Kryeministri i Katarit nuk refuzoi t’i shtrëngojë dorën zv.presidentit amerikan

7

Pretendimi: Kjo video tregon ministrin e Jashtëm të Katarit që injoron zëvendëspresidentin e ShBA, JD Vance

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————

Një video e përhapur gjerësisht në rrjete sociale, po qarkullon edhe në ato shqipfolëse me pretendimin se tregon Ministrin e Jashtëm të Katarit që refuzon shtrëngimin e dorës me zv.presidentin e ShBA JD Vance.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamjet janë reale. Ato nuk tregojnë ministrin e Jashtëm, por Kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.

Video e mësipërme, regjistruar gjatë një takimi katërpalësh që përfshinte Shtetet e Bashkuara, Iranin, Pakistanin dhe Katarin në resortin Bürgenstock pranë Liqenit të Lucernës në Zvicër, u bë virale në fundjavë, me pretendimin se kryeministri i Katarit e shpërfilli Vance për të përshëndetur kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif.

Megjithatë, menjëherë pas këtij viraliteti, kryeministri i Katarit sqaroi situatën.

Al Thani tha më 22 qershor se këto raportet ishin të pabaza, duke argumentuar se ata kishin kaluar orë të tëra së bashku gjatë negociatave dhe kishin ruajtur një partneritet të fortë gjatë gjithë procesit.

“Unë në fakt kisha kaluar disa orë me zv. presidentin [Vance] vetëm disa sekonda përpara se të hyja në sallë dhe nuk e kisha takuar kryeministrin e Pakistanit fare që kur kishte ardhur, kështuqë doja ta përshëndesja,” tha ai për Al Jazeera.

Po atë ditë, ai postoi në platformën X një foto të tij, Vance, dhe Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Trump, me përshkrimin: “nga Lucerne, vazhdojnë përpjekjet dhe puna e përbashkët.”