ANXHELA RUÇI
Vitin 2018 kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e mbyllën me një lajm të gëzueshëm për të gjitha nënat që do të sillnin në jetë një fëmijë në vitin pasardhës e më tej.
Nëpërmjet një Vendimi të Këshillit të Ministrave që hyri në fuqi në 1 janar 2019, nënat dhe bebet përpara se të linin spitalin do të merrnin një çek, vlera e të cilit varej nga rendi i fëmijës. Kështu sipas VKM-së, fëmija i parë përfiton 40.000 lekë, fëmija i dytë 80.000 lekë dhe fëmija i tretë 120.000 lekë.
Pak ditë më parë nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, Manastirliu njoftoi se që nga 1 janari, kohë kur vendimi për bonusin hyri në fuqi, prej tij kanë përfituar 6717 bebe.
Postimi i Ogerta Manastirliut në Twitter 5 maj 2019
Problemi me bonuset që nuk përcaktohet në VKM
Amaris erdhi në jetë ditët e para të janarit në maternitetin “Mbretëresha Gerardinë”, Tiranë. Ai së bashku me nënën e tij u pajisën menjëherë me çekun prej 80.000 lekësh dhe e tërhoqën lehtësisht në bankën e nivelit të dytë, përcaktuar nga ministria e Shëndetësisë.
Por e kundërta ka ndodhur me Aronin dhe nënën e tij të ardhur nga Tepelena dhe që kanë lindur në një prej spitaleve private të kryeqytetit. Edhe pse Aroni do dhe pak ditë të bëhet tre muajsh ende nuk e ka marrë bonusin e bebit.
Për të gjithë fëmijët që kanë lindur në spital privat apo jashtë shtetit, Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur një tjetër procedurë për dhënien e bonusit të bebit. Për të marrë çekun, prindërit duhet të dorëzojnë pranë Shërbimit Social Shtetëror disa dokumenta, në të cilat përfshihen; një çertifikatë personale e bebes, një certifikatë familjare dhe fotokopja e kartave të identitetit të të dy prindërve.
Njoftim i vendosur në ambientet e Shërbimit Social Shtetëror
Kjo është një burokraci e cila nuk parashikohet në Vendimin e Këshillit të ministrave Nr. 740, datë 12.12.2018. Kësisoj, prindërit e Aronit duhet të përshkojnë përsëri 200 km nga Tepelena në Tiranë për të dorëzuar dokumentacionin përkatës dhe të tërheqin çekun e bebit.
Pamje brenda ambjentit të SHSSH, prindër dhe të afërm duke dorëzuar dokumentet
Probleme më të hershme me çekun e bebes
Të shumtë janë ata që e cilësojnë një iniciativë pozitive VKM-në e qeverisë për t’u ardhur në ndihmë nënave të reja, familjeve e fëmijëve të sapolindur me shumat financiare të sipërpërmendura apo e parë kjo edhe si një nismë për të shtuar lindshmërinë. Megjithatë janë të tjera nëna që jo më larg se vitin që lamë pas apo edhe vite më parë, që ndihen si të diferencuara nga vendimet e qeverisë, jo për shkak të shumës së dhënë në formë bonusi, por për faktin se ende nuk kanë marë bonusin prej 5.000 lekësh, shumë simbolike që u jepej nga bashkitë e vendit.
Bashkia Tiranë, pyetur nga “Faktoje” për këtë çështje tha se në vitin 2016 bonusi është shpërndarë në masën 60 %, në 2017-ën, në masën 70 % dhe në vitin 2018 në masën 97 %. Vlen të theksoset se për periudha të tjera kohore, bonusi prej 5.000 lekësh ka patur një përqindje shumë të ulët të shpërndarjes për të mos thënë zero shpërndarje për shkak të ndryshimit politik të qeverisjes.
Ndërkaq shumë bashki të tjera edhe pse e kanë pasur një fond të përcaktuar për fondin e bebeve, në rastin më të mirë e kanë shpërndarë atë tek një numër i vogël i nënave që kanë sjellë në jetë një fëmijë.