Përdorimi i sodës së bukës dhe lëngut të limonit për zbardhimin e dhëmbëve nuk rekomandohet nga profesionistët, pasi aciditeti i lëngut të limonit mund të dëmtojë dhëmbët tuaj.
—————————-
“Dentistet nuk ja tregojnë këto sekrete. Ja si ti zbardhni dhëmbët me keto receta,” titullohet një video me mbi 2000 shikime në Youtube.
Këshilla kryesore e videos konsiston në përdorimin e sodës së bukës si zbardhues dhëmbësh.
Megjithëse më parë soda e bukës është përdorur për të larë dhëmbët, kimikati nga i cili ajo përbëhet, bikarbonati i natriumit (NaHCO3) është një gërryes me fuqi relativisht të butë. Kjo do të thotë se ai shërben vetëm për të hequr njollat sipërfaqësore të dhëmbëve, por nuk arrin t’i bëjë dhëmbët më të bardhë. Për këtë përdoret një kimikat tjetër, peroksidi i hidrogjenit (H2O2), i cili përdoret gjithashtu edhe në zbardhuesit e rrobave dhe të flokëve.
Për më tepër, përdorimi i sodës së bukës për larjen e dhëmbëve nuk duhet të zëvendësojë larjen me pastë dhëmbësh që përmban fluor (F−). Fluori përdoret në pastat e dhëmbëve për të mbrojtur kundër kaviteteve. Soda e bukës nuk e ka këtë veti.
Duke qenë se nuk ka udhëzime të standartizuara për përdorimin e sodës së bukës për larjen e dhëmbëve, kjo metodë ka rrezik të keqzbatohet. Përdorimi i tepruar i sodës së bukës tek dhëmbët mund të dëmtojë enamelin që i rrethon dhe i mbron ato. Dëmtimi i enamelit i bën dhëmbët më të ndjeshëm ndaj temperaturave, madje mund të bëjë që edhe larja e dhëmbëve të jetë e dhimbshme.
Për të përforcuar vetitë zbardhuese, video e mësipërme këshillon që të përdoret një përzierje sode buke me luleshtrydhe ose lëng limoni. Kjo nuk rekomandohet nga dentistët, sepse acidi në këto fruta, sidomos limoni i cili është 10-100 mijë herë më acid se sa uji, mund të gërryejë kalciumin nga dhëmbët dhe të dëmtojë mishrat e tyre.