BallinaPertejPS “s'u zë besë” grave, 8 kandidate për 61 bashki

PS “s’u zë besë” grave, 8 kandidate për 61 bashki

ANXHELA RUÇI

Dy javë nga çelja zyrtare e fushatës për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, Partia Socialiste ka përzgjedhur kandidatët për kryetar në 61 bashki të vendit, ndërkohë që Partia Demokratike deklaron se nuk do të hyjë në zgjedhje. PS nuk i ka publikuar emrat por në media qarkullon një listë me kandidatët e përzgjedhur.

Nga lista shumëemërore e Partisë Socialiste e publikuar në media, “Faktoje” konstatoi një disbalancë të theksuar mes kandidateve gra dhe kandidatëve burra, në favor të këtyre të fundit.

Nga 61 kandidatë në listë, PS-ja i ka besuar postin vetëm 8 grave, konkretisht: Bashkia Patos Rajmonda Balilaj, Bashkia Roskovec Majlinda Bufi, Bashkia Libohovë Luiza Mandi, Bashkia Përmet Alma Hoxha, Bashkia Durrës Valbona Sako, Bashkia Kurbin Majlinda Cara, Bashkia Ura-Vajgurore Juliana Memaj, Bashkia Delvinë Majlinda Qilimi.

“Faktoje” konstatoi se në qarqet e mëdha siç janë ai i Elbasanit, Shkodrës, Tiranës, Kukësit, Dibrës që përfshijnë në total 30 bashki, mungojnë tërësisht kandidatet gra.

Nëse për zgjedhjet qendrore, ka një ligj i cili i detyron partitë të përmbushin kuotën gjinore, për zgjedhjet vendore ky rregull është shmangur. I vetmi detyrim është për listat e anëtarëve të këshillave bashkiakë, ku plotësimi i kuotës gjinore është taksative.

Kandidatët “e besuar” të Partisë Socialiste që luftojnë për një tjetër mandat

Mesa duket PS-ja ka mbetur e kënaqur me punën e 23 kryetarëve/eve të bashkisë të cilëve u ka dhënë mundësinë e përsëritjes së mandatit.

Qarku me më shumë rikandidime rezulton ai i Fierit, në të cilin janë rikandiduar të pestë kryebashkiakët, pra një përsëritje e ‘vendoreve 2015’. Pas Fierit renditet qarku i Gjirokastrës, Shkodrës dhe Vlorës me 3 emra kryetarësh/esh të rikandiduar. Ndërsa qarku Dibër me të vetmen bashki të majtë atë të Peshkopisë, ka vendosur të mos rikandidojë mjekun Muharrem Rama i cili ka ushtruar një gjysmë mandati si kryebashkiak, pas shkarkimit të paraardhësit Shukri Xhelili.

Raste për t’u përmendur nga lista e PS-së për zgjedhjet e 30 qershorit

Në 61 bashkitë ku PS ka përzgjedhur kandidatët e saj, disa raste janë të jashtëzakonshme dhe kanë tërhequr vëmendjen e “Faktoje”. Një prej tyre është kandidati i Bashkisë Maliq (qarku Korçë) Gëzim Topçiu, i cili në zgjedhjet e 30 qershorit pritet të kandidojë për mandatin e gjashtë në krye të kësaj bashkie. Topçiu drejton Maliqin që prej vitit 2000, duke u kthyer në një rekordmen për mbajtjen më të gjatë të mandatit në këtë post.

Pothuajse e njëjta histori përsëritet me  kryetarin e Bashkisë Poliçan (qarkur Berat) Adriatik Zotkaj. Për zgjedhjet e 30 qershorit, Zotkaj kandidon për mandatin e pestë në krye të kësaj bashkie. Fillimisht ai u propozua nga PBDNJ-ja, por më pas u përfshi në listën e kandidatëve të PS-së.

Kryetari i Bashkisë Konispol (qarku Vlorë) Shuaip Beqiri, në këto zgjedhje lokale kandidon për një mandat të katërt. Beqiri ka marrë dy mandate rradhazi si kryetar bashkie në zgjedhjet lokale të vitit 2000 dhe në zgjedhjet e vitit 2003. Ai u rikthye përsëri në zgjedhjet e 2015 si kryetar i Bashkisë Konispol.

Pa vëmendje nuk mund të kalojë edhe kandidati i PS-së për Bashkinë e Kukësit, Safet Gjici. Edhe pse në zgjedhjet vendore të vitit 2015 Gjici e humbi betejën për Bashkinë Kamëz përballë Xhelal Mziut, në 30 qershor ai pritet të kandidojë për një bashki e cila ka votuar historikisht djathtas.

Rikandimi për të disatën herë dhe marrja e besimit nga votuesit duhet të justifikohet me punën e mirë dhe realizimin e premtimeve të bëra gjatë fushatës. Por a qëndron kështu e vërteta? Ky do të jetë misioni i radhës së “Faktoje”, të verifikojë premtimet e kryebashkiakëve ‘rekordmenë’ dhe të atyre që janë rikandiduar.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img