.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëKorçë, “rehabilitimi” me çakull i rrugës për në Lekas

Korçë, “rehabilitimi” me çakull i rrugës për në Lekas

Pas fitores së mandatit të tretë në krye të bashkisë Korçë, Sotiraq Filo lajmëroi rehabilitimin e rrugës në Lekas, fshat i thellë malor që lidhet me Voskopojën turistike. Një vit më pas, 19 kilometrat e rrugës, mbi kurrizin e së cilës u hodh vetëm çakull, janë degraduar më tej.

Esmeralda Topi

Fushatën për mandatin e tretë në krye të bashkisë Korçë kandidati i socialistëve Sotiraq Filo e përqëndroi tek fshati dhe problematikat e zonave rurale të juglindjes. Rehabilitimi i rrugës që lidh Voskopojën me Lekasin ishte pjesë e fushatës së tij.

Fill pasi kishte marrë detyrën me 60.46% të votave, Filo lajmëroi nisjen e punës për rehabilitimin e rrugës Lekas – Voskopojë.

‘Filloi puna për rehabilitimin e rrugës Lekas-Voskopojë. Çdo ditë në punë për t’u mundësuar banorëve kushte më të mira infrastrukturore’lajmëronte në profilin e tij zyrtar në facebook, kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo më 6 shtator 2023.

Fakt

Për të shkuar nga Tirana në Korçë duhen më pak se tri orë. Për të shkuar nga Korça në Lekas duhen më shumë se dy orë, megjithëse distanca është vetëm 38 kilometra. Deri në Voskopojën turistike rruga është e shtruar.

Por 19 kilometrat e tjera të mbetura deri në Lekas janë ato që kërkojnë kohë dhe sakrificë.

Këtë fillim nëntori, rruga që gjarpëron në krahë të malit të Ostrovicës në 2200 metra lartësi ishte në gjendje shumë të keqe.

Nga çakulli i hedhur një vit më parë nuk kishte mbetur asnjë gjurmë. Kalimi në rrugën e pashtruar bëhet vetëm me automjete të larta.

“Është zona më e thellë malore e Korçës. Unë shkoj me një makinë të lartë dhe eci ngadalë.”, tregon Ylli Qirinxhi, mjeku 73 vjeçar që i shërben banorëve të 15 fshatrave në njësinë administrative Lekas. 

Autoveturat e zakonshme nuk mund ta përshkojnë këtë aks për shkak të gropave të mëdha në të gjithë gjatësinë e rrugës.

“Ne e kemi kërkuar asfaltimin por mundësitë aq kanë qënë. Unë jam vetë banor dhe sa e dua unë atë rrugë se do njeri, por mundësitë kanë qënë të pakta.”, tregon administratori i njësisë Lekas, Elison Reka.

“Ne jemi përpjekur që çdo vit t’i bëjmë një rimbushje të gropave,sistemime me fadromë. Edhe këtë vit e kemi në plan, një ndërhyrje nga ndërmarrja, se kjo është mundësia, nuk është se kemi ndonjë plan investimi.”- shton më tej ai.

Edhe bashkia e Korçës në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al sqaron se ajo që kryebashkiaku Filo, e kishte njoftuar si rehabilitim, në fakt “nuk është investim por mirëmbajtje dhe sistemim i rrugës me çakull në pjesët e dëmtuara të saj”.

Sipas të dhënave nga gjendja civile, njësia administrative e Lekasit numëron rreth 900 banorë të shpërndarë në 15 fshatra.

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimet në terren, premtimin e zotit Filo për rehabilitimin e rrugës që lidh Voskopojën me Lekasin do ta kategorizojmë si të pambajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img