Pretendimi: Edi Rama dhe kreu i SPAK Altin Dumani ishin ulur bashkë në tribunën VIP në ndeshjen Shqipëri-Serbi
Vlerësimi: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
Në datën 7 qershor kombëtarja shqiptare u ndesh me atë serbe në stadiumin Air Albania në Tiranë, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Botërorit 2026.
Stadiumi ishte i mbushur me mbështetës të skuadrës kuq e zi dhe pamjet e tifozëve u shpërndanë gjerësisht në rrjet. Një prej këtyre imazheve tregonte tribunën VIP ku në foto dukej kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani. Pranë tij dukej të qëndronte kryeministri Edi Rama.
“Si rastësisht” shkruan në përshkrimin e fotos një portal online. “Ja dhe drejtësia ulur me…”, pretendohet në një tjetër titull.


Si duket edhe nga komentet e qytetarëve në këto publikime, kjo foto është marrë për e vërtetë dhe duket se ironizon “afërsinë” mes Altin Dumanit, kreut të SPAK, dhe kryeministrit Edi Rama. Por në fakt, me një kërkim të thjeshtë në rrjet kuptohet se imazhi është i modifikuar.
Duke përdorur “Google Lens” Faktoje gjeti se në fakt fotografia e vërtetë tregon vetëm kreun e SPAK, Altin Dumani duke ndjekur ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë. Në krah të tij duket se nuk është Kryeministri Edi Rama.

Imazhi i modifikuar është shpërndarë edhe nga faqe apo personazhe të tjera ne rrejte sociale, por është shënjuar si një imazh i pavërtetë.
Ky shënim është veçanërisht i rëndësishëm për llogari që shpërndajnë informacione, apo portale online lajmesh, ku pritshmëria e lexuesve për të marrë informacion të besueshëm është më e lartë.