BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingTharja e Fierzës, nga moti apo i zoti?!

Tharja e Fierzës, nga moti apo i zoti?!

Esmeralda Topi

Për herë të parë pas një dekade niveli i ujit në liqenin e Fierzës në muajin mars shënoi rënie drastike duke arritur në kuotën e 257-259 metrave. Fierza u gjend vetëm pak metra larg asaj që njihet si pika e vdekjes, nivel që fik turbinat e hidrocentralit dhe nuk mund të prodhohet asnjë kilovat orë energji. Por si erdhëm në këtë pikë? Ekspertë të fushës së energjisë thonë se situata i dedikohet keqmanaxhimit të kaskadës së lumit Drin, ndërkohë që institucionet përgjegjëse pretendojnë të kundërtën. Faktoje.al sjell të dhëna të cilat tregojnë se në fakt shterja e Fierzës në këtë periudhë nuk ka ardhur nga “Zoti“ por nga i zoti, që në këtë rast është Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare.

—-

“Sot vërtetë është niveli 259 metër në Fierzë por kemi 12 metër plus të blera dhe sot niveli do të ishte 271 metër. Pra nuk ka vend për panik, se çdo gjë është menaxhuar në mënyrë perfekte nga stafi i KESH.“- tha Administratori i Koorportatës Elektroenergjitike Shqiptare gjatë një interviste për Zona Zero në 23 mars.

Foto nga faqja zyrtare e Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare në Facebook

Kjo deklaratë pasonte paralajmërimin e ministres së Infratrukturës dhe Energjië Belinda Balluku në 20 mars, ku pranonte se kaskada e lumit Drin ndodhej në moment të vështirë.

“Për këtë arsye duke nisur që sot importi do të jetë më i madh se prodhimi vendas. Në këtë moment që flasim në kaskadën e Drinit punojnë vetëm dy agregatë.” – tha Balluku në një dalje për mediat.

Foto nga faqja zyrtare e Belinda Ballukut në Facebook, 20 mars 2022

Ndonëse pranoi situatën e vështirë në kaskadë, ministrja Balluku pak ditë më vonë theksoi se vështirësia ka ardhur si pasojë e thatësirës dhe jo keqmanaxhimit të saj.

“ Manaxhimi që është bërë nga KESH ka qënë persistent dhe është menaxhuar si kaskada mirë gjatë gjithë situatës që ne po përballemi për shkak të thatësirës por nga ana tjetër jemi treguar edhe të kujdesshëm për blerjet nga importi.” – tha Balluku në 23 mars, gjatë mbledhjes së Komitetit të Energjisë.

Foto nga mbledhja e Komitetit të Energjisë

Përpara se Balluku të pranonte se kaskada e Drinit ishtë në moment të vështirë, KESH, institucioni përgjegjës për përditësimin e të dhënave kishte nisur terrin informativ. Të dhënat e fundit të raportuara nga KESH për muajin mars janë ato të datës 15 mars, ku Fierza ishte 261.18 metër.

Foto nga faqja zyrtare e Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare në Facebook

Nisur nga këto deklarata Faktoje bëri verifikime se përse rezerva hidrike në kaskadën e Drinit preku fundin në një kohë që cilësohet si e pazakontë për pamjen që tregon fotografia më poshtë.

Foto e basenit të HEC FIERZËS në 26 mars,2022

Ndonëse niveli i Fierzës në mars arriti në pikë kritike Korporata Elektroenergjetike Shqiptare llogariste si rezervë hidrike edhe parablerjet. Për herë të parë në historinë e vendit, KESH i shtonte Fierzës 12 metër ujë që nuk ekzistonte.

Ish drejtuesi i KESH Andis Harasani tha për Faktoje se kjo logjikë është gabim.  “S’mund të masësh nivelin e rezervës tënde hidrike duke shtuar atë energji që ke blerë. Nuk është matematikë kur shton ujë dhe blerje. Është njësoj si të mbledhësh mollë dhe dardha. Jemi duke hyrë në muajt e thatë dhe të hysh në prill – maj me atë nivel është e rrezikshme. “ – thekson Harasani.

Ndërsa Klodian Gradeci, ish Administrator i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, njohës i fushës së energjisë, thotë për Faktoje se problemet e kaskadës kanë nisur që vitin e shkuar.

“Gjatë vitit 2021 nuk u përdor si duhet mekanizmi i optimizimit të kaskadës së Drinit, sidomos në 6 mujorin e dytë. Për këtë fakt pati edhe disa hetime nga Autoriteti Konkurrencës. Optimizimi i gabuar që realizoi KESH gjatë vitit 2021, imponoi që energjia të shitej në treg jo vetëm nga prodhuesi por edhe nga FTL, Furnizuesi i Tregut të Lirë. Roli që iu caktua KESH-it pas shpalljes së emergjencës energjitike me ndryshimet në VKM 620, nuk gjeti zgjidhjen e synuar, por solli keq interpretim të VKM-së, duke shfaqur pasojat që vijuan deri aktualisht.“- tha Gradeci.

Sipas tij, mungesa e blerjeve afatgjata në kohën e duhur detyroi KESH-in të prodhonte duke mos e ruajtur rezervën hidrike siç dikton rregullorja e manaxhimit të kaskadës.

