Pretendimi: Përdorimi i sodës së bukës në fytyrë për një muaj largon rrudhat.

Verdikti: E paprovuar

—————————————————-

Një postim që ka marrë mbi 600 pëlqime në rrjete sociale dhe rindarë plot 80 herë premton të zhdukë rrudhat e fytyrës me anë të një përzierjeje me bazë sodën e bukës.

Në brendinë e tij artikulli këshillon përgatitjen e një recete me sodë buke, limon dhe uthull molle, dhe mbajtjen e saj në fytyrë gjatë natës për një muaj.

Megjithatë, nuk ka prova se soda e bukës, apo ndonjë përzierje e saj, kanë ndonjë efekt tek rrudhat e fytyrës.

Në fakt, ekspertët këshillojnë kundër përdorimit të sodës së bukës, ose bikarbonatit të natriumit (NaHCO3), në lëkurë. Në një video në TikTok, dermatologia Andrea Suarez shpjegon se soda e bukës është gërryese, mund të çrregullojë pH, ose aciditetin, e lëkurës. Kjo gjë mund të çojë në tharje dhe irritim të lëkurës dhe mund të përkeqësojë probleme ekzistuese si akne dhe ekzema.

Suarez shpjegon më tej se rrudhat e fytyrës lidhen me faktorë të jetesës si ekspozimi ndaj diellit dhe faktorët gjenetikë.

Lëkura e njeriut ka një pH normal 4.5-5.5. Kjo e mban lëkurën të shëndetshme dhe krijon një barrierë mbrojtëse me yndyrna të shëndetshme që e mbron atë dhe nga bakteret. Ndërkaq, soda e bukës e ka pH 9. Duke aplikuar sodë buke në lëkurë, ajo mund të zhvishet nga kjo barrierë duke e bërë lëkurën më vulnerabël ndaj infeksioneve dhe dëmtimeve. 

Më tej, tekstura granulare e sodës së bukës mund të jetë gjithashtu problem. Fërkimi i grimcave të saj në fytyrë mund të jetë gërryese dhe të shkaktojë të çara të vogla në lëkurë duke hapur kështu rrugën infeksioneve.