Pretendimi: Komuniteti Amish në ShBA nuk kanë fëmijë autikë sepse nuk vaksinohen
Verdikti: E pavërtetë
————————————————-
Në rrjetet konspiracioniste po riqarkullon si pjesë e narrativave anti-vaksinë pretendimi se në komunitetet Amish në ShBA nuk ka raste fëmijësh me autizëm sepse ky komunitet nuk i vaksinon fëmijët.
Konspiracionistët anti-vaksinë kanë përdorur, të paktën që nga fillimi i viteve 2000, komunitetin Amish, një grup individësh të izoluar me prejardhje nga emigrantët anabaptistë zviceranë në ShBA, të cilët shmangin teknologjinë moderne, si një provë që lidh autizmin me vaksinat.
Kjo ide fitoi vëmendje në 2005, kur gazetari Dan Olmstead kreu një anketë joshkencore në Lancaster County, Pennsylvania (rajon, i cili ka një nga popullsitë më të mëdha të Amish) për të gjetur raste të autizmit. Ai pretendoi se mundi të gjente vetëm tre raste, dhe se dy nga këto tre fëmijë ishin vaksinuar.
Argumenti se rastet pothuajse inekzistente të autizmit tek komuniteti Amish lidhen me mosvaksinimin mbështetet në dy supozime. I pari që Amish nuk i vaksinojnë fëmijët e tyre dhe i dyti se Amish nuk preken nga autizmi. Të dy supozimet janë të rreme.
Një studim i vitit 2011 i botuar në revistën Pediatrics anketoi 1000 prindër Amish rreth praktikave të tyre të vaksinimit. Nga 359 personat që u përgjigjën, “68% deklaruan se të gjithë fëmijët e tyre kishin marrë të paktën 1 vaksinë dhe 17% raportuan se disa nga fëmijët e tyre kishin marrë të paktën 1 vaksinë.”
Këto norma janë më të ulëta se mesatarja kombëtare e ShBA, por pretendimi se Amish nuk i vaksinojnë fëmijët e tyre është i gabuar, pasi shumica e tyre vaksinojnë deri në një farë mase.
Për më tepër, studiuesit kanë dokumentuar shumë raste të autizmit në komunitetin Amish. Studiuesit nga Universiteti i Miami dhe Universiteti Vanderbilt intervistuan 1899 fëmijë Amish nga dy komunitete në Holmes County, Ohio dhe Elkhart-Lagrange County, Indiana. Në një prezantim të vitit 2010 në Shoqatën Ndërkombëtare të Studimit të Autizmit, ata deklaruan:
Të dhënat paraprake kanë identifikuar praninë e ASD [çrregullimi i spektrit autik] në komunitetin Amish në një shkallë prej afërsisht 1 në 271 fëmijë duke përdorur mjete standarde të shqyrtimit dhe diagnostikimit të ASD, megjithëse mund të duhen disa modifikime. Studime të mëtejshme janë duke u zhvilluar për të adresuar normat dhe zakonet kulturore që mund të luajnë një rol në stilin e raportimit të kujdestarëve, siç vërrehet nga ADI. Përcaktimi i saktë i fenotipit të ASD tek Amish është një hap i parë në hartimin e studimeve gjenetike të ASD në këtë popullatë.
Për më tepër, ekziston një klinikë (Klinika për Fëmijë të Veçantë) e përkushtuar hulumtimit të sëmundjeve zhvillimore te fëmijët Amish dhe kjo klinikë, ndër të tjera, studion në mënyrë aktive shfaqjen e autizmit në komunitetet Amish dhe Mennonite. Kjo qendër ndodhet në Lancaster, Pennsylvania, i njëjti vend ku Dan Olmstead kërkoi për raste të autizmit në 2005.
Pretendimet se Amish nuk vaksinojnë fëmijët dhe nuk preken nga autizmi bien ndesh me faktet që shumica e Amish i vaksinojnë fëmijët e tyre dhe se Amish janë diagnostikuar në fakt me autizëm. Megjithëse është e vërtetë që normat e tyre të vaksinimit janë më të ulëta se mesatarja dhe se, të paktën sipas studimeve paraprake, shkalla e shfaqjes së autizmit është gjithashtu më e ulët se mesatarja, kjo në asnjë mënyrë nuk provon idenë se vaksinat shkaktojnë autizëm.
Ka shumë faktorë që mund të shpjegojnë dallimet midis popullsisë Amish dhe Shteteve të Bashkuara në tërësi. Këto përfshijnë një tendencë të mundshme për të rritur diagnozat në komunitetet jo-Amish, ose faktin që diversiteti gjenetik i ulët, diçka unike e popullsisë Amish, luan një rol.
Komunitetet Amish kanë përjetuar një efekt ‘themeluesi gjenetik’, i cili mund të luajë një rol të rëndësishëm në dallimet shëndetësore. Efekti themelues çon në një ndryshueshmëri të reduktuar gjenetike, e cila mund të mbrojë kundër disa çrregullimeve dhe të japë një ndjeshmëri më të lartë ndaj disa çrregullimeve recesive që janë më pak të përhapura në popullatën e përgjithshme. Tre qendra të vendosura në Ohio dhe Pennsylvania specializohen në studimin e çrregullimeve të rralla gjenetike që janë jashtëzakonisht të përhapura tek Amish, duke përfshirë sindromën Troyer, sëmundjen e urinës me shurup panje dhe sindromën Cohen. Këto qendra ofrojnë shërbime trajtimi dhe edukimi për pacientët Amish dhe jo Amish me sëmundje të trashëguara.
Në 2014, imunizimi i ulët i tufës në komunitetet Amish çoi në shpërthimin më të madh të fruthit në ShBA në atë kohë, duke treguar rëndësinë e vaksinimit.
Studimet kanë treguar në mënyrë të vazhdueshme që vaksinat janë të sigurta dhe nuk kanë asnjë lidhje me autizmin.