.

.

BallinaPertejKoment nga juristi Dardan Mustafaj për Faktoje mbi ligjin për të drejtën e informimit

Koment nga juristi Dardan Mustafaj për Faktoje mbi ligjin për të drejtën e informimit

Koment mbi legjislacionin për të drejtën e informimit, lidhur me refuzimin që Kryeministria i bën publikimit të shpenzimeve të kryeministrit në udhëtime jashtë vendit.

Nga Dardan Mustafaj

  • Standardi dhe kuadri ligjor

Është praktikë standarde në të gjitha vendet e zhvilluara me demokraci të konsoliduar që shpenzimet publike dhe mënyra e përdorimit të fondeve publike përbën “çështje të interest publik”.

Arsyet përse kjo çështje përbën interes publik janë të shumëta. Për shembull, disa shtete analizojnë interesin publik në prismin e konfliktit të interesit potencial të zyrtarit i cili mund të përfitojë udhëtime për çështje private të financuara nga buxheti i shtetit. Një prism tjetër është analiza nëse udhëtimet kanë qenë nën kosto dhe për pasojë nevojitet hetimi i arsyeve që kanë çuar një shoqëri private që ka për objektiv maksimizimin e fitimit në shitjen nën kosto të produkteve të saj për një zyrtar, çfarë përfitimesh të tjera mund të jenë dhënë në këmbim.

Më tej, analiza e shpenzimeve të zyrtarëve publike ka nxjerr në dritë skandale të shumta[1].

Ky standard është implementuar edhe në Shqipëri me anë të disa instrumenteve si ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”; Konventa e Këshillit të Evropën për Aksesin në Dokumentet Zyrtare (ratifikuar me ligjin nr. 45/2022) etj… Këto ligje vetëm sa kanë shtjelluar një të drejtë që në fakt është parashikuar në Kushtetutë që në zanafillën e saj në vitin 1998. Kushtetuta parashikon në nenin 23 të saj se:

  1. E drejta e informimit është e garantuar.
  2. 2. Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore.

Përjashtimet e pakta që i bëhen kësaj të drejte janë rasti kur ky informacion është klasifikuar si “sekret” në zbatim të legjislacionit në fuqi ose në rastet e mbrojtjes së jetës private dhe/ose të të dhënave personale të zyrtarit.

Në rastin specifik të udhëtimeve të zyrtarëve, botimi i udhëtimeve dhe shpenzimeve është kthyer në diçka të zakonshme që në shumë shtete bëhet me inisiativën e vet institucionit në mënyrë periodike në kuadër të transparencës[2] ose mbi bazën e një kërkese nga publiku[3].

  • Kuadri rregullues në rastin konkret:

Në rastin konkret të udhëtimeve të Kryeministrit Rama, në mënyrë që legjislacioni mbi të drejtën e informimit të zbatohet nevojitet posaçërisht plotësimi i kushteve vijuese:

  • Informacioni i kërkuar duhet të konsiderohet “dokument zyrtar”.
  • Informacioni i kërkuar të jetë në zotërim të një institucioni publik.
  • Informacioni i kërkuar të mos jetë klasifikuar si “sekret shtetëror” ose botimi i tij të mos përbëj cenim të jetës private të zyrtarit ose të të dhënave të tij personale.

Duke i analizuar kriteret e mësipërme jam i mendimit që në rastin konkret informacioni rreth shpenzimeve të Kryeministrit në udhëtimet jashtë vendit bie përgjithësisht në fushën e të drejtës së informimit dhe duhet të bëhet publik. Më specifikisht:

  • Mbi konceptin e “dokumentit zyrtar” ose “informacionit publik”:

Konventa e Këshillit të Evropës për aksesin në dokumente zyrtare përkufizon termin “dokument zyrtar” si: (neni 1): b) “dokumente zyrtare” nënkupton çdo informacion të regjistruar në çdo lloj forme, i hartuar apo që është marrë dhe mbahet nga autoritetet publike.

Ky përkufizim gjendet edhe në ligjin për të drejtën e informimit: neni 2:

  1. “Informacion publik” është çdo e dhënë e regjistruar në çfarëdo lloj forme dhe formati, gjatë ushtrimit të funksionit publik, pavarësisht nëse është përpiluar ose jo nga autoriteti publik.

