Klara Dervishi
Veza, një nga produktet e shportës që vazhdon të shtrenjtohet prej muajit mars ka shkuar në 30 lekë për kokërr nga 17 qw ishte. Ekspertët thonë se ca nga lufta në Ukrainë, qw eksporton lëndën e parë për pularitë dhe ca nga gripi i shpendëve, edhe ky sektor po përfshihet nga kriza e cila ndihet edhe me pakësim të produktit në treg. As mishi i pulës nuk do t’i shpëtojë rritjes së çmimit, siç paralajmërojnë ekspertët, ndërsa veterinerët qetësojnë konsumatorët se nuk ka vend për panik në lidhje me shëndetin, nëse produkti gatuhet në temperaturë mbi 70 gradë celcius.
———————
Kostoja e lartë e transportit për shkak të çmimit të karburantit, por edhe kriza e energjisë, ka prekur gjithë zinxhirin e industrisë ushqimore. Nga ana tjetër, edhe lufta në Ukrainë u artikulua si shkak i rritjes së çmimit për një ndër mallrat e shportës që u shoqërua me rritjen e çmimit. Një kokërr shitet të paktën 30 lekë, nga 21 lekë që ishte pak ditë më parë.
Njëkohësisht, Ministria e Bujqësisë ka bërë të ditur se për shkak të gripit të shpendëve, deri tani kanë ngordhur dhe janë asgjësuar mbi 380 mijë pula. Të dhënat flasin se çmimi i vezës ka pësuar një rritje graduale duke nisur që nga 16 Marsi. Në janar, sipas të dhënave të tregut një kokërr vezë kushtonte 17 lekë ndërsa Faktoje vuri re se në 31 Mars një kokërr kushtonte 30 lekë.
Tabela e të dhënave u krijua nga Faktoje pas monitorimit në terren
Çmimi nga monitorimi në 31 Mars
Çmimi nga monitorimi në disa markete në 30 Mars
Ekspertët parashikojnë se çmimi i vezëve do vazhdojë të pësojë rritje, duke shkuar deri në 40 lekë/kokërr për shkak të gripit të shpendëve, por edhe pasojave që ka sjellë lufta në çmimin e importeve.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se Shqipëria importon nga Ukraina lëndën e parë për stabilimentet e pulave si: bërsi, sojë, misër, vaj soje që janë dhe lënda bazë për ushimin e kafshëve.
Eksperti veteriner Dardan Shehdula thotë për Faktoje:
“Aktualisht ka 30% më pak prodhim vezë që do të çojë në rritjen e çmimit të këtij produkti.”
Deri tani Ministria e Bujqësisë ka bërë me dije se në shkallë vendi rezultojnë të kenë ngordhur rreth 360 mijë pula për shkak të “Influencës Aviare-H5N8” . Por ekspertët veterinarë thonë se ngordhjet nga ky virus i kanë kaluar 500 mijë krerë pula dhe se aktualisht tregut i mungojnë 500 mijë kokrra vezë në ditë. Ky është një dëm domethënës, po të llogarisësh se një pulë prodhon mesatarisht 170 vezë në vit.
Nëse numri i pulave të prekura nga virusi nuk do të rritet, në 1 vit tregut vendas do t‘i mungojnë 85 milionë vezë.
Por çfarë po ndodh me monitorimin e tregut për çmimin e vezëve. Faktoje iu drejtua me disa pyetje për këtë çështje Autoritetit të Konkurrencës, i cili përmes përgjigjes zyrtare bën me dije se monitorimi është përqendruar vetëm te subjektetet që operojnë në fushën e tregtimit të produktit vezë.
Përgjigjja e Autoritetit të Konkurrencës, 30 Mars 2022
Edi Ferro veteriner, tha për Faktoje se krizë po pëson edhe industria e prodhimit të mishit.
“Paniku i përhapur si pasojë e gripit të shpendëve ndikon negativisht në sektorin e prodhimit të mishit të pulës për disa arsye. Bie konsumi si pasojë e frikës dhe si pasojë e mungesës së tregut prishet cikli i prodhimit dhe automatikisht humbet një deri në dy cikle, nga 5 që janë në vit për çdo kapanon me zogj. Rriten kostot e prodhimit për arsye të mostherjes në kohë për 35 ditë dhe prodhimi mund të bjerë me 20%. Efekti panik te konsumtatorët është parë edhe këto ditë te mishi i pulës. Në markete janë kujdesur të sigurojnë konsumatorin që mishi që tregtohet nuk është nga pulat e vendit.“-thotë eksperti.
Çmimi i mishit të pulës në 31 Mars në një market në Tiranë
Shënimi për mishin e pulës në një market në Tiranë
“Sa i përket mishit të pulës, aktualisht çmimi është i ulët në raport me kostot e prodhimit duke pasur parasysh që një zog 24 orësh kushton 100 lek, një kg mish do 2.5 kg ushqim dhe vetëm 1 kg ushqim kushton 70 lek. Nuk kemi të bëjmë me mungesë të mishit në treg, sepse industria e mishit nuk është e goditur nga sëmundja”-vijon eksperti.
Çmimi i filetove të pulës në një market në Tiranë, 31 Mars
Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion në emër të Faktoje, edhe Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve nëse ka pasur raste të denoncimeve për abuzimin me çmimin e mishit të pulës dhe nënprodukteve të saj, por edhe vezëve. Deri në publikimin e këtij artikulli nuk morëm një përgjigje nga Shoqata për mbrojtjen e konsumatorit.
E-maili drejtuar Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit
Ndërkohë ne iu drejtuam edhe ISUV për të kuptuar nëse gripi i shpendëve apo influenca Aviare H5N8 mund të ndikojë në shëndetin e konsumatorëve. Pyetjet për ISUV nuk morën një përgjigje.
E-maili drejtuar ISUV nga Faktoje
Ekspertët veterinerë thanë për Faktoje se Influenca Aviare nuk ndikon në mënyrë domethënëse në shëndetin e konsumatorëve
“Teorikisht virusi kalon tek njerëzit, por simptomat janë të lehta. Sa i përket shëndetit të konsumatorit nuk kemi rrezik, sepse të gjitha shpendët e prekura ndalojnë prodhimin dhe e dyta, nëse trajtohet në temperaturë 70 gradë Celcius, nuk përbën problem.“-thotë veterineri Edi Ferro.
“Virusi i influencës Aviare është një virus i adaptuar për shpendët! Në raste të rralla është transmetuar tek njerëzit (kryesisht operatorë të sektorit) pa simptoma ose me simptoma shumë të lehta si skuqja e syve, apo tështima.“-konfirmon veterineri Dardan Shehdula për Faktoje.
Faktoje kërkoi në faqen zyrtare të OBSH ku rezultojnë të konfirmuara 7 raste të transmetimit të virusit H5N8 nga shpendët te njerëzit. Sipas OBSH, bëhet fjalë për punonjës të fermave të shpendëve të cilët kishin simptoma të lehta dhe pa fuqi transmetimi të virusit te pjestarët e tjerë të familjes.
Në fund të vitit 2021, Presidenti i Institutit “Friedrich Loeffler“ (Instituti Federal i Kërkimeve për Shëndetin e Kafshëve në Gjermani) Profesor Thomas Mettenleiter ngriti alarmin duke thënë se deri tani ishte provuar që viruset që trasmetoheshin nga shpendët te njeriu ishin vetëm H7N9, H5N6, H7N7, H7N3, ndërsa për transmetimin e virusit të tipit H5N8 Profesor Mettenleiter tha se dihet pak dhe se për këtë duhet të tregohet kujdes.
https://www.mdr.de/wissen/vogelgrippe-uebertragen-ansteckung100~amp.html
Instituti apeloi në janar të këtij viti se duhet të evitoheshin sa më shumë konktaktet e njerëzve me shpendët e infektuara.
Ndryshe nga OBSH dhe Institute të Rëndësishme që merren me studimin e shëndetit të shpendëve ministria shqiptare e Bujqësisë garantoi në deklaratëm e datës 29 Mars se shëndeti e konsumatorëve nuk rrezikohet.
Deklarata e zv ministres së Bujqësisë në 29 Mars