Kremi kundër diellit nuk rrezikon kancerin pavarësisht përthithjes në gjak

8

Pretendimi: Kremi kundër diellit shkakton kancerin

Verdikti: E paprovuar

———————————————————-

Me ardhjen e verës, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se kremi kundër diellit, në vend që të mbrojë nga rrezet, në të vërtetë shkakton kancerin.

Si provë për këtë pretendim ofrohet një studim nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), që gjeti se përbërësit e kremrave mbrojtës nga dielli që përdoren zakonisht, përfshi avobenzonin dhe oksibenzonin, u përthithën në gjak në nivele më të larta se kufiri i FDA për një përbërës “aktiv” që kërkon testim sigurie.

Megjithatë, studimi në fjalë nuk del në përfundimin se këto përbërës janë kancerogjenë, dhe ky pretendim mbetet i paprovuar. Ndërsa rezultatet nxitën thirrje për hulumtime të mëtejshme, ekspertët theksuan se ky nuk ishte një sugjerim për të ndaluar përdorimin e kremit mbrojtës nga dielli, duke deklaruar se rreziqet e njohura të ekspozimit ndaj rrezeve ultraviolet tejkalojnë shumë çdo rrezik teorik nga kimikatet e kremrave mbrojtës nga dielli.

“U keqinterpretua plotësisht”, tha Dr. Adam Friedman, kreu i dermatologjisë në Universitetin George ëashington, për studimin e FDA në atë kohë. “Vetëm pse është në gjak nuk do të thotë se nuk është i sigurt. Nuk do të thotë as se është i sigurt. Përgjigja është se nuk e dimë.”

Antony Young, një profesor në Institutin e Dermatologjisë St John’s, King’s College London, tha për Reuters se nuk kishte prova që avobenzoni dhe oksibenzoni ishin të dëmshëm.

Prof. Desmond Tobin, drejtor i Institutit Charles të Dermatologjisë në University College Dublin, u bëri jehonë komenteve të Friedman duke thënë se shkencëtarët do të duhet të jenë “të kujdesshëm” për të përcaktuar sigurinë e përbërësve të kremit mbrojtës nga dielli. Ai tha se kjo do të ishte veçanërisht e rëndësishme për “përdorimin e përsëritur gjatë gjithë jetës.”

Postimi gjithashtu pretendon se kremi mbrojtës nga dielli e ndalon trupin të prodhojë vitaminë D. Megjithatë, kjo nuk është e saktë.

Sipas Tobin, nuk ka prova për të bërë këtë sugjerim kur i referohemi “sjelljes tipike” në lidhje me kremin mbrojtës nga dielli. 

Ndërkohë, Alice Davies, një oficere e informacionit shëndetësor në Cancer Research UK, shpjegoi se një “ekuilibër duhet të gjendet.”

“Lëkura jonë prodhon Vitaminë D kur është e ekspozuar ndaj rrezeve UV nga dielli, gjë që ndihmon në ndërtimin dhe ruajtjen e kockave të forta. Kremi mbrojtës nga dielli ndihmon në parandalimin e rrezatimit UV që të arrijë lëkurën tonë. Por ka një ekuilibër që duhet të gjendet, pasi ekspozimi i tepërt ndaj rrezatimit UV mund të shkaktojë edhe kancer të lëkurës. Sasia e kohës që ju nevojitet në diell për të prodhuar mjaftueshëm Vitaminë D varet nga lloji i lëkurës suaj, koha e ditës ose e vitit dhe ku ndodheni në botë, por zakonisht është më pak kohë nga sa mendojnë shumica e njerëzve,” tha ajo.

Një eksperiment zbuloi se kremrat mbrojtës nga dielli me një faktor mbrojtjeje nga dielli prej 15, të aplikuar në trashësi të mjaftueshme për të ndaluar djegien nga dielli gjatë një pushimi njëjavor në një vend me nivele të larta të rrezatimit ultravjollcë, ende lejojnë “një përmirësim shumë të rëndësishëm” të niveleve të vitaminës D. Një studim tjetër, një rishikim sistematik i më shumë se 70 studimeve të mëparshme, arriti në përfundimin se kishte pak prova për të mbështetur teorinë se kremi mbrojtës nga dielli parandalon prodhimin e vitaminës D.

Vitamina D gjithashtu luan një rol në rregullimin e imunitetit, por nuk ka prova që mbështesin pretendimin se vitamina D nga ekspozimi në diell zvogëlon kancerin e lëkurës.

Një studim nga Australia, i botuar në vitin 2012, shqyrtoi efektet e vitaminës D kundër kancerit të lëkurës dhe nuk gjeti asnjë korrelacion midis niveleve të vitaminës D në gjak dhe rrezikut të kancerit të lëkurës gjatë një periudhe 11-vjeçare. “Gjetjet tona nuk tregojnë se kancerogjeniteti i ekspozimit të lartë në diell mund të neutralizohet nga statusi i lartë i vitaminës D”, përfunduan autorët.

Nuk ka prova që sugjerojnë se përbërësit e kremit mbrojtës nga dielli rrisin rrezikun e zhvillimit të kancerit të lëkurës. Anasjelltas, ka prova të forta që përdorimi i rregullt i kremit mbrojtës nga dielli zvogëlon plakjen e parakohshme të lëkurës dhe ul rrezikun e zhvillimitkanceritlëkurës.

Shoqata Amerikane e Dermatologjisë rekomandon përdorimin e një kremi mbrojtës nga dielli rezistent ndaj ujit, me spektër të gjerë (mbron nga rrezet UVA dhe UVB) me një faktor mbrojtjeje nga dielli (SPF) 30 ose më të lartë kur jeni jashtë. Përveç kësaj, ajo rekomandon masa të tjera mbrojtëse, duke përfshirë kërkimin e hijes dhe veshjen e rrobave mbrojtëse nga dielli dhe syzeve të diellit.