BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPortalet keqpërdorin sëmundjen dhe lotët e Kryemadhit

Portalet keqpërdorin sëmundjen dhe lotët e Kryemadhit

Një rrëfim i Monika Kryemadhit mbi gjendjen e saj shëndetësore është risjellë në vëmendje nga portalet, duke iu servirur publikut si lajm aktual. Rezulton se ish-kryetarja e LSI-së ka folur për sëmundjen në janar të vitit 2021. Përpos kësaj, portalet e kanë publikuar lajmin me një foto që i përket vitit 2019, ku Kryemadhi përlotet për kërcënimet ndaj familjes së saj. Kjo bëhet nga mediat online për të manipuluar lexuesit, si një mënyrë për të tërhequr sa më shumë klikime.

—————————————————————————————————————-

Në fund të muajit qershor të këtij viti, portali ‘prottekdinbd.com’ ka publikuar një lajm në lidhje me deputeten e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi dhe “rrëfimin e saj rrënqethës”.

Monika Kryemadhi Rrënqeth Me Fjalët/ Jam Me Sëmundje Të Keqe: Infermierët Mezi…”, shkruan portali.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali

Përpos gabimeve të shumta drejtshkrimore në titull, që të nxit të dyshosh mbi seriozitetin e portalit, autorët e artikullit janë kujdesur që të përdorin në titull terma prekës, në mënyrë që të marrin sa më shumë klikime.

Faktoje bëri një verifkim të artikullit, ku rezulton se lajmi është ricikluar nga kjo media online. Gjatë një kërkimi në Google zbulohet se rrëfimi i Kryemadhit për sëmundjen është bërë në janar të vitit 2021 gjatë një interviste dhënë për emisionin ‘Real Story’ në News 24.

Nuk e kam thënë asnjëherë, po e them këtu sot. Unë jam një person i kategorizuar me kancerin në qafën e mitrës, që jam operuar. 1-2 herë në vit duhet të marr serum në gjak. E kam të vështirë të gjej infermier në Shqipëri, të më shpojë e gjejë venat pa 10 herë”, u shpreh asokohe Kryemadhi.

Elementi i dytë, i cili e bën edhe më të rëndë shtrembërimin e fakteve në këtë artikull, është përdorimi i një fotoje ku ish-kryetarja e LSI-së shihet duke qarë. Kjo foto nuk ka aspak lidhje me intervistën, së cilës i referohet artikulli.

“Faktoje” konstatoi se fotoja e përdorur në këtë lajm i përket vitit 2019. Gjatë një interviste dhënë për emisonin “Open”, në atë kohë, Kryemadhi u përlot pasi deklaroi se familja e saj ishtë kërcënuar. Përdorimi i fotos prekëse nga portali është një mënyrë për të manipuluar audiencën, edhe pse nuk ka asnjë lidhje me artikullin. Nga kërkimi ynë rezulton se as artikulli dhe as fotoja nuk janë aktuale, por janë sjellë nga portali, si një mënyrë për të tërhequr dhe manipuluar lexuesit.


*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img