Kryqi me ngjyrat e ylberit që Papa Françesku ka mbajtur në qafë gjatë një aktiviteti publik nuk përfaqëson flamurin e LGBT. Faktoje verifikoi postimet e shpërndara në rrjetet sociale dhe rezulton se ngjyrat në kryq përfaqësojnë rajonet e Amerikës Latine gjatë festimeve të ditës botërore të Rinisë 2019.
Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se Papa Françesku ka vënë në qafë një kryq që simbolizon komunitetin LGBT.
“Papa ka një objekt të ri”- ironizon një nga përdoruesit që ndan në 28 nëntor foton e kreut të kishës katolike me një varëse që mban një kryq me ngjyra të ngjashme me ato të ylberit, përkarshi kryqit zyrtar në ngjyrë argjendi.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Ndërkohë, po të shohim komentet vihet re që ka një gjuhë urrejtjeje dhe ofendime ndaj këtij veprimi të Papa Françeskut. Por, çfarë është në të vërtetë kryqi me ngjyra që është fotografuar në qafën e tij?
Faktoje bëri një verifikim fillimisht nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove, ku rezulton se imazhi në fakt i përket tetorit të vitit 2019. Në artikujt e publikuar asokohe thuhet se kryqi shumëngjyrësh që Ati i Shenjtë mban në qafë iu dhurua si një suvenir simbolik gjatë vizitës së tij në Panama dhe festimeve të Ditës Botërore të Rinisë.
Sipas shpjegimit të organizatorëve të këtij eventi, Konferencës Episkopale të Amerikës Latine, kryqi mbart me vete ngjyrat që përfaqësojnë secilin prej vendeve përbërëse të konferencës.
E gjelbra përfaqëson rajonin e Meksikës dhe Amerikën Qendrore;
E verdha-portokalli përfaqëson Rajonin e Karaibeve;
E kuqja përfaqëson rajonin e Andeve;
Bluja përfaqëson rajonin e Kepit Jugor;
Ngjyrat ngjajnë me ekosistemet që zotëron Amerika Latine, xhungël, vullkane, plazhe dhe det. Po kështu, forma e Kryqit i referohet orientimit fetar të Amerikës Qendrore dhe Jugore.
Logo e Rinisë Baritore të Amerikës Latine
Një tjetër detaj i rëndësishëm është dhe fakti se flamuri LGBT ka edhe ngjyrën lelja si pjesë përbërëse të tij. Veç kësaj, renditja e ngjyrave të flamurit LGBT është ndryshe nga ato që janë në kryqin e Papës.