Një postim me më shumë se 138 mijë shikime nga një llogari e quajtur “𝙎𝙋𝘼𝙍 albania” ka marrë mbi 800 komente dhe është ndarë mbi 200 herë në rrjetin social Facebook. Postimi njofton se do të dhurojë “900 çanta dhuratash speciale për të gjithë ata që uruan “Gëzuar ditëlindjen” deri më 31 maj 2023.”
Në një format të zakonshëm ‘giveaway’, faqja udhëzon përdoruesit të komentojnë në postim dhe ta ndajnë atë në faqen e tyre personale.
Për më tepër, postimi i drejton përdoruesit të regjistrojnë emrin në një faqe online të dizenjuar për t’u dukur si një faqe zyrtare e kompanisë Spar, me një buton për t’u regjistruar.
Nëse përdoruesi shtyp këtë buton, ridrejtohet në një faqe tjetër e cila identifikohet nga databaza e anti-virusit Kaspersky si një skemë e krijuar për të vjedhur të dhënat personale apo fjalëkalime.
“Faktoje” kontaktoi me kompaninë Spar Albania për t’u interesuar për këtë postim. Një përfaqësuese nga kompania pohoi për “Faktoje” se profili i krijuar online “𝙎𝙋𝘼𝙍 albania” nuk është i lidhur në asnjë lloj mënyre apo i njohur zyrtarisht nga kompania Spar Albania.
Lexuesit duhet të bëjnë kujdes nga oferta të tilla në rrjetet sociale, ku skema mashtrimi përdorin identitetin dhe emrat e kompanive të njohura për përfitime të ndryshme.