BallinaPertejZgjedhjetKryetari i KQZ: Proces votimi i sigurtë, partitë të presin qetësisht rezultatin

Kryetari i KQZ: Proces votimi i sigurtë, partitë të presin qetësisht rezultatin

Në mbyllje të orarit zyrtar për procesin e votimit, pak minuta pas orës 19:00, kryetari i KQZ doli në një konferencë për mediat për të dhënë disa konluzione mbi procesin e votimit dhe atë se çfarë pritej në vijim.

“U mbyll orari zyrtar, por raportohen ende votues në disa qendra, sipas Kodit Zgjedhor do lejohen të votojnë”- tha zoti Celibashi në nisje të konferencës.

Ai u shpreh se ky proces votimi u karakterizua nga qetësia, siguria dhe integriteti, në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor, duke pranuar se nuk mund t’i shpëtohej ndonjë incidenti që në disa raste u sollën të amplifikuara.

Kreu i KQZ, duke dhënë përditësimet mbi funksionimin e identifikimit elektronik, i cili u krye për herë të parë e quajti një sukses të realizuar në kohë të shkurtër:

“Jane rreth 167 Qendra ku nuk u përdor identifikimi elektronik, nga të cilat, në 86 për shkak të mungesës së operatorëve, ndërsa për pjesën tjetër, për shkak të problematikës së krijuar në përdorim.”

Teksa pritej të niste procesi i numërimit, zoti Celibashi u kërkoi komisionerëve të mbajnë parasysh Kodin Zgjedhor gjatë përmbushjes së detyrës, në mënyrë që të sigurohej integriteti i votës.

Ai pati një mesazh edhe për partitë politike:

“Partitë ta përcjellin me qetësi procesin e numërimit, askush nuk e di kush i ka fituar zgjedhjet. Gjithe procesi i nxjerrjes se rezultatit do jetë i vëzhguar nga monitoruesit e KQZ, ata vendas dhe ndërkombëtarë”.

Kreu i KQZ solli në vëmendje se Kodi Zgjedhor i jep të drejtën këtij institucioni të verifikojë përmbajtjen e kutive të votimit në rast dyshimi dhe nëse verifikohet mospërputhje, të gjithë ata që janë përgjegjës për ndryshimin e rezultatit do kenë sanksione ligjore. Zoti Celibashi përsëriti zotimin se brenda 48 orëve do të mësohet rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img