për të mësuar se sa familje do të jenë të strehuara brenda dhjetorit në pallatet (apartamentet) të cilat janë pjesë e projektit të rindërtimit në Thumanë.

Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Rindërtimit

Deri në publikimin e këtij artikulli ende nuk kemi marrë përgjigje nga Ministria e Rindërtimit dhe Bashkia Krujë. Ndërkohë, Kryeministria e delegoi kërkesën pranë Ministrisë së Rindërtimit.

Thumanë

Më datë 29 dhjetor Faktoje verifikoi nga afër ecurinë e procesit të rindërtimit në Thumanë. Në këtë zonë janë planifikuar për t’u ndërtuar 278 apartamente të ndara në 14 pallate dhe 155 banesa individuale, për të gjithë banorët që humbën shtëpitë e tyre dy vite më parë. Banorë të zonës, punëtorë dhe inxhinierë tregojnë për Faktoje se 13 pallate në Thumanë kanë përfunduar dhe u janë dorëzuar qytetarëve çelësat e apartamenteve në javën e tretë të dhjetorit. Pallati nr. 14 është i vetmi që nuk ka përfunduar pasi ende nuk janë vendosur dyert edhe dritaret.

Pallati nr. 14 në Thumanë, 29 dhjetor 2021

Erioni, inxhinieri zbatues për 4 pallate në Thuman, ndër to edhe pallati nr.14 shprehet:

“Në Thumanë janë 14 pallate, të tjerët kanë përfunduar. Janë kompani të ndryshme që po punojnë me ndërtimin e këtyre pallateve. Te pallati 14 kanë përfunduar pllakat, suvatimet, instalimet elektrike dhe hidraulike. Do vëmë dyert dhe dritaret. Pallati ka 68 apartamente. Shpresojmë ta mbyllim nga data 5-10 janar. Ne kemi pallatet, 11-12-13 dhe 14. Te objektet që kemi ne mbi 60-70% e banorëve kanë ardhur. Çelësat janë dorëzuar 100% ditën e enjte te Komuna”- tregon inxhinieri.

Pallati nr. 14 në Thumanë, 29 dhjetor 2021

Një tjetër inxhinier që ndjek projektin e pallateve nr.1 dhe nr.2 në Thumanë tregon për Faktoje se çelësat i janë dorëzuar banorëve 1 javë më parë:

“Punimet po ecin shumë mirë. Një pjesë e banorëve kanë hyrë, po bëjmë mobilimet dhe rregulimet e fundit. Ne çelësat i kemi dorëzuar para një jave te Bashkia, tani ndarjet i bëjnë ata. Kanë filluar janë futur banorët”- u shpreh inxhinieri.

Pallatet e ndërtuara në Thumanë, 29 dhjetor 2021

Një ndër banorët përfitues të një apartamenti 1+1 ne Thumanë u shpreh se ende nuk është futur në banesën e re.

“Unë i kam marrë çelësat dhe aktualisht po bëj lyerje brenda. Nuk e di kur mund të bëhemi gati për t’u futur, sepse po bëjmë akoma rregullime”.

Pallatet e ndërtuara në Thumanë, 29 dhjetor 2021

Në pallatin nr. 5 një familje po vendoste mobiljet në apartamentit e ri, ndërsa tregojnë për Faktoje se Vitin e Ri do ta kalojnë në banesën e re.

“Po futemi në shtëpinë e re, kushtet janë shumë të mira, jemi shumë të kënaqur. Unë nuk i kam pasur kështu, i kanë bërë shumë të bukura”- tregon banori i pallatit nr.5 për Faktoje.

Banorë duke futur mobiljet në banesat e reja, 29 dhjetor 2021

Nga verifikimi në terren, evidentuam se ishin në fazën përfundimtare edhe 155 banesat e ndërtuara në Thumanë në kuadër të procesit të rindërtimit. Banorët ende nuk ishin futur në banesat e reja ndërsa punëtorët tregojnë se gjysma e familjarëve i kanë marrë celësat.

Banesat individuale në Thumanë, 29 dhjetor 2021

“Janë 155 shtëpi. Puna ka ecuar shumë mirë, gjysmat i kanë marrë çelësat. Shtëpitë kanë hapësira të ndryshme 3+1, 2+1. Banorët nuk janë futur akoma”- tregon për Faktoje një ndër punëtorët.

Bubq

“Ky fshat quhet Bubq dhe nesër pret rikthimin e 122 familjeve, të cilat humbën gjithçka prej tërmetit”-shkruante në postimin e tij në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama në datë 29 dhjetor.

