Kufizimi i gërmimit në thellësi nuk provon se toka është e sheshtë

14

Pretendimi: Toka është e sheshtë dhe njerëzit nuk kanë gërmuar më thellë se 12.3 km thellësi, megjithëse në shkollë na mësohet se njeriu ka shkuar në mbi 4000 milje thellësi

Verdikti: E paprovuar

————————————————————————

Një video që ka marrë mbi njëmijë pëlqime në Facebook nis me pohimin e habitshëm se “Toka është e sheshtë.” Më pas, dy protagonistet shpjegojnë se gropa më e thellë e gërmuar ndonjëherë nga njeriu është 12.3 km e thellë edhe pse, në shkollë, na ka mësuar se njeriu ka shkuar në mbi 4000 milje thellësi.

Ironikisht, teoritë shkencore për formën sferike dhe përbërjen e Tokës etiketohen si “spekulime” pa prova ndërsa modeli i kozmologjisë vedike ofrohet si i vërtetë, pa ndonjë provë, në videon që mbyllet duke porositur shikuesin se nëse do të dalë “jashtë matricës” duhet të ndjekin seancën e meditimit të drejtuar nga autorja e videos.

Është e vërtetë se gropa më e thellë e gërmuar nga njeriu, pusi super i thellë Kola, është rreth 12.3 km i thellë. Kjo nuk provon në asnjë mënyrë se Toka është e sheshtë.

Ndërkaq, shkenca nuk pretendon se njeriu ka arritur mbi 4000 milje ose rreth 6 mijë km në thellësi të Tokës. Ky duket se është një keqinterpretim i ‘rrezes’ së sferoidit të Tokës, e cila është përllogaritur nga rreth 3963 deri në 3950 milje.

Eratosteni mati rrezen e Tokës mbi 2200 vite më parë, rreth vitit 200 para erës sonë. Duke matur këndin në të cilin binte hija e një shkopi vertikal në mesditë në Aleksandri dhe më pas në Syrene dhe duke matur ndryshimin midis këtyre dy këndeve, ai më pas, bazuar në njohuritë e tij për distancën midis këtyre dy qyteteve, llogariti perimetrin e Tokës. Duke pjesëtuar perimetrin me dyfishin e π (3.1415…). Vlerësimet e gabimit të matjeve të Eratostenit variojnë nga 0.5% në 17%.

Njerëzit e kanë ditur që Toka është një sferë për më shumë se 2000 vjet. Grekët e lashtë matën hijet gjatë solsticeve verore dhe gjithashtu llogaritën perimetrin e Tokës. Që atëherë, shkencëtarët kanë zbuluar vetëm më shumë prova se kjo është e vërtetë, duke përfshirë shikimin e vetë Tokës nga hapësira.

“Zari Blu” shkrepur nga ekipi i Apollo 17 më 7 dhjetor 1972

Sipas Shkollës Klimatike të Columbia University, “nëse Toka do të ishte e sheshtë, do ta dinit, sepse shumë gjëra do të funksiononin ndryshe.”

Studiuesit vunë në dukje se, nëse Toka do të ishte e sheshtë, gjëra si graviteti, dielli dhe fushat magnetike nuk do të silleshin siç sillen aktualisht.

James Davis, një gjeofizikant në Columbia, thotë se shërbime të tilla si GPS nuk do të ishin të mundshme në një tokë të sheshtë, sepse satelitët nuk do të ishin në gjendje të rrotulloheshin rreth planetit.

Në fakt, në vitin 2019, fizikantët u sfiduan në American Journal of Physics për të zhvilluar një “përgjigje të thjeshtë, të drejtpërdrejtë” për të hedhur poshtë ‘provat’ e një Toke të sheshtë.

Fizikanti në pension Bruce Sherwood përdori një simulim 3D të një Toke të sheshtë për të treguar se si gjërat do të dukeshin me sy të lirë nëse do të jetonim atje në vend të një Toke sferike.

Ai zbuloi se një nga mospërputhjet kryesore midis një Toke të sheshtë dhe një ‘Tokë të rrumbullakët’ do të ishte ndryshimi i madhësisë së diellit dhe yjeve të tjerë, si dhe rritja e dukshmërisë së yjësive që tani shfaqen vetëm në hemisferat jugore ose veriore.

Këto efekte nuk vërrehen sepse Toka nuk është e sheshtë: ajo është një sferoid. Forma e saj përcaktohet nga graviteti, i cili tërheq materien drejt qendrës dhe i jep trupave qiellorë formën karakteristike të rrumbullakët.