Pretendimi: Kombet e Bashkuara gënjejnë kur pretendojnë se popullsia botërore sapo ka tejkaluar 8 miliardë njerëz
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendon se shifra e dhënë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) për popullsinë e planetit është mashtrim.
Zëri i tregimtarit në video thotë në anglisht:
“Shifrat zyrtare për popullsinë botërore të publikuara nga Kombet e Bashkuara deri tani sapo kanë tejkaluar 8 miliardë njerëz që jetojnë në Tokë. Për shembull, India supozohet se ka një popullsi mbarëkombëtare prej mbi 1.4 miliardë qytetarësh. Por kur bëhen llogaritjet praktike, duke përdorur numrat e vetë OKB, mënyra se si ata mund të arrijnë në një shifër kaq të lartë është e qartë si balta. Duke marrë shifrat e tyre zyrtare të popullsisë nga 300 qytetet më të mëdha në Indi, nga 12.4 milionë në qytetin më të madh Mumbai në pak më shumë se 100,000 në vendin e 300-të, qytetin e Aurangabad dhe duke i shtuar të gjitha së bashku, kjo mezi bën 200 milionë nga këto 1.4 miliardë të supozuar. [… ] Është statistikisht dhe gjeografikisht e pamundur që shtatëfishi i këtij numri fshihet në mënyrë misterioze në qytetet e vogla dhe fshatrat e mbetura me popullsi më të ulët se 100,000.”
Video është publikuar fillimisht në YouTube më 22 tetor 2023, nga një përdorues i quajtur Eric Dubay, një konspiracionist i Tokës së Sheshtë.
“Llogaritjet praktike” të Dubay shpërfillin fakte kyç të shpërndarjes së popullsisë në Indi.
India është një vend shumë i madh. Me sipërfaqe afërsisht të barabartë me tre Egjipte, ajo është e vendi i tetë më i madhe në botë.
Megjithatë, vetëm një e treta e popullsisë së saj jeton në zona urbane. Ndonëse e pabarabartë, rritja e popullsisë nuk është e kufizuar në disa zonat më të mëdha metropolitane, dhe dendësia e përgjithshme e popullsisë së vendit mbetet e lartë, me 473 njerëz për km2. Nëse kjo shifër shumëzohet me sipërfaqen e vendit, totali i kalon 1.4 miliardë persona të llogaritur nga OKB në pranverën e vitit 2023.
Megjithëse ideja e një fshati lidhet në imagjinatën popullore me një numër relativisht të vogël banesash të grupuara së bashku, disa fshatra indiane mund të jenë mjaft të mëdha. Për shembull, në fshatin Rarhi jetojnë mbi 36 mijë banorë.
Në 2019, IndiaSpend, një media jofitimprurëse që fokusohet në raportimin e bazuar mbi të dhëna, shkruante se të paktën 24 mijë vendbanime në Indi janë më të populluara se qytetet. Sipas këtij artikulli, është pjesërisht një çështje përkufizimi. Që një vendbanim të quhet qytet duhet të ketë mbi 5 mijë banorë dhe mbi 75% e fuqisë punëtore mashkullore të tij duhet të punojnë jashtë sektorit bujqësor. Shumë vendbanime nuk e plotësojnë parametrin e dytë. Rreth 44% e gjithë fuqisë punëtore të Indisë ende punon në bujqësi. Si rrjedhojë, ata nuk klasifikohen si qytete, megjithëse mund të kenë popullsi po aq të madhe sa një qytet.
Këto vendbanime nuk konsiderohen në “llogaritjet praktike” që Dubay pretendon se hedhin poshtë shifrën e popullsisë së Indisë, dhe botës, të përllogaritur nga OKB.