Screenshot, postimi i kryeministrit Edi Rama datë 29 dhjetor 2021

Në Bubq, njësi administrative e Bashkisë Krujë, 77 banesa individuale dhe 45 apartamente të organizuara në 7 pallate, janë pjesë e projektit të rindërtimit që synon të strehojë 122 familje.

Faktoje shkoi në këtë njësi administrative në 29 dhjetor për të parë në çfarë faze ndodheshin punimet dhe nëse familjet janë futur në banesat e reja.

Ne evidentuam se vetëm një numër i vogël familjesh janë futur në apartamentet e reja ndërsa në banesat individuale ende asnjë familje nuk është akomoduar, kjo pasi lidhja e ujit dhe energjisë elektrike nuk ka përfunduar.

Redoni, inxhinieri që ndjek zbatimin e projktit të rindërtimit për 7 pallatet në Bubq tregon për Faktoje se çelësat e apartamenteve janë dorëzuar një javë më parë dhe hyrjet janë gati për të akomoduar familjet.

Pallatet në Bubq, 29 dhjetor 2021

“Në Bubq janë ndërtuar 7 pallate. 4 janë këtu të vendosura pranë njëri-tjetrit, 3 të tjerët janë disa metra më tutje. Po ndërtohet shkolla, njësia administrative, qendër shëndetësore. Banesa private që janë ndërtuar janë 77. Për sa i përket pallateve jemi në proces kolaudimi të ashensorëve, gjërat e tjera kanë përfunduar, uji, korenti të gjitha. Çelësat janë dorëzuar, një pjesë kanë nisur të fusin mobiljet. Ka rreth një javë që banorëve u janë dorëzuar celësat te komuna. Ka ardhur komuna i ka parë të gjitha. Tani ne po bëjmë pastrimin e pallateve. Janë tri tipologji pallatesh, A, B, C. Tipologjia A ka 3 hyrje në kat. Tipologjia B ka dy hyrje në kat. C ka dy hyrje nga 2+1 secila”- tregon inxhinieri për Faktoje.

Pallatet në Bubq, 29 dhjetor 2021

Një banore e cila disponon një apartamet në pallatet e reja në Bubq, tregon se i ka marrë çelësat, por ende nuk ka hyrë pasi nuk e ka mobiluar shtëpinë.

“Nuk jemi futur akoma, kemi një javë që kemi marrë çelësat. Shtëpitë janë shumë të mira. Presim të bëjmë mobilimin”.

Një e moshuar e cila ndodhej në apartamentin e saj të ri duke pastruar ambientin, tregon për Faktoje se kanë probleme me furnizimin me ujë, gjë që e ka penguar të futet në shtëpinë e re.

“Kemi ardhur te shtëpitë e reja, po pastrojmë, po fusim mobiljet. Shtëpitë janë të mira, por ne nuk kemi ujë. Lidhjen e kanë bërë se thanë do vijë Edi Rama sot. Janë çarë tubat akoma pa u përdor, e kam gjetur ujin deri në gju në banjo. Kemi një javë që kemi marrë çelësat dhe do merremi dy vjet me mobilimin. Kisha qejf të futesha tani për Vit të Ri në shtëpi, se u bënë dy vjet nëpër dyert e huaja, por pa ujë çfarë të bëj. Rama është i falenderuar se nuk kisha për të bërë kurrë shtëpi, por të na sjellë dhe ujin e atëherë është shumë më mirë”.

Pallatet në Bubq, 29 dhjetor 2021

Inxhinieri i banesave individuale në Bubq, Albani, konfirmoi për Faktoje se banesat janë gati ndërsa janë në pritje të lidhjes së ujit dhe energjisë elektrike.

“Kanë mbetur vetëm sistemi i jashtëm që për shkak të kohës ne nuk po e bëjmë dot mbjelljen me bar dhe pjesën e rregullimit. Por ende nuk ka përfunduar edhe lidhja e ujit edhe e dritave. Shtëpitë kanë përfunduar, çelësat janë ndarë me short. Në varësi të kohës ne i mbarojmë dhe ato punë që kanë mbetur. Këtu janë 77 shtëpi që janë ndërtuar”.

Banesat individuale në Bubq, 29 dhjetor 2021

Nisur nga verifikimi në terren dhe komunikimi me inxhinierët dhe banorët, deklaratat e kryeministrit Edi Rama se familjet në Thumanë dhe në Bubq, banesat e të cilave janë dëmtuar nga tërmeti i 2019-ës, do të kalojnë natën e Vitit të Ri në shtëpitë e reja, do ta kategorizojmë të Pavërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img