Nga sa më sipër, duke qenë se udhëtimet dhe pagesat porositen dhe kryhen në kuadër të ushtrimit të funksionit publik atëherë, informacionet rreth tyre, në veçanti kostot dhe pagesat që bëhen nga institucionet publike janë informacion publik në kuptim të ligjit. Fakti që ato i bëhen një shoqërie private apo subjekti publik nuk është element që përjashton zbatimin e ligjit të mësipërm.

  • Mbi konceptin e zotërimit të informacionit nga një institucion publik:

Kriteri i dytë i kërkuar nga legjislacioni në fuqi i takon personit që zotëron informacionin. Ligji për të drejtën e informimit e përcakton si vijon:

  1. “Autoritet publik”:
  2. a) është çdo organ administrativ i parashikuar në legjislacionin në fuqi për procedurat administrative, organet ligjvënëse, gjyqësore dhe ato të prokurorisë së çdo niveli, organet e njësive të qeverisjes vendore të çdo niveli, organet shtetërore dhe entet publike, të krijuara me Kushtetutë ose me ligj;
  3. b) janë shoqëritë tregtare ku:
  4. i) shteti zotëron shumicën e aksioneve;
  5. ii) ushtrohen funksione publike, sipas parashikimit të shkronjës “c” të kësaj pike;
  6. c) çdo person fizik ose juridik, të cilit i është dhënë me ligj, akt nënligjor ose çdo lloj forme tjetër, të parashikuar nga legjislacioni në fuqi, e drejta e ushtrimit të funksioneve publike.

Edhe në këtë rast duket mjaft e qartë nga sa më parashtroni se kërkesa i është dërguar Institucionit të Kryeministrisë që është një Autoritet Publik në kuptim të ligjit të mësipërm, i cili për më tepër nuk mund të mohojë se zotëron informacionin pasi është institucioni për llogari të të cilit kryhen udhëtimet, pra i cili porosit biletat dhe bën edhe pagesat përkatëse.

  • Mbi konceptin e informacionit të klasifikuar “sekret” ose mbrojtjen e të dhënave personale.

Rezulton nga sa më parashtroni që këto objeksione nuk janë ngritur nga institucioni i Kryeministrisë i cili është kufizuar në argumentin që, në substancë, “faturat janë lëshuar nga një shoqëri private e cila nuk është subjekt i ligjit për të drejtën e informimit”.

Siç u analizua më sipër, pavarësisht faktit se kush e ka lëshuar faturën, fakti që kjo/këto faturë/a gjenden në kontabilitetin e institucionit dhe për pasojë ky institucion disponon “informacionin publik” në kuptim të nenit 2 të ligjit për të Drejtën e Informimit (shih më sipër) e bën këtë objeksion të pavlefshëm.

Fakti gjithashtu që institucioni nuk ka ngritur objeksionin e sekretit shtetëror ose të të dhënave personale krijon premisat që informacioni i kërkuar të mos jetë i tillë dhe për pasojë, në zbatim të ligjeve të sipër përmendura, duhet t’i komunikohet gazetarëve ose publikut më gjerë pasi është jo vetëm një e drejtë e njohur me ligj por është një e drejtë të cilën sovrani e ka vlerësuar aq të rëndësishme sa ta ngrejë në nivelin Kushtetues.

Megjithatë, disa informacione mund të konsiderohen të dhëna personale ose sekret shtetëror si për shembull rastet e vizitave private të Kryeministrit, rasteve kur Kryeministri ka vepruar në cilësinë e një personi privat, rastet e vizitave dhe udhëtimeve që për arsye shtetërore duhet të mbeten konfidenciale etj…

Këto përjashtime janë në linjë edhe me praktikat ndërkombëtare[4].

Megjithatë, edhe në këto raste Institucioni nuk mund t’i shmanget detyrimit për të dhënë një informacion të përgjithshëm si për shembull një vlerë totale për shpenzimet, numrin total të fluturimeve, numrin e personave që kanë fluturar etj… ose informacione të anonimizuara (pjesërisht të fshira) në rast se nuk krijojnë një kosto/barrë tepër të lartë administrative.

______________________________________________________________________________________

[1] Shih për shembull: https://www.theguardian.com/politics/2015/jul/24/john-bercow-expenses-claim-chauffeur-journeys
[2] Kanada (shteti i Alberta) mbi bazën e vetëpublikimit: https://oipc.ab.ca/report-expense-disclosure/
[3] Skocia: https://www.gov.scot/publications/foi-202200269284/ mbi bazën e një kërkese.
[4] shih për shembull në rastin e Paralamentit Evropian https://www.politico.eu/article/eu-court-backs-parliament-refusal-to-disclose-mep-spending/
Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img