Pretendimi: Burri që po kërcen në këtë video është drejtori i OBSh Tedros Ghebreyesus.
Verdikti: E pavërtetë
————————————————-
Pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) e shpalli emergjencë globalë situatën e sëmundjes që njihet si “lija e majmunit”, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një foto e kreut të kësaj organizate, Tedros Ghebreyesus, krahas videos së një burri me mustaqe, të veshur me pantallona të shkurtra. Postimet pretendojnë se burri në video është Ghebreyesus, duke tentuar të ulin autoritetin e tij si ekspert shëndetësor. Një pjesë e mirë e komentuesve vijojnë të akuzojnë OBSh për menaxhimin e pandemisë së COVID-19 dhe pretendime për kontroll të saj nga kompanitë e medikamenteve.
Në të vërtetë, megjithëse video djathtas është reale, ajo nuk tregon Ghebreyesus.
Sipas një analize të kryer nga kolegët e MythDetector, video është xhiruar më 16 shkurt 2020 në një bar në Sao Paolo, Brazil. Kjo u konfirmua edhe nga vetë pronari i barit në fjalë për median braziliane G1.
Si rrjedhim, personi në video nuk mund të jetë Ghebreyesus. Më 16 shkurt 2020, ai po merrte pjesë në Konferencën e 56-të të Sigurisë në Munich, Gjermani.
Tedros Ghebreyesus në Konferencën e Sigurisë në Munich