BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriRindërtimi i apartamenteve në Spitallë nuk përfundoi në dhjetor të këtij viti

Rindërtimi i apartamenteve në Spitallë nuk përfundoi në dhjetor të këtij viti

Familjet e prekura nga tërmeti prisnin përfundimin e rindërtimit të pallateve brenda dhjetorit të këtij viti, siç iu premtua nga kryebashkiakja e Durrësit Emirjana Sako. Por nga verifikimi i Faktoje dhe nga përgjigjja zyrtare e bashkisë Durrës, ky proces, në rastin më të mirë përfundon në gjysmën e dytë të vitit 2023.  Ky është viti i katërt kur familjet e pastreha nga tërmeti i 2019-s i kalojnë festat e fundvitit në pritje të strehimit.

Ervina Kotti (Garo)

“Parashikojmë që fundi i dhjetorit ose fillimi i janarit të jetë afati i dorëzimit të 15 godinave të para, që përkthehet në 156 familje që do të kenë mundësi të strehohen në këtë zonë.” -tha kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, në një intervistë të datës 24 tetor 2022.

Më herët, në 31 dhjetor të 2021, kryebashkiakja, gjatë një inspektimi, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri, Edi Rama u shpreh se faza e parë e këtij projekti do të përfundonte pas 9 muajsh, maksimumi një vit, për shkak të terrenit të vështirë.

Mbarimi i saj nënkuptonte dorëzimin e mbi 150 apartamenteve.

“Kemi nisur me ndërtimin e fazës së parë të apartamenteve në lotin 1, ku do ndërtohen 154 apartamente. Po kështu, kontratat janë nënshkruar për të gjithë numrin total të apartamenteve, rreth 1 mijë. Faza e parë ka nisur me zhvillimin. Ndoshta do përfundojë për 9 muaj, 1 vit maksimumi, sepse situata këtu është pak e vështirë. duke qenë kënetë, është e nevojshme që të bëhet shumë punë me infrastrukturën.” – detajoi Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Sako.

Por 15 godinat e para të premtuara nuk kanë përfunduar.

Nga verifikimet në terren, në datën 15 dhe 29 dhjetor 2022, konstatuam se punimet janë ende larg finalizimit. Asnjë nga pallatet e këtij kompleksi nuk është dorëzuar. Në këto kushte, familjet që kanë përfituar nga programi i rindërtimit nuk mund të hyjnë për të banuar as për festat e këtij fundviti, i katërti që pas tërmetit të nëntorit 2019.

Kompleksi i pallateve në rindërtim, Spitallë, 15 dhjetor 2022

Kompleksi i pallateve në rindërtim, Spitallë, 29 dhjetor 2022

Punëtorët në kantierin e pallateve të Spitallës thanë për Faktoje se do të duhet të paktën edhe një vit tjetër për dorëzimin e këtyre pallateve, ku do të strehohen kryesisht familjet, që mbetën pa një strehë mbi krye, pas tërmetit.

“Do jenë cilësore, pasi çdo 3-4 metra ka kollonë, por nuk mund të përfundojnë në fund të këtij viti dhe as në fillim të vitit tjetër.”- sqaron njëri prej tyre.

Gjatë verifikimit në terren takuam një prej banorëve të pastrehë të cilit i takon të marrë apartamentin në këtë zonë:

“Unë kam ardhur më shumë se një herë, për të parë punimet, se do të banoj këtu, por me sa duket për zgjedhje, do na sjellin”- na thotë Bashkimi, një pensionist që mbart shqetësimin se ku do të qëndrojë, derisa të marrë në dorë çelësat e apartamentit.

Punimet për ndërtimin e këtij kompleksi në lagjen numër 15 të qytetit, në zonën e Spitallës janë të ndara në lote.

Në tabelën informuese të punimeve është përcaktuar si datë e fillimit 03.06.2022, ndërsa kohëzgjatja e tyre do të shtrihet në një hark kohor prej 365 ditësh.

Kompleksi i pallateve në rindërtim, Spitallë, 29 dhjetor 2022

“Faktoje” iu drejtua me një kërkesë për informacion njësisë vendore për të marrë informacion në lidhje me ecurinë e punimeve dhe finalizimin e projektit.

Në përgjigjen zyrtare të Bashkisë së Durrësit thuhet:

“Projekti është i ndarë në 7 lote. Aktualisht po punohet për të gjitha lotet. Dy lote ku janë gjithsej 30 pallate dhe 312 apartamente janë në fazë rifiniturash. Në dy lotet e tjera janë në fazën ndërtim murature, janë 25 godina dhe 288 apartamente. Në tre lotet e tjera jemi në fazën strukturë dhe konstruksion betonarme, janë 30 godina dhe 396 apartamente.

I gjithë siti i ri do të ketë 85 pallate të reja 4 katëshe me 996 apartamente gjithsej.”

Screenshot përgjigjja e bashkisë Durrës

Referuar finalizimit të punimeve, autoriteti vendor është treguar i kujdesshëm, duke shpjeguar se qëllimi është që punimet të përfundojnë brenda pranverës së vitit 2023, duke rivendosur një afat të ri për familjet, që do të banojnë në këto pallate.

Kompleksi i pallateve në rindërtim, Spitallë, 29 dhjetor 2022

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulliuar vendosëm që premtimin e kryebashkiakes së Durrësit ta kategorizojmë të pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img