“Rezerva hidrike shumë e ulët nuk do të favorizojë KESH-in në kërkesat e tij për optimizim apo shkëmbim të energjisë edhe kur prurjet janë të niveleve të larta, ashtu siç po faktohet këto ditë prilli. Sipas raportimeve të KESH edhe pse reshjet janë shumë të larta dhe prurjet në Fierze janë 800m³/s, niveli Fierzës është 263meter. Do të duhet të hidhen hapa që tani për të garantuar një verë me sa më pak siklete dhe me kosto të mirëmanaxhuar.“- shton Gradeci për Faktoje.

Edhe për Lorenc Grodanin, ekspert për çështjet e energjisë, tharja e Fierzës në mars është situatë e pazakontë.

“Në këtë situatë jemi gjendur në fund të gushtit. Kur gjërat përqëndrohen në një dorë edhe unë e ti të jemi do vemë bast, nis e vë bast se buxhetin e shtetit aty e ke. Prandaj kjo situatë përmblidhet me një fjalë, reforma pas gjithë ato viteve që është bërë ka bërë hapa pas dhe të gjitha kanë shkuar si në 90’,ka marrë shteti gjithçka. Duhet liberalizuar tregu. Reforma është thelbi.“ – thekson Grodani.

Ai shton se momenti dikton nevojën e ristrukturimit të kompanive. “Sepse këto garanci sovrane janë kredi që merren nga kompanitë publike dhe kreditë janë aty dhe do të bëhen pjesë e faturës pas 6 muajve kur të dorëzohemi dhe do të themi që secili do paguajë atë që i takon. Një ditë ato do bëhen dhe dita është shumë afër.”- thotë Grodani për Faktoje.

Por kjo nuk është hera e parë që kaskada e Drinit arrin pikën kritike. Në 30 vitet e fundit, Shqipëria ka patur tre situata të ngjashme energjitike që konsiderohen si të rënda. Faktoje ka analizuar përmes shifrave të përpunuara të treja këto situata.

  • Kuota e parë e ulët në Fierzë, e ngjashme me këtë të marsit 2022, daton në mars të 1993, ku niveli i ujit ishte 258.2 m. Por kjo situatë pasonte një vit të vështirë hidrologjik, ku kuota maksimale e Fierzës në maj të 1992 ishte vetëm 281 m.
  • Edhe në janar të 2002 në Fierzë është shënuar kuota më e ulët në 244.6m, 4 metër larg pikës së vdekjes kur turbinate thithin ajër. Por përsëri ky nivel minimal i ujit vinte pas një viti hirologjikisht të keq. Në maj të 2002 kuota maksimale që kishte arritur Fierza ishtë vetëm 288 m.
  • Situata e tretë e vështirë në hidrocentralin e Fierzës ka qënë në shkurt të 2012 kur niveli i ujit arriti 254.7 m. Edhe kjo kuotë e ulët vinte pas një viti hirologjikisht të keq ku kuota më e lartë e Fierzës është muaji qershor me vetëm 286.8 m.

Po ashtu, referuar të dhënave të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare treguesit mesatar shumëvjeçare të prurjeve dhe kuotave të Fierzës për muajin mars rezultojnë përkatëisht ; prurjet 262 m3/ s dhe niveli i ujit 277.8 m.

Por në mesin e dytë të marsit 2022 prurjet varionin nga 90-100 m3/s ndërkohë që niveli i ujit rezultoi 257-259 m. Madje, kuota më e ulët e Fierzës e arritur në mars të këtij viti pasonte një vit ku Shqipëria ka prodhuar më shumë energji nga sa i nevojiten për konsum, vit ky i rrallë për sektorin e energjisë.

Bilanci i energjisë elektrike, INSTAT

Nga krahasimi i të dhënave ciklike që Faktoje ka bërë rezulton se kuota e ulët e këtij vitit nuk mund t’i atribuohet kurrësesi situatës hidrologjike, siç ka ndodhur në vitet 1993, 2002 dhe 2012 pasi rezerva hidrike ishtë në kuotën maksimale pasi  në 1 Qershor të 2021 Fierza ndodhej mbi 297 metër, pra përtej maksimumit të lejuar. *(Sa i mirë apo i keq është viti, përcaktohet nga kuota e Fierzës në fund maji apo fillim qershori, ndaj janë marrë si referencë këta dy muaj.)

Po nëse i zoti e la Fierzën në baltë, Zoti jo. Prilli nisi me reshje shiu dhe niveli i ujit në Fierzë u rrit në 262 metër. Normalizimi i situatës nga zoti, riktheu dhe optimizmin në KESH duke publikuar sërish të dhënat e kaskadës.

Foto nga faqja zyrtare e KESH në facebook

Aktualisht, KESH po importon pjesë të madhe të sasisë së nevojshme për konsum. Me rezervën aktuale dhe blerjet e bëra vendi ka të siguruar furnizimin me energji për një muaj, kështu që blerjet e energjisë do të vijojnë pasi qeveria thotë se nuk vihet në diskutim furnizimi. Në këto kushte, fondi prej 25 miliardë lekësh do të mbarojë shpejt pasi konsumi në muajt e verës rritet dhe çmimet e importit kulmojnë. Qeveria do të detyrohet të japë para të tjera për blerje energjie dhe për fat të keq e gjithë kjo situatë e ka ekspozuar vendin përballë një të panjohure të rrezikshme që janë faturat e importeve.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img