.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKujdes përsëri nga keqinterpretimet e masave të kursimeve në Zvicër

Kujdes përsëri nga keqinterpretimet e masave të kursimeve në Zvicër

Këshillat e ministres zvicerane të ambjentit për kursimin e energjisë janë tallur nëpër media dhe rrjete sociale, dhe, duke kaluar nga një portal në tjetrin, satira dhe realiteti janë bashkuar për të sjellë lajme që, nga përtacia për të verifkuar faktet, ose nga interesi për të tërhequr klikime, deformojnë fjalët e ministres dhe keqinformojnë. Verifikimi i “Faktoje” përpiqet të ndajë të vërtetën nga ironia.

Patris Pustina

“Ministrja zvicerane sugjerime “të çmendura” qytetarëve: Ndani një dush dhe bëni seks në mëngjes për të kursyer energji!” deklaron titulli sensacional i Pamfletit. 

Në të vërtetë, ministrja zvicerane Simonetta Sommaruga po promovon masa që mund të marrin qytetarët për të ulur konsumin e energjisë së vendit me 15%. Gjatë fushatës së promovimit ajo iu përgjigj pyetjeve të lexuesve të gazetës 20 Minuten duke sugjeruar që qytetarët “të fikin kompjuterin kur nuk i duhet, ose të fikin dritat, ose të bëjnë dush bashkë.” Pasi sugjerimi i fundit u vu në lojë në mediat sociale, Sommaruga sqaroi më tej në një intervistë me gazetën Tages-Anzeiger se këshilla e dushit të përbashkët i drejtohesh moshave të reja. “Pas një moshe të caktuar, të bësh dush së bashku nuk është më e përshtatme për gjithkënd,” tha ajo.

Ndërkohë, sugjerimi i seksit në mëngjes, duket se i është bashkangjitur këshillave të ministres Sommaruga dhe prezantuar si pjesë e tyre, vetëm në interes të sensacionalizmit. Ky sugjerim, në të vërtetë, e ka origjinën në një editorial satirik që sulmon Sommarugën. Në një shkrim të 16 shtatorit, redaktorja e revistës së grave Femina, Géraldine Savary, krahason këshillat e ministres Sommaruga me atë të udhëheqësit sovietik Mikhail Gorbatchev i cili, për të luftuar alkoolizmin, rekomandonte që bashkatdhetarët e tij të pinin qumësht. 

Për të kritikuar çfarë ajo sheh si një mësymje e politikës në jetën private, në detajet më të vogla dhe intime të saj, Savary paraqet një skenar ‘poetik’ të ndërtuar përreth këshillave të qeverisë. 

Në 06:30, hapim sytë me këngën e zogjve, sepse alarmin e zgjimit e kemi hequr nga priza. Rrimë ngjitur njëri me tjetrin nën mbulesat e leshit. Dashuria bashkëshortore zë vendin e radiatorit.

Ky pasazh i shkrimit të Savary është shkëputur nga editoriali i saj, zhveshur nga konteksti, dhe qepur keq pas fjalëve të Sommarugas për të krijuar një produkt sensacionalist, që tërheq vëmendjen sipërfaqësore të audiencës, por që e privon atë nga mesazhi më i thellë, si të ministres Sommaruga, dhe të kundërargumentit të Savary